Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi sot se homologu i tij amerikan Joe Biden i kishte propozuar atij në vitin 2021 që të “shtyhej pranimi i Ukrainës në NATO me 10-15 vite“.
“Në vitin 2021, presidenti aktual Biden më propozoi pikërisht këtë: të shtyhej pranimi i Ukrainës në NATO për 10-15 vite, sepse vendi nuk ishte ende gati”, tha Putin gjatë një konference për shtyp.
Anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut të Veriut ka qenë një kërkesë e kahershme e Kievit, por Moska e konsideron pranimin e Ukrainës në NATO një vijë të kuqe.
“Unë u përgjigja logjikisht ‘po, (Ukraina) nuk është gati sot. Por ju do ta përgatisni atë që të jetë gati dhe do ta pranoni (si anëtar)”, shtoi Putin.
“Megjithatë, për Rusinë cili është ndryshimi. Sot, nesër apo pas dhjetë vjetësh?”, ishte vijimi i përgjigjes së Presidentit rus për Biden asokohe.
Kievi e konsideron anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut si të domosdoshëm për sigurinë përballë Rusisë dhe kërkon një ftesë për t’u anëtarësuar sa më shpejt të jetë e mundur.
Udhëheqja ukrainase, megjithatë, ka pranuar se pranimi i saj mund të vijë pas luftës me Rusinë, të shkaktuar nga pushtimi rus në shkurt 2022.