Andrea Stefani: Meta është si Stalini, por përballë kemi Hitlerin (Berishën)
Gazetari Andrea Stefani thotë në një shkrim të gjatë tek Dita e sotme, se koalicioni PS-LSI duhet të vazhdojë, sepse sipas tij, rreziku Berisha është ende aktual. Ndërkaq Stefani shprehet se Meta e kontrollon LSI-në si Stalini, ndërkohë që Berisha thotë se është si Hitleri. “Stalini dhe Hitleri i ngjasojnë liderëve shqiptarë. Për shembull Stalini, edhe pse i gjithëfuqishëm dhe me një kult absolut tek masat sovjetike, e kish të vështirë të merrte kthesa të forta politike duke neglizhuar atë që do të mendonte opinioni publik. Në kohën kur BRSS kishte nënshkruar një pakt mossulmimi me Gjermaninë, ministri i jashtëm i Hitlerit, Ribentrop, i propozoi Stalinit një himn mbi miqësinë mes të dy vendeve. Por Stalini e refuzoi: “A nuk mendoni se duhet t’i kushtojmë një çikë më shumë vëmendje opinionit publik në të dy vendet tona? Gjatë disa viteve vazhdonim t’i hidhnim në shpinë, njeri tjetrit, lopata muti…Tani, papritmas i bëjmë të besojnë popujt tanë se të gjithë mllefet tona reciproke, janë falur dhe harruar?
Ndryshimet kanë nevojë për kohë, nuk mund të vijnë kaq me nxitim”. Ndërsa në Shqipëri, Meta nuk e pati fare problem opinionin e partisë apo elektoratit kur pasi kishte hedhur kushedi sa lopata me mut kundër Berishës, u bë me të në bashkëqeverisje. Partia e ndoqi nga pas si tufa e deleve bariun. Po kështu edhe kur la Berishën dhe u bë me Ramën. Ndërsa Ramës, disa në PS, akoma nuk ja kanë falur aleancën me Metën. Edhe pse ajo i krijoi mundësinë të vijnë në pushtet. Ky shkrim tenton të tregojë se e kanë gabim.
Ndërkaq, kam përshtypjen se Meta ja kalon edhe Stalinit në këtë aspekt. Ai e zotëron LSInë më mirë se Stalini partinë bolshevike. LSI më duket tepër disiplinuar për të qenë demokratike. PS më duket tepër e madhe për të qenë e disiplinuar. PD është edhe më keq, edhe e madhe edhe disiplinuar ndaj liderit. Prandaj Berisha më ngjason si Hitler. Dhe mos më thoni që lideri është Luli”, shkruan Stefani. “Prandaj, sa kohë që “Hitleri”, edhe pse i rënë nga pushteti, është ende në kërkim të pushtetit, sa kohë nuk është mposhtur madje po përpiqet me të gjitha forcat që të pengojë lindjen e një pushteti drejtësie të lirë nga pushtetet politike, aleanca me “Stalinin” kundër “Hitlerit” duhet të vazhdojë”, e mbyll shkrimin e tij Stefani.









