Carlo Ancelotti, trajneri i Everton, ka qenë shumë kritik ndaj menaxhimit që i ka bërë qeveria britanike krizës shëndetësore të “Coronavirus”. Në një intervistë për “Gazzetta delloSport”, ai kritikoi kryeministrin Boris Johnson, duke theksuar se Premier League kishte reaguar shumë me vonesë. Pasi u diagnostikuan trajnerët dhe futbollistët e parë të prekur nga ky virus i rrezikshëm, futbolli anglez vendosi të ndalet deri më 4 prill:
“Ishte koha që Premier League të ndalet. Ishte një vendim i drejtë dhe korrekt, duke pasur parasysh skenarin e orëve të fundit. Shëndeti është përparësia e gjithçkaje. Kjo i mbron të gjithë: ekipe, tifozë, media, njerëzit që punojnë në futboll. Futbolli, duke pasur parasysh problemet e jetës dhe shëndetit publik, duhet të lihet mënjanë.
Në këtë periudhë është pothuajse e mërzitshme të flasim për futbollin në kushtet e një tragjedie ku jemi zhytur. Kemi të bëjmë me një pandemi, jemi si në luftë. Unë ndoqa konferencën për shtyp të kryeministrit britanik në televizion. Më duket se ai nuk e ka kuptuar ende seriozitetin e situatës”.
Po çfarë tha kreu i ekzekutivit anglez, Boris Johnson? Deklarata e tij shokoi edhe vetë anglezët, në një situatë të tillë emergjence të madhe: “60% e britanikëve do të duhet të preken nga Covid19 për të zhvilluar imunitetin e grupit…”
g.kosovari











