Dikur një figurë e afërt me Perëndimin, ish-presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, është rikthyer në qendër të vëmendjes si provokatori më i ri në rrjetet sociale, si dhe njeriu që zemëroi presidentin amerikan Donald Trump.
Presidenti i SHBA-së, në një deklaratë të rrallë javën e kaluar, njoftoi se kishte urdhëruar ripozicionimin e dy nëndetëseve bërthamore amerikane pas komenteve “shumë provokuese” të Medvedevit, të cilat sugjeronin se Amerika ishte në prag lufte me Rusinë.
“Fjalët kanë shumë rëndësi dhe shpesh çojnë në pasoja të padëshiruara. Shpresoj që ky të mos jetë një nga ato raste,” shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.
Ishte një tjetër kthesë e çuditshme në rrugëtimin e pazakontë të Medvedevit: nga “shpëtimtari” i liberalëve rusë dhe një partner i dëshiruar për Shtëpinë e Bardhë, në një nxitës të retorikës bërthamore të Kremlinit, të paktën në rrjetet sociale.
Që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022, Medvedev ka përdorur shpesh rrjetin X për të paralajmëruar për një luftë bërthamore dhe për të sulmuar verbërisht liderët perëndimorë dhe ukrainas.
Postimet që shkaktuan reagimin e Trump kritikuan afatin e fundit të vendosur nga SHBA që presidenti rus Vladimir Putin të binte dakord për një armëpushim në Ukrainë. “Çdo ultimatum i ri është një kërcënim dhe një hap drejt luftës,” shkroi Medvedev në X. Në një tjetër mesazh në Telegram, ai paralajmëroi për rrezikun e “dorës së vdekur”, një referencë ndaj sistemit të kontrollit të armëve bërthamore të kohës së Luftës së Ftohtë në Rusi.
Putin deri më tani ka injoruar ultimatumet e Trump, ndërsa Kremlini është përpjekur të minimizojë retorikën bërthamore.
Për njohësit e brendshëm të politikës ruse, mbetet një mister se përse presidenti amerikan reagoi ndaj një figure që në hierarkinë e Putinit është e dorës së dytë.
Gjatë mandatit të tij në Kremlin (2008–2012), Medvedev shihej shpesh si një lider me të cilin Perëndimi mund të bashkëpunonte. Ai vizitoi Silicon Valley dhe mori si dhuratë një iPhone 4 nga Steve Jobs. Fliste shpesh e bindshëm për dashurinë që kishte për grupin Deep Purple. U shfaq në kanalin televiziv të pavarur rus Dozhd dhe dha intervista të gjata për Financial Times.
Por Medvedev ka qenë gjithmonë një zëvendës i përkohshëm i Putinit, edhe pse disa analistë kanë paralajmëruar që ai të mos nënvlerësohet plotësisht.
“Gabohen ata që i hedhin poshtë postimet e tij si të çmendura,” thotë filozofi rus i politikës Greg Yudin. “Çdo gjë që ai thotë, e ka dëgjuar nga Putini. Nuk do guxonte kurrë të thoshte diçka që nuk përputhet me mënyrën e të menduarit të Putinit.”
Putini nuk ka pasur hezitime ta ulë Medvedevin nga froni. Në vitin 2012 e riktheu në postin e kryeministrit dhe më pas e degradoi edhe më tej, duke e vendosur si zëvendëskryetar të Këshillit të Sigurisë së Rusisë, pozicion që mban aktualisht.
“Medvedev u ‘kastrua’,” thotë një ish-zyrtar i lartë rus. “Putini e bën këtë me të gjithë. Ai i futi në burg të gjithë ata që ishin baza ekonomike e pushtetit të Medvedevit, por e mbajti vetë pranë.”
Pushtimi i Ukrainës e përshpejtoi edhe më shumë transformimin e Medvedevit, ashtu siç ndodhi edhe me shumë zyrtarë të tjerë rusë që dikur konsideroheshin më liberalë.
Michael McFaul, ish-ambasadori amerikan në Moskë gjatë presidencës së Medvedevit, beson se ish-lideri ka vendosur të jetë “më i shenjtë se Papa” për të mbijetuar politikisht.
“Njerëzit e inteligjencës, njerëzit e FSB-së që e rrethojnë, nuk janë njerëzit e Medvedevit. Ai vjen nga një botë tjetër. Besoj se është pikërisht ankthi për pozitën e tij në atë rreth që e shtyn të thotë gjëra kaq të ekzagjeruara,” thotë McFaul.
Por sipas tij, shenjat për këtë kthesë kishin filluar të dukeshin shumë më herët.
“Ai ka thënë gjëra luftënxitëse. Ka pasur një trend që e tregonte këtë mënyrë të të menduarit që në fillim. Por, në të njëjtën kohë, ai përpiqej të pozicionohej si një president modern,” shton ish-ambasadori.
Gjatë viteve, liderët opozitarë dhe mediat ruse kanë spekuluar mbi përdorimin e alkoolit nga ana e Medvedevit. Platforma hetimore The Insider ka ndjekur kohën kur ai bënte postimet më të zjarrta në rrjet dhe e ka lidhur atë me dërgesat e verërave ruse nga një kantinë që pretendohet të jetë e lidhur me të.
“Ekzistojnë dy teori… Njëra është se ai pi shumë dhe ka humbur personalitetin. Tjetra është se është një lojë… dhe kjo është një shpjegim plotësisht racional,” thotë një tjetër person që ka pasur kontakte me të.
Sot, Medvedev përdor nofka ofenduese për ish-homologët e tij. Liderët e Francës dhe Britanisë i quan “përbindësha europianë” dhe “qen besnikë të Uashingtonit”. Kancelarin gjerman Friedrich Merz e quan rregullisht “nazist”, ndërsa presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky e etiketon si “narkoman”.
Në korrik, Medvedev sugjeroi se sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, kishte “ngrënë shumë kërpudha magjike” dhe duhej të mësonte rusisht, sepse “do t’i duhej në ndonjë kamp në Siberi”.
Ndaj Trump, Medvedev ka mbajtur një ton më të përmbajtur. Në mars, pas një bisede telefonike mes Trump dhe Putinit, ai shkroi në X se në “dhomën e ngrënies” ishin vetëm dy palë: Rusia dhe Amerika. “Në menu: meze të lehta, lakra Brukseli, ‘fish and chips’ britanik, gjel francez. Pjata kryesore është kotoletë në stilin e Kievit.”
Por muajt e fundit ka treguar më shumë armiqësi ndaj presidentit amerikan, duke deklaruar se Trump duhet ta harrojë çmimin Nobel për Paqe pas bombardimeve në Iran.
Pasi Trump paralajmëroi për “gjëra shumë të këqija” që do ndodhnin me Rusinë nëse nuk binte dakord për paqe në Ukrainë, Medvedev shkroi: “Njoh vetëm një gjë shumë të keqe, Luftën e Tretë Botërore. Shpresoj që Trump ta kuptojë këtë!”
Trump e përshkroi Medvedevin të enjten si “ish-presidentin e dështuar të Rusisë, që mendon se është ende president”.
Duke shpjeguar vendimin për të lëvizur nëndetëset, Trump u tha gazetarëve: “Një kërcënim u bë nga një ish-president i Rusisë dhe ne do të mbrojmë popullin tonë.”
Në ditët pas deklaratës së Trump-it, Medvedev qëndroi në heshtje.
Të hënën, zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, u përpoq të ulte tonet, duke thënë se “çështje shumë të ndjeshme dhe shumë komplekse” po diskutoheshin, “të cilat natyrisht perceptohen emocionalisht nga shumë njerëz”.
“Rusia është shumë e kujdesshme sa i përket çështjeve të mospërhapjes bërthamore dhe ne besojmë se të gjithë duhet të jenë të kujdesshëm me retorikën bërthamore,” shtoi ai.
Vetëm pak orë më vonë, Medvedev u rikthye sërish me postime për përhapjen bërthamore, duke deklaruar se largimi i Rusisë nga një traktat tashmë i vdekur për raketat ishte “rezultat i politikës anti-ruse të vendeve të NATO-s”.
“Kjo është realiteti i ri me të cilin të gjithë kundërshtarët tanë do të duhet të përballen,” shkroi ai. “Prisni hapa të mëtejshëm.”











