Banka e Shqipërisë në analizën e fundit të zhvillimeve ekonomike në vend ka konfirmuar se zgjedhjet lokale të këtij viti ishin nxitësi kryesor i rritjes ekonomike në tremujorin e dytë të vitit për shkak të rritjes së investimeve nga pushteti lokal.
Investimet u rritën me 19% në tremujorin e dytë, duke vijuar të jenë një nga kontribuuesit kryesorë në formimin e kërkesës agregate në vend. Banka e Shqipërisë analizon se shpenzimet kapitale lokale shënuan një rritje të konsiderueshme në këtë periudhë. Vlera e shtuar në ndërtim u rrit me 24.5% në tremujorin e dytë dhe vlera e lejeve të ndërtimit u dyfishua këtë tremujor, në krahasim me një vit më parë, referon Banka.
Investimet në ndërtim, të cilat kanë peshën më të madhe në investimet totale, kanë dhënë kontributin kryesor në rritje. Investimet në makineri dhe pajisje vlerësohen të jenë rritur gjithashtu, bazuar në rritjen e importit të tyre me 8.6% në tremujorin e dytë.
Kontributi pozitiv i investimeve pritet të vijojë në tremujorin e tretë. Rritja e treguesit të besimit në ndërtim dhe e balancës së investimeve të reja sinjalizojnë vijim të investimeve në ndërtim. Kontributi i pritur i investimeve në makineri dhe pajisje është gjithashtu pozitiv. Të dhënat paraprake të tremujorit të tretë shfaqin rritje mesatare 12.2% të importit të makinerive dhe pajisjeve.
Për sa i përket tremujorit të tretë, Banka e Shqipërisë analizon se treguesit e pjesshëm sinjalizojnë vijimësi të konsumit të dobët. Kjo pritet të shfaqet më tepër në uljen e shpenzimeve për pajisje afatgjata konsumi e për shërbime, dhe më pak në shpenzimet për mallra të konsumit të përditshëm. Balanca e blerjeve të mëdha nga vrojtimi i besimit konsumator dhe treguesi i besimit të shërbimeve ka pësuar rënie në tremujorin e tretë. Importi i mallrave ushqimore dhe treguesi i besimit të tregtisë janë rritur në këtë tremujor.









