Gjatë fushatës, Donald Trump premtoi se do të përdorte tarifat për të ringjallur industrinë amerikane, duke kthyer vendet e punës në SHBA dhe “duke e bërë Amerikën sërish të madhe”. Por më shumë se gjashtë muaj pas marrjes së detyrës, ekspertët thonë se lufta tregtare e presidentit po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një armë politike, duke zëvendësuar format tradicionale të diplomacisë.
Objektivi i radhës është India, e cila nuk ka arritur një marrëveshje tregtare me SHBA-të. Trump duket i vendosur të vendosë një tarifë shtesë prej 25% mbi mallrat indiane, duke e çuar totalin në 50%, niveli më i lartë i vendosur ndonjëherë ndaj një vendi, së bashku me Brazilin.
Kjo është një kthesë e fortë nga muajt e parë të administratës së tij, kur Uashingtoni dukej i interesuar të vazhdonte përpjekjet dypartiake për forcimin e marrëdhënieve me Indinë si balancë ndaj ndikimit kinez. Por tani, tarifat po përdoren si kërcënim ndaj vendeve që perceptohen si të papërshtatshme me politikën e SHBA-ve.
Pesë raunde bisedimesh tregtare mes dy vendeve nuk kanë sjellë rezultate, ndërsa negociatat e planifikuara për javën e ardhshme janë anuluar. Kjo lidhet me kërkesën e Trump që India të ndalojë blerjen e naftës ruse, e cila përbën rreth 35% të furnizimit të saj, një kërkesë që New Delhi e konsideron të papranueshme.
“Tarifat kanë një qëllim të qartë: mbrojtjen e industrisë vendase nga konkurrenca. Por kjo nuk është më për ekonominë… është shndërruar në një mjet presioni gjeopolitik”, thotë Dr. Stuart Rollo nga Universiteti i Sidneit.
Vetë Trump e ka pranuar këtë qasje. Përveç Indisë, ai ka vendosur një tarifë 35% ndaj Kanadasë me qëndrimin e saj për njohjen e shtetit palestinez, ndërsa për Brazilin, ku tarifa ka arritur në 50%, ai e ka justifikuar me gjyqin ndaj ish-aleatit të tij, Jair Bolsonaro, i akuzuar për komplot për grusht shteti pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2022.
Këshilltari i lartë tregtar i Trump, Peter Navarro, madje ka shpikur një term të ri për këto masa: “tarifa të sigurisë kombëtare”. Senatorët demokratë, nga ana tjetër, e shohin këtë si mënyrë për të detyruar “besnikëri ndaj presidentit”, jo si politikë ekonomike.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo qasje rrezikon të shtyjë Indinë drejt Kinës, në një kohë kur marrëdhëniet mes vendeve të grupit BRICS (Brazil, Rusi, Indi, Kinë, Afrikë e Jugut) po forcohen. Vizitat e fundit diplomatike tregojnë një afrimitet të ri mes këtyre fuqive, që përfaqësojnë rreth 40% të ekonomisë botërore.
Ndërkohë, SHBA-të kanë humbur terren edhe në diplomaci. Shkurtimet në Departamentin e Shtetit dhe në programet e ndihmës së jashtme të USAID kanë lënë Uashingtonin me një “kuti veglash” shumë më të kufizuar.
“Tarifat kanë zëvendësuar diplomacinë”, thotë Rollo. Dhe përballë krizave në rritje, Trump duket se i sheh të gjitha sfidat globale përmes një mjeti të vetëm: Një çekan, duke i trajtuar të gjitha si gozhda./tvklan.al











