Në parlamentin e ri do të mungojnë ish-drejtues të rëndësishëm të PS-së e PD-së. Edi Rama e Lulzim Basha, i kanë spastruar thuajse plotësisht partitë e tyre nga kundërshtarët.
Nga Luljeta Progni, Revista Mapo
Themelues të PD-së e PS-së pas rrëzimit të sistemit komunist, qëndrestarë demokratë, KOP-istë të PD-së dhe reformatorë të PS-së. Thuajse të gjithë janë larguar. Janë ndryshuar elitat në të dy krahët e politikës. Në këtë parlament të ri të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit nuk janë më pjesë e tij ish-drejtues të rëndësishëm të PS-së e PD-së, si Arben Imami, Eduard Selami e Genc Ruli i PD-së, nuk janë Namik Dokle, Arta Dade e Shkëlqim Cani, intelektualët e orëve të para të PS-së, nuk do të jenë qëndrestarë si Jozefina Topalli, Ridvan Bode e Astrit Patozi të PD-së, apo ata të KOP-it si Majlinda Bregu. Por as Valentina Leksaj, e prej kohësh nuk është Fatos Nano, ish-kryetar i PS-së dhe Arben Malaj ish-drejtues i rëndësishëm i kësaj partie. Mungon edhe Ben Blushi e Mimoza Hafizi.
Mungojnë shumë të tjerë ish-studentë të dhjetorit të PD-së apo edhe politikanë me karrierë të rëndësishme që u përfshinë në PS nëpër valët e shumta të reformimit të kësaj partie. Janë politikanë që kanë nxitur apo udhëhequr debatet jo vetëm brenda partive të tyre, por edhe mes palëve të politikës shqiptare. Kanë mbajtur poste të rëndësishme në institucionet e larta shtetërore në 27 vitet e qeverisjes postkomuniste në Shqipëri. Kanë në biografitë e tyre politike përvojën e gjatë dhe angazhimin e fortë, por edhe kostot për keqqeverisjen, sepse edhe pas 27 vitesh Shqipëria është ende një vend në tranzicion, ndër vendet më të varfra në Evropë, me demokraci të cunguar, e ku ende nuk zhvillohen zgjedhje të lira.
Megjithatë, nuk janë në moshë për t’u tërhequr nga aktiviteti në politikë, as përvoja e tyre nuk është e panevojshme. Por Edi Rama e Lulzim Basha i kanë spastruar thuajse plotësisht partitë e tyre nga ata, që mund të quhen “senatorë”. Gjithsesi, ekzistojnë disa ndryshime në mënyrën se si dy liderët e kanë bërë këtë proces spastrimi. Rrugën e shtroi i pari Edi Rama.
Valët e spastrimit të PS
Kur u zgjodh në krye të PS, në tetor të vitit 2005, ai ishte betuar se do ta pastronte partinë e tij, nga ata që po i nxirrnin pengesa në strategjinë për të ndërtuar një parti tjetër socialiste. I ka quajtur edhe “fshatarë që i prishin imazhin partisë”. E mori drejtimin e partisë më të madhe në Shqipëri, me mbështetjen shumë të rëndësishme të Gramoz Ruçit, i cili prej 27 vitesh mban vendin e dytë më të pushtetshëm në PS, madje që ndonjëherë ka qenë më i rëndësishëm se kryetari. Beteja e atëhershme e Ramës ishte me ata deputetë e drejtues, që ishin ende besnikë të ish-kryetarit Fatos Nano. Lufta nisi në kongresin ku u zgjodh kryetar Edi Rama. Fjalimi i tij para “kongresmenëvë”, kur po i rrezikohej fitorja, është një ndër fjalimet më interesante që shpejt u harrua.
“Kush jeni ju, o miq e shokë, që gjeni kurajon të na ndani në të rëndësishëm e të parëndësishëm, në personazhe emblematikë e në njerëz problematikë, në vendës e në të ardhur në një parti ku, dëgjojeni mirë këtë, kontributet dhe vendin e secilit nuk mund t’i vlerësojë e t’i përcaktojë më vullneti suprem i konjukturës së degjeneruar, që politikën e kanë kthyer në një ves më të keq e më të dëmshëm se vetë kumari, të profesionistëve të hiçit e të statukuosë që në emër të respektit për procedurat mund të vrasin çdo embrion shprese e çdo ide të sapolindur, të dembelëve e parazitëve që fshihen pas parrullave të dashurisë për socialistët, por që për habinë më të madhe, mazallah se i duan socialistët në votim për çështjet e mëdha të partisë!”, kështu u shpreh Rama në kongres që ditën e parë, dhe po atë ditë “kongresmenët” ia rrëzuan platformën e tij për drejtimin e partisë. Duhet të ketë qenë ky një moment me rëndësi, që ka paracaktuar edhe betimin e Ramës për t’i bërë të panevojshëm “senatorët” e PS-së të identifikuar prej tij si “konjukturës së degjeneruar të demagogëve që politikën e kanë kthyer në një ves më të keq”. Por nuk e zgjidhi me këtë fjalim, sepse iu desh një rrugë e gjatë e beteja të vështira për t’i larguar të gjithë kundërshtarët e tij nga PS, e për t’i zëvendësuar ata me modelin e Saimir Tahirit, Olta Xhaçkës, Erjon Veliajt e të tjerë, që sot janë elita e re politike e PS-së.
Në kongresin socialist të 2 qershorit 2007, nisi vala e parë e spastrimit të Partisë Socialiste nga “senatorët”. Me sloganin “ndarje me politikën e vjetër”, kongresi bëri “pastrimin” e partisë nga ata, që për momentin ishin kundërshtarë të Ramës në PS. U zgjodh Asambleja e re Kombëtare dhe sekretarët e rinj. Në Asamble dhe në Kryesi u zgjodhën shumë të rinj, që kryesisht vinin nga OJF si “Mjaft”, por edhe nga administrata e Bashkisë së Tiranës. Sipas këtyre ndryshimeve, sekretari i përgjithshëm pushonte së ekzistuari si funksion dhe kompetencat e tij i mori kryetari i Asamblesë Kombëtare. Sipas statutit të ri, kongresi rritej në numër nga 650 delegatë në 1500 delegatë; u rrit me 150 anëtarë Asambleja Kombëtare dhe në çdo forum 50% duhet të ishin gra.
Ky është momenti kur Rama vendosi kontrollin e plotë mbi PS-në. Përmes këtyre lëvizjeve ai zvogëloi dukshëm peshën e anëtarëve të forumeve të larta drejtuese të kësaj partie, ku përfshiheshin edhe ata që kishin reformuar PS-në prej vitit 1991, atëherë kur kjo parti ishte ende Partia e Punës. Rezistenca që bënë disa prej ish-drejtuesve të rëndësishëm të PS, u asimilua shpejt.
Vala e dytë e spastrimit nisi para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhe synoi grupin parlamentar të PS-së. Rama la jashtë listës së kandidimit për deputetë një pjesë të rëndësishme të ish-drejtuesve të kësaj partie: Musa Ulqinin dhe disa deputetë të tjerë, si Ylli Bufin, i cili ishte nënkryetari socialist i Parlamentit. Por në listë mungonte edhe ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano. Listës së kandidatëve për deputet të PS-së ndërkohë i ishte shtuar Saimir Tahiri, që e kishte nisur karrierën në PS si zëdhënës i Ramës, Olta Xhaçka, një pjesëtare e lëvizjes “Mjaft”, apo edhe Eduard Shalsi, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës.
Një tjetër valë spastrimesh ishte ajo e zgjedhjeve të vitit 2013, kur jashtë listës së kandidatëve për deputetë mbeti edhe Arben Malaj, që jo shumë herët kishte qenë pjesë e grupit të deputetëve të “Lëvizjes për Mendimin Ndryshe” brenda PS-së, i drejtuar nga Ben Blushi. Ky i fundit kishte mundur t’i përmirësonte raportet me Ramën, ndërsa Arben Malaj, Marko Bello, Kastriot Islami, Andis Harasani e të tjerë mbetën jashtë PS-së. Rama nuk ua fali kurrë betejën nën siglën e LMN-së. Disa vite më vonë do t’i vinte rradha edhe Ben Blushit. Gjithçka filloi gjatë mandatit të parë qeverisës të Edi Ramës, kur Blushi ishte deputet i PS-së dhe dukej se nisi luftën e brendshme në parti, që u finalizua më largimin e Blushit e Mimoza Hafizit nga PS-ja, për të themeluar LIBRA-n.
Në zgjedhjet e 25 qershorit, Rama la jashtë liste “senatorët” e fundit: Namik Dokle, Arta Dade, Valentina Leskaj e të tjerë. Arta Dade e Namik Dokle u bënë pjesë e PS-së në ditët e para të themelimit të saj, menjëherë pas 12 qershorit të vitit 1991. Ata ishin pjesë e rëndësishme e forumeve drejtuese të PS-së. Valentina Leskaj gjithashtu ishte një ndër drejtueset e rëndësishme të strukturave socialiste prej vitit 2000 e në vazhdim.
Por në PS është ende Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko. Janë të të njëjtit brez me të larguarit e me kontribute të ngjashme. Madje dy të parët, Ruçi e Xhafa e kanë origjinën e aktivizimit qysh në organet e Partisë së Punës së Shqipërisë.
Përmbysja në PD
Nëse në PS, spastrimi ka ndodhur në më shumë se dhjetë vite, në PD ndodhi brenda një nate. Lulzim Basha i kapërceu me një hap të gjitha shkallët që kishte kaluar Edi Rama në PS (për ta fituar partinë e për të lënë pas në kohë bashkëpunëtorët e paraardhësit të tij Fatos Nano). Kur Basha e mori PD-në, me mbështetejen e Berishës, ky i fundit ia dha postin si një “paketë”, bashkë me të gjithë bashkëpunëtorët e tij, disa që prej kohës së themelimit e të tjerë që ishin formuar gjatë rrugës 23-vjeçare të PD-së.
Në katër vitet e para të drejtimit të PD-së, Basha nuk ndërmori lëvizje të forta për të pastruar partinë nga kasta e vjetër. Përkundrazi, i mbajti në forumet e larta drejtuese e asnjëherë nuk dha shenja agresviteti në reagime, madje edhe kur ata e sulmuan publikisht. Nisi të zbatojë një pjesë tjetër të strategjisë së Ramës, ngritjen e disa forumeve të reja në PD dhe zgjedhjen brenda tyre të politikanëve të rinj, që vetë i zgjodhi e promovoi.
Genc Ruli, Jozefina Topalli, Majlinda Bregu e të tjerë e kanë sulmuar vazhdimisht Bashën për mënyrën se si po e drejtonte PD-në e për lëvizjet politike si opozitë. Basha shfaqej i qetë dhe dukej sikur po i pranonte kritikat.
Askush nuk e kishte menduar se do të ishte aq radikal në momentin final. Me një guxim që shkaktoi mjaft debate në media e qarqet politike, Basha e fshiu me një të rënë të lapsit, elitën politike të PD-së me pjestarë qysh prej themelimit të saj, tek qëndrestarët madje edhe tek ata që kishin hyrë në PD në të njëjtën kohë me Bashën si pjestarë të KOP-it. Ai shkoi më tej kur la jashtë listës së kandidatëve për deputetë politikanë të rinj të PD-së që vetë i kishte promovuar. Gjithçka ndodhi fill pas marrëveshjes që Basha nënshkroi me kryeministrin Rama më 18 maj të këtij viti, pak javë para zgjedhjeve.
Ka ndodhur shpesh në PD që të përjashtohen drejtues të rëndësishëm të kësaj partie, madje ka ndodhur në fillimet e historisë së saj qysh me grupin e mocionistëve për të vazhduar me të tjera momente të largimit të drejtuesve të rëndësishëm, por në vitin 2005, Berisha i ribashkoi të gjithë nën siglën e PD-së dhe qeverisën bashkë tetë vite rresht. Arben Imami, Preç Zogaj, Arben Demeti, Gramoz Pashko, Neritan Ceka e të tjerë, ishin përjashtuar në vitin 1992 si mocionistë, por Berisha i ktheu të gjithë në PD në vitin 2005, në grupin parlamentar dhe në qeverisje.
Atë që Berisha ishte përpjekur ta përmirësonte, Basha e zhbëri brenda një nate. Largoi nga lista e kandidatëve për deputetë thuasje të gjithë anëtarët e forumeve më të larta drejtuese të kësaj partie: Jozefina Topalli, Majlinda Bregu, Eduard Selami, Ridvan Bode, Astrit Patozi, Arben Imami, Igli Cara, Genc Ruli, Tomor Alizoti, Eno Bozdo, e shumë të tjerë.
Kur mori përsipër ta pastrojë listën, Basha e kishte menduar mirë se “senatorët” e përzënë nga PD-ja do ta sulmonin me ç’mjete të kishin në dorë. Padyshim që ata bënë lojën e tyre gjatë fushatës, e sulmuan Bashën dhe PD-në e tij të re me listën e kandidatëve për deputetë. Edhe për këtë arsye Basha i humbi thellë zgjedhjet e 25 qershorit, por fitoi PD-në e tij të re pa asnjë kundërshtar brenda, edhe pse me Sali Berishën përsëri aty. Gjithsesi ka pak gjasa që Berisha të jetë një kundërshtar i drjetpërdrejtë me Bashën. Ai do të jetë i rrethuar prej disa deputetëve, me të cilët nuk e lidh asgjë, madje as bindjet politike.
I tillë është parlamenti i kësaj legjislature, i mbushur plot me të rinj, për të cilët dimë shumë pak, por do të mësojmë në katër vitet që nisin më 9 shtator. Në krye të parlamentit do të jetë Gramoz Ruçi, drejtuesi lartë gjatë dy viteve të fundit të qeverisë komuniste të PPSH-së, në krah të Ramës do të jetë ministër i Brendshëm Fatmir Xhafaj, që vjen gjithashtu si prurje e hershme, ku ka milituar në forumet e rinisë komuniste e ku ka drejtuar forume të tyre, ku ka punuar si hetues i kohës së komunizmit. Dhe përballë tyre do të jetë Berisha e Basha, bashkë me deputetët e rinj të PD-së. Po ashtu do të jenë deputetët e rinj të PS-së e shumë të tillë të LSI-së.
Senatorët e kryen misionin e tyre, sepse u bënë më shumë se 25 vjet aktivizim në politikë. Do të ishte krejt normal ky konstatim nëse në paralment nuk do të ishte Ruçi, Xhafa, Berisha, Anasatas Angjeli, Tritan Shehu, e ndonjë tjetër, sepse do ta mirëprisnim si qarkullim elitash. Por nuk është i tillë. Është veçse spastrim i dy partive nga kundërshtarët e liderëve respektivë.