Analiza/ Mesazhet e krimit përmes bombave: Ja shpërthimet “paralajmëruese” të bandave shqiptare

Xhemal Bushati e kishte humbur tashmë mundësinë për t’u bërë kryebashkiak i Shkodrës kur shpërtheu bomba. Ajo ishte vendosur në një ndërtesë që i përket Bushatit dhe shpërtheu në orët e para të 26 marsit. Disa minuta më vonë, një pajisje e dytë shpërtheu në një treg lokal.

Bushati, i cili kandidoi për postin e kryebashkiakut të qytetit për Partinë Demokratike të opozitës, nuk ishte në gjendje të shpjegonte pse do të vihej në shënjestër. Po ashtu edhe policia.

“Unë nuk kam asnjë konflikt me askënd dhe fle i qetë”, u tha ai gazetarëve.

Megjithatë, një gjë është e qartë. Shpërthimet e bombave jo-fatale janë bërë një dukuri e rregullt në Shqipëri – 232 të tilla në pesë vitet e fundit, sipas policisë. Në shumicën dërrmuese të rasteve, autorët nuk janë identifikuar asnjëherë.

“Ka një tendencë që eksplozivët të përdoren si paralajmërim, më shumë se sa për vrasje”, tha Fabian Zhilla, një ekspert ligjor për drejtësinë penale.

Kjo mund të nënkuptojë dy gjëra, tha ai – se Shqipëria është në prag të “përplasjeve shumë të forta” midis grupeve kriminale, ose se bandat e krimit të organizuar po shtojnë shantazhin e tyre ndaj bizneseve përmes “terrorit dhe paralajmërimit”.

Shpërthimet e bombave janë të vështira për t’u zgjidhur

Dy muaj para Bushatit, ishte radha e Armando Dukës, kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, kur një pajisje eksplozive shpërtheu në portën e shtëpisë së tij në qytetin bregdetar të Durrësit.

Federata sapo kishte shpallur zgjedhjet për postin e Dukës, por presidenti aktual nuk kishte njoftuar ende nëse do të kandidonte sërish. Ai përfundimisht kandidoi dhe fitoi.

Vitin e kaluar, në qershor, ndodhi një shpërthim në një qilar vere që i përkiste Lefter Kokës, ministrit të mjedisit të Shqipërisë nga viti 2013 deri në vitin 2017.

Një aleat i Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama, Koka u arrestua në dhjetor dhe u akuzua për korrupsion. Ai është në pritje të gjykimit.

Pronari i një biznesi lokal u arrestua më vonë nën dyshimin për shpërthimin.

Por nga 232 raste të tilla në pesë vitet e fundit, vetëm 44 janë zbardhur dhe 55 autorë janë identifikuar.

Ekspertët thonë se sulme të tilla janë të vështira për t’u zgjidhur duke qenë se vetë shpërthimet fshijnë shumë nga provat materiale. Efektet, megjithatë, mund të jenë rrëqethëse, për objektivin individual, por edhe për anëtarët e familjes së tyre.

“Metodat e zbardhjes së krimeve të kryera me eksploziv janë shumë komplekse dhe të vështira për t’u realizuar”, tha Ervin Karamuço, profesor i kriminalistikës në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë.

“Ato kërkojnë burime njerëzore shumë të specializuara dhe pajisje teknike gjithnjë e më moderne. Përdorimi i lëndëve plasëse në vetvete është një mjet shumë efektiv për grupet kriminale, pasi lë gjurmë minimale të vetë autorëve në vendngjarje”, tha ai për BIRN.

“Kjo është edhe më e vështirë kur përdoren telekomanda në distancë ose kur instalohen në mjedise të pambikëqyrura, gjatë natës dhe me autorë të maskuar mirë.”

Një çështje tjetër, sipas Zhilla, është përdorimi i kriminelëve për të kryer sulmet, “që e bën të vështirë lidhjen e shkakut dhe efektit dhe më pas lidhjen e përdorimit të tyre me autorin dhe kryesin”.

Shqiptarët ende përndiqen nga grabitjet e depove të armëve në 1997

Mënyra se si kryhen sulme të tilla tregon se autorët i peshojnë me kujdes rreziqet e përfshira në përdorimin e eksplozivëve, të cilët janë dhe më të vështirë për t’u kontrolluar sesa armët e zjarrit, thonë ekspertët.

“Për këtë arsye, në shumicën e rasteve, eksplozivët vendosen në orët e vona të natës, kur nuk ka lëvizje të shtuar dhe synojnë kryesisht dëme materiale”, tha Karamuço.

Sulme të tilla, tha ai, janë krijuar për të shërbyer si paralajmërim. Kur synohet vrasja, “metodat e organizimit të krimeve me eksploziv janë më të sofistikuara dhe kanë efekt të dedikuar dhe të drejtpërdrejtë vetëm për objektivin njerëzor”.

Mjetet nuk janë të vështira për t’u gjetur.

Në fund të viteve 1990, kur rënia e skemave piramidale shkaktoi tre muaj anarki në Shqipëri, depot e armëve u plaçkitën.

Autoritetet thonë se rreth gjysmë milioni armë janë grabitur, ndërsa policia thotë se 16 milionë pajisje shpërthyese janë zhdukur, nga të cilat vetëm një pjesë e tyre janë rikuperuar nëpërmjet amnistive.

Krahas këtyre armëve, Zhilla tha se eksplozivë importohen gjithashtu, “kontrabandë ose fshihen nëpërmjet kompanive që merren me nxjerrjen e agregateve apo minierave, të cilat përdorin eksplozivë”.

“Pas vitit 1997, numri i atentateve me eksploziv u rrit ndjeshëm, për shkak të furnizimit të madh me eksplozivë nga grabitjet e depove ushtarake”./BIRN

Next Post

Leave a Reply

Your email address will not be published.

LAJMET E FUNDIT

Welcome Back!

Login to your account below

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com