Dy herë president dhe dy herë të tjera kryeministër, udhëheqës i Partisë Demokratike për më shumë se 16 vjet dhe figurë me ndikim mes demokratëve dhe shumë vite pasi ka dhënë dorëheqjen si kryetar, Sali Berisha është njeriu që i ka mbijetuar skandaleve të panumërta para se të “emërtohej” të mërkurën nga Departamenti Amerikan i Shtetit si “i korruptuar”.
Sali Berisha, politikani më dominues në Shqipëri për gati tre dekada, i mbijetoi skandaleve të shumta gjatë dy mandateve qeverisëse të tij, një herë si president dhe një herë si kryeministër, duke dalë i larë në të gjitha rastet, i paakuzuar kurrë zyrtarisht nga prokuroria; por pavarësisht kësaj duket se nuk arriti të triumfojë përballë vlerësimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili e “emërtoi” atë si politikan të korruptuar duke e penalizuar me ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara.
Berisha, 77 vjeç, e ka qeverisur Shqipërinë për pesë vite si president dhe tetë vite si kryeministër, duke qenë udhëheqësi më jetëgjatë i vendit pas Enver Hoxhës. Ai u përball me skandale në të dyja rolet ndërsa përpjekjet e tij për të shpëtuar prej telasheve duket se shkaktuan atë që Departamenti i Shtetit e përshkroi si veprime që kanë shkaktuar dëm në “besimin e publikut shqiptar te institucionet qeveritare dhe zyrtarët e tyre publikë.”
Berisha është edhe figura më e lartë politike që bie viktimë e këtij instrumenti relativisht të ri të politikës së Shteteve të Bashkuara, shpallja “i padëshirueshëm” nga DASH për “korrupsion madhor”. Ky instrument u përdor për herë të parë kundër ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla në vitin 2018 si dhe më pas, kundër ish-deputetit socialist tashmë protagonist të Partisë Socialdemokrate Tom Doshi dhe ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako.
Pasoja konkrete e vendimit lidhet me ndalimin e hyrjes në SHBA të Berishës dhe familjes së tij ndërsa pasoja politike është damkosja si “i korruptuar” me një vendim nga një institucion që ka ndikim të konsiderueshëm në mendjet e shqiptarëve.
Historia e skandaleve të Berishës nis me shkeljen e përsëritur të të drejtave të njeriut gjatë kohës që ishte president (1992-1997), të tilla si dhunimi i gazetarëve dhe i politikanëve të opozitës apo aktivistëve për të vijuar me skandalin e skemave piramidale dhe trazirave të vitit 1997, ku disa qindra shqiptarë humbën jetën. Por pas vitit 1997 Berisha krijoi profilin e një politikani të ndershëm por të dhunshëm, me protesta të vazhdueshme në rrugë dhe retorikë dhune. Ai u afrua me politikën konvencionale pas marrëveshjes Berisha-Nano në vitin 2003, e cila i dha vendit një reformë zgjedhore me kompromis mes palëve, si dhe me fushatën elektorale të vitit 2005, ku garoi me një platformë antikorrupsion.
Marrëdhëniet e tij me SHBA-të ishin të mira në vitet që vijuan, (ish-presidenti George W. Bush vizitoi Shqipërinë në vitin 2007) dhe Berisha ishte në detyrën e kryeministrit kur Shqipëria u anëtarësua në NATO në vitin 2008. Marrëdhëniet e tij morën drejtimin e gabuar pas aksidentit të Gërdecit në vitin 2008 dhe në veçanti, nga tentativat e tij për të ndikuar në procesin hetimor dhe sulmet ndaj prokurorëve. Ai besohet se ndërmorri një iniciativë ligjore në emër të “dekomunistizimit”, të njohur si ligji i lustracionit, me qëllim që të shantazhonte prokurorët që kishin në duar dosjet e skandaleve që duhej se lidheshin me të dhe familjen e tij.
Përpjekjet e tij për t’i shpëtuar llogaridhënies duket se morën një drejtim më të zymtë pasi aleati i tij në qeverisje, Ilir Meta, u ekspozua nga një video e përgjuar nga bashkëpunëtori i tij i vjetër Dritan Prifti duke diskutuar korrupsion në dhjetor 2010.
Protestat e dhunshme të Partisë Socialiste në opozitë pak javë më vonë përfunduan me një reagim edhe më të dhunshëm nga qeveria, duke sjellë vdekjen e katër protestuesve më 21 janar 2011.
Në vitet që pasuan struktura e përgjithshme e shtetit, përfshirë prokurorinë dhe gjykatat duket se u degraduan dhe pandëshkueshmëria e politikanëve të lartë u bë normë. Skandalet e njëpasnjëshme të politikanëve të ndryshëm, demokratë apo socialistë, përfunduan gjerësisht të pandëshkuar duke gërryer besimin e publikut te drejtësia.
Përgjatë të gjithë këtyre viteve, dy fëmijët e kryeministrit, Shkëlzen Berisha dhe Argita Malltezi, nuk e fshehën faktin se janë pasuruar por i deklaruan paratë dhe pronat si produkte biznesesh të ligjshme. E bija, Argita, krijoi një studio ligjore që u bë pika e kontaktit e investitorëve të huaj, të gatshëm për të paguar qindramijëra euro për shërbime konsulence, për të cilat dyshohet se ishin pagesa për vendimmarrjen e të atit kryeministër. Dokumente të zbuluara më vonë tregojnë se si ajo dhe ortakët e saj ishin në gjendje të blinin toka bujqësore të pafrytëshme në zonën e Porto Romanos të cilat, më pas, një vendim i qeverisë “Berisha” i shpalli Park Energjetik duke ia shumëfishuar vlerën.
I biri, Shkëlzen Berisha u akuzua gjithashtu në vijimësi se ka kryer rolin e sekserit për biznese të lidhura me rolin e të atit si kryeministër, përfshirë në procesin e privatizimit të dështuar të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë por hetimet e prokurorisë për çështje të lidhura me të nuk sollën kurrë akuza dhe ai nuk e gjeti veten kurrë të akuzuar zyrtarisht për ndonjë shkelje.
Në vend të kësaj, Shkëlzen Berisha ka hyrë në një seri konfliktesh gjyqësore penale dhe civile me eksponentë të ndryshëm të Partisë Socialiste, të cilët i ka akuzuar për shpifje. Ai ka fituar gjyqe të tilla ndaj kryetarit të grupit parlamentar socialist Taulant Balla apo Sajmir Tahiri – procese nga të cilët ka fituar disa e ka humbur disa të tjera. Në një të tillë, gjykata gjeti fajtor Ballën për shpifje pasi ky i fundit akuzoi Shkëlzen Berishën se ka përfituar para nga Austrian Lotteries për të marrë licencën e lotarisë kombëtare në Shqipëri. Ai pati më pak shans në SHBA, ku hodhi në gjyq Guy Laëson, një shkrimtar, për shpifje në lidhje me një libër mbi trafikun e armëve ku aludohet se ka pasur rol edhe Shkëlzen Berisha.
Pavarësisht këtyre, Departamenti i Shtetit duket se nuk ka dyshime se “[Sali] Berisha është përfshirë në akte korruptive {…} në përfitim të atij vetë dhe për të pasuruar aleatë politikë dhe anëtarë të familjes.” [Link deklarata]
Berisha humbi zgjedhjet në vitin 2013 dhe dha dorëheqjen nga kryesimi i Partisë Demokratike, por ndryshe nga ish-kryeministri socialist Fatos Nano, i cili u tërhoq nga skena politike më 2005, Berisha mbajti postin e deputetit dhe ruajti një ndikim të konsiderueshëm në Partinë Demokratike edhe pas dorëheqjes.
Kryetari aktual i PD-së Lulzim Basha, i cili akuzohet shpesh nga socialistët si “kukull”, kur u pyet për herë të fundit pak para zgjedhjeve të vitit 2021 për Berishën e cilësoi atë si udhëheqës historik dhe deklaroi se ai do të kryesonte listën e kandidatëve të PD-së në çdo qark që dëshironte.
Berisha perceptohet gjerësisht si nxitësi i një periudhe të shkurtër “radikalizimi” të Partisë Demokratike në shkurt 2019, kur deputetët e saj dhanë dorëheqjen në masë nga parlamenti në tentativë për të shkaktuar një krizë politike e cila dështoi të materializohet. Situata u përkeqësua akoma më shumë kur protestat e organizuara nga opozita u përshkallëzuan shpesh në akte dhune, të cilat me raste të ndryshme u përshkruan si “dhunë simbolike” por që për diplomacinë amerikane, duket se, në kombinim me braktisjen e parlamentit, shiheshin si mjete politike jodemokratike.
Shpallja e Berishës non-grata të mërkurën më 19 maj 2021 vjen në një kohë kur Partia Demokratike gjendet në dilemë nëse duhet të pranojë rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit dhe të hyjë në parlamentin e ardhshëm si parti opozitare apo të vijojë politikën e bojkotit të institucioneve.
Bojkoti i parlamentit ka qenë një politikë e përsëritur e partive politike opozitare në Shqipëri, përfshirë PD-në dhe PS-në dhe është kritikuar vazhdimisht nga ndërkombëtarët si një politikë që sfidon rendin demokratik. Demokratët dhe LSI duket se e çuan në ekstrem një politikë të tillë në vitin 2019 me dorëheqje nga mandatet e deputetëve, një vendim që u kritikua në mënyrë të përsëritur nga diplomacia. Dhe tani që zgjedhjet kanë mbaruar, pyetja mbetet se çfarë drejtimi do të marrë politika e opozitës.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim e ka përsëritur që opozita duhet të shkojë në parlament.
Vendimi i DASH për “emërtimin” e Berishës dhe familjes së tij si “i korruptuar” dhe “i padëshirueshëm” në SHBA duket se përbën një përshkallëzim tjetër diplomatik kundër politikës jashtëinstitucionale.
(BIRN)