Amnistia e kapitaleve që do t’i propozohet Kuvendit e paralajmëruar nga ministri i Financave, Ahmetaj, ndan vlerësimet e ekspertëve të ekonomisë në pro dhe kundër, për efektet që sjell në rast miratimi.
Në intervistën dhënë gazetës “Panorama”, ekspertët e Institutit për Politikat Publike dhe Mirëqeverisjen vlerësojnë se amnistia e kapitaleve do të sillte përfitime te biznesi, duke e shpëtuar nga tatimorët abuzues.
Ndërsa aplikimin e pagesës për legalizimin e kapitaleve, ekspertët e IPPM-së e vlerësojnë si zbutje të efekteve negative, që ushqejnë kulturat e amnistive në mospagimin e taksave.
Selami Xhepa shprehet skeptik që kjo amnisti sjell efekt pozitiv në ekonomi. Xhepa argumenton se ambienti ekonomik dhe ligjor ka krijuar hapësira bujare që kapitalet e padeklaruara të qëndrojnë aktive apo të trupëzuara në ekonomi.
Edhe Zef Preçi, drejtuesi i Qendrës Shqiptare për Kërkimet Ekonomike, është kundër amnistisë së kapitaleve. Preçi shprehet se legalizimi i kapitaleve është i nxituar dhe në kundërshtim me nevojën imediate për përmirësimin e qeverisjes së vendit dhe rritjen e besimit të sipërmarrjes.
Ministri i Financave, Ahmetaj, paralajmëroi se do t’i dërgojë për propozim Kuvendit amnistinë e kapitaleve. A është e domosdoshme kjo amnisti në këtë periudhë?
Ekspertët e IPPM-së: Ka një argument mbështetës se janë të shumta bizneset që kanë mospërputhje të shumës së kapitaleve dhe burimeve ligjore përkatëse. Ka shumë arsye pse ndodh kjo. Ndoshta më kryesorja për shkak të informalitetit, ndërsa diferenca që vjen nga burime të zeza, para kriminale, nuk duhet të amnistohet, kjo duhet të qartësohet në ligj. Në disa vende amnistia blihet, që nënkupton se në varësi nga shuma që bëhet korrigjimi, legalizimi apo ligjërimi i burimeve të kapitaleve nga burime të paqarta në burime të veta, kjo diferencë tatohet. Grupimi i diferencave dhe shkalla e tatimit të tyre mbetet një punë e mirëfilltë profesionale e ekspertëve të Ministrisë së Financës dhe nga bashkëpunimi i tyre me asistencën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, si dhe të strukturave të politikave fiskale të Bashkimit Europian. Aplikimi i pagesës për diferencën zbut efektet negative të amnistive që ushqejnë kulturën e mospagimit të taksave. Me anë të kësaj “blerjeje”, biznesi fiton të drejtën që periudha e mëparshme të mos kontrollohet më nga Tatimet, përveç rasteve kur kontrolli i thelluar për vitet e mëparshme është pjesë e një hetimi për çështje kriminale.
Selami Xhepa: Problemi i amnistisë fiskale në vendin tonë është se debatet për të janë ekzagjeruar vazhdimisht, duke filluar që nga viti 1998, duke mbetur një çështje permanente e debatit publik dhe politik. Edhe në rastin më të fundit, në debatet e zhvilluara në vitin 2012, u shtrinë nga një falje fiskale që ka qenë një praktike e përvitshme, me falje detyrimesh e kamatëvonesash për sigurimet shoqërore, mospagime utilitetesh, detyrimesh të prapambetura tatimore e doganore. Në vitin 2012 u tentua të kryhej dhe një amnisti që të përfshinte dhe kapitalin. Duke qenë se çështja ishte disi e komplikuar nga ana ligjore, pasi kërkoheshin ndryshime në Kodin Penal apo ligje që kërkonin 2/3-tat, ajo nuk u miratua, pasi opozita e kohës nuk e pranoi këtë iniciativë. Personalisht mendoj se faljet e herëpashershme që zbatojnë qeveritë janë të dëmshme, sepse nxisin “moral hazard”, praktikat e moszbatimit të disiplinës financiare dhe fiskale nga subjektet, dhe kjo është e dëmshme për të rrënjosur kulturën e ligjit dhe disiplinës ekonomike. Ndërsa sa i takon përfshirjes në amnisti edhe të kapitalit, serish kam qenë dhe mbetem skeptik nëse kjo do të sjellë ndonjë efekt pozitiv ekonomik. Edhe amnistia e realizuar në vitin 2012 nuk pati ndonjë impakt as te depozitat e sistemit bankar, tek investimet private, apo krijimin e sipërmarrjeve të reja.
Zef Preçi: Amnistia e kapitaleve është një ide tashmë “e vjetër” në mjedisin shqiptar, e elaboruar gjerësisht nga qeveria e mëparshme në mandatin e saj të parë. Mendoj se meriton të analizohet me kujdes, por kurrsesi të hidhen hapa të nxituar “ex cathedra” si këto që dëgjojmë këto ditë. Kjo sepse është e vërtetë që në xhepat e popullsisë në formën e likuiditeteve dhe në formën të trupëzuar në asete banimi e biznesesh janë ndoshta më shumë se 10 miliardë euro, por futja e tyre në qarkullimin ekonomik, “çlirimi” i tyre për t’i vënë në dispozicion të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit dhe shndërrimi i tyre në kontribuuese të qëndrueshme në tatime e taksa është një proces i gjatë historik. Ky proces kalon përmes njohjes se mentalitetit sipërmarrës së individëve, përmes “copëtimit” të problemit. P.sh. legalizimi është një hallkë e rëndësishme për formalizimin e “kapitaleve të fjetura”, rritjes së besimit të klasës së mesme e biznesit në tërësi mbi qëndrueshmërinë në kohë të politikave fiskale që ndjek qeveria, sigurimit të një konsensusi të gjerë politik e një shkalle më të lartë të pranueshmërisë shoqërore të masave të tilla, por edhe të asistencës nga ana e institucioneve financiare ndërkombëtare për të garantuar përfitime reale nga ky proces etj.
A janë mjedisi i biznesit dhe qytetarët gati për amnistinë e kapitaleve?
Ekspertët e IPPM-së: Biznesi gjithmonë e kërkon amnistinë, por përdorimi i saj në mënyrë ciklike vërteton moseficiencën e tyre. Përfitimi i biznesit është se ata shpëtojnë nga tatimorët abuzues, që duke e ditur këtë fakt që biznesi i ka jo të përputhura kapitalet e tij me burimet ligjore, e përdor për penalizime, që në thelb nuk synojnë korrigjimin e gabimit, pasi problemi mbetet dhe fshihet, por rishpërndarjen e shumës së gjobave midis dy palëve, biznesit dhe tatimorëve, duke ushqyer abuzivitetin dhe korrupsionin dhe duke ushqyer gërryerjen e burimeve të domosdoshme të të ardhurave buxhetore.
Selami Xhepa: Mendoj se ambienti ekonomik e ligjor në vend ka krijuar hapësira të mjaftueshme edhe deri më sot që firmat të mund të justifikonin investimet e tyre. Shumë sektorë të ekonomisë kanë operuar në kushte bujare të praktikave financiare e kontabël. Prandaj nuk ka qenë e pamundur që fitimet e siguruara edhe në mënyra të dyshimta të mund të kontabilizoheshin dhe të qëndronin si aktive ekonomike të trupëzuara në pasuri kapitale. Është pikërisht për këtë arsye që amnistia e kapitalit, nuk mendoj se do të ketë ndonjë efekt të dukshëm ekonomik. Ndërsa në planin moral, sigurisht që kjo është e kritikueshme. Kur qytetarë që jetojnë në kushte varfërie janë në burg për mospagim të energjisë apo riparim çatie pa leje ndërtimi, ose shitje kokoshkash pa u regjistruar në QKR, është ironike të flasësh për legalizime kapitalesh që mund të jenë krijuar edhe nga veprimtari kriminale. Më duket se politikisht qeveria do ta kishte të vështirë t’ia shesë publikut. Mendoj se vendi nuk ka nevojë për një amnisti të tillë. Edhe faljet e detyrimeve fiskale duhet të jenë shumë të kufizuara dhe me një justifikim shumë të argumentuar para publikut. Përndryshe, nga njëra anë mendojmë se po krijohet shtet dhe rregull, ndërsa, nga ana tjetër, nxisim kulturën e moszbatimit të ligjit dhe shthurje të disiplinës fiskale.
Zef Preçi: Personalisht, nuk mendoj se kushtet e sipërpërmendura që mund të krijonin terren për kryerjen e një amnistie të kapitaleve nuk ekzistojnë në vendin tonë aktualisht. Për më tepër, nëse qeveria do të vazhdojë me “metodën revolucionare të aksioneve”, p.sh. kalimi në fazën e dytë të luftës kundër informalitetit” siç ka premtuar, marrëdhëniet e saj dhe komuniteti i biznesit mbeten të tendosura dhe sundohen nga mosbesimi reciprok në rritje. Është koha të nxirren mësimet e duhura nga dështimi i qeverisë së mëparshme, e cila në kohën e ndërmarrjes së kësaj nisme ligjore vepronte në një mjedis më të favorshëm besueshmërie publike e politike, ligjore dhe institucionale me rritje ekonomike dhe optimizëm të përgjithshëm shumë të madh se qeveria aktuale, dhe përsëri dështoi për shkak të injorimit të faktorëve të përmendur më sipër. Aq më tepër që terreni paraelektoral i vendit tonë paracakton me dështim nisma të tilla që shumë rrallë ndërmerren në ekonomitë e vendeve me ekonomi normale të tregut.
Në rast miratimi, çfarë do t’i sillte sipërmarrjes dhe ekonomisë?
Ekspertët e IPPM-së: E rëndësishme është të eliminohet në maksimum efekti negativ në kulturën e mospagimit të taksave. Pra, në periudhën afatshkurtër duket sikur fiton biznesi, por në periudhën afatmesme dhe afatgjatë duhet të fitojë ekonomia, duke reduktuar konkurrencën abuzive të bizneseve jo të rregullta dhe duhet të fitojë buxheti, duke rritur bazën e mbledhjes së të ardhurave. Rritja e të ardhurave lehtëson stabilitetin e financave publike, lehtëson uljen e deficitit buxhetor dhe borxhit publik dhe krijon premisa për rritjen e financimeve publike për arsimin, shëndetësinë, kohezion social dhe prioritetet e tjera sektoriale.
Selami Xhepa: Siç e thashë, mendoj se ekonomia nuk ka asnjë përfitim nga masa të kësaj natyre, ndërsa shoqëria do të ndihej më keq moralisht nga aplikimi i masave të kësaj natyre.
Zef Preçi: Ndonëse e analizova gjerësisht më sipër, por miratimi i propozimeve për faljet e propozuara, përveçse do të bënin një rregullim të disa parregullsive, p.sh. makinat e çregjistruara, apo bizneset pasive prej një kohë të gjatë etj., do të korrigjojë edhe shkeljet ligjore të vetë Ministrisë së Financave, siç është rasti i gjobës prej 10 mijë lekësh për deklarimin e vonuar të të punësuarve. Siç dihet, rreth 35 mijë biznese janë gjobitur me nga 10.000 lekë, sepse nuk kanë bërë një deklarim “formal-shtesë” në sigurime shoqërore pas regjistrimit të tyre në QKR si të vetëpunësuar. Domethënë? Është rasti kur subjekteve u vihet gjobë bazuar në një udhëzim ministri që bie ndesh me ligjin. Ndërsa për faljen apo amnistinë e kapitaleve, nuk mendoj së janë kushtet sociale, ligjore dhe institucionale, pa folur për ato politike, për të ndërmarrë një nismë të tillë. Çfarëdo hapash të nxituar ligjorë në këtë drejtim përmes Kuvendit aktual, në të cilin është mbipërfaqësuar klasa e pasur dhe oligarkët, kuptohet se problemet që mund të krijohen me legjitimimin e aseteve apo likuiditeteve me origjinë të dyshimtë, që duket se po bëjnë presion apo po “matin pulsin” për hapa të tillë nga qeveria, bien në kundërshtim të hapur me nevojën imediate për përmirësimin e qeverisjes së vendit, për rritjen e besimit publik ndaj institucioneve të shtetit të së drejtës, si dhe me angazhimet e shtetit shqiptar në kuadrin e procesit të integrimit europian të vendit.
DORINA AZO/Panorama/d.i.