Këngëtari i muzikës rep në Gjermani, Denis Cuspert, që ka marrë pjesë në videot propaganduese të grupit militant, Shteti Islamik (IS), është vrarë nga një sulm ajror amerikan në Siri, kanë thënë orët e fundit zyrtarët e Shteteve të Bashkuara. I lindur në Berlin, këngëtari Cuspert dikur ishte i njohur si reper i popullarizuar me emrin “Deso Dogg”.
Por, fokusin e tij ai e ktheu kah islami militant dhe u bashkua me grupin ekstremist në vitin 2012. Ai është vrarë më 16 tetor, së bashku me dy persona të tjerë, kanë thënë zyrtarët.
Në një video propaganduese, Cuspert shihej duke e mbajtur një kokë të prerë, për të cilën ai pretendonte se i takonte një njeriu, që e kishte kundërshtuar grupin militant, Shteti Islamik.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara, që e kishte përfshirë këtë këngëtar në listën e terroristëve në muajin shkurt, tha se Cuspert kishte shërbyer si rekrutues për këtë grup militant, i fokusuar në pjesëtarët gjermanofolës.