Fondet e kredisë private po tërheqin shuma rekord kapitali nga investitorët e zakonshëm, duke kompensuar ngadalësimin nga institucionet e mëdha, ndërsa individët e pasur po joshen nga kthimet më të larta që ofrohen.
Investitorët individualë të pasur në SHBA kanë investuar 48 miliardë dollarë në fondet e kredisë private vetëm në gjysmën e parë të këtij viti, duke kaluar tashmë totalin e vitit 2023 dhe janë rrugës për të kaluar edhe rekordin prej 83.4 miliardë dollarësh të vendosur në vitin 2024, sipas bankës së investimeve “RA Stanger”.
Edhe investitorët evropianë po hyjnë fuqishëm në këtë treg, me asete në fondet e ashtuquajtura të borxhit privat “të përhershme” (evergreen) që janë më shumë se dyfishuar në një vit, duke arritur në 24 miliardë euro në fund të qershorit, sipas firmës konsulente “Novantigo”.
Këto prurje theksojnë rëndësinë në rritje që grupet e mëdha të investimeve private po i kushtojnë individëve, me analistët e agjencisë së vlerësimit “Moody’s” që e quajnë këtë “një nga kufijtë më të mëdhenj të rritjes në industri”.
Kjo gjithashtu përfaqëson vetëm majën e ajsbergut për grupet që kanë lobuar fort për të hapur tregun më të gjerë të pensioneve në SHBA ndaj kapitalit dhe kredisë private, një përpjekje që kulmoi me urdhrin ekzekutiv të presidentit Donald Trump në gusht, i cili hapi rrugën për përfshirjen e tyre më të gjerë në planet pensionale 401(k).
“Rritja po vjen nga një treg që është ende shumë pak i eksploruar,” tha Brad Marshall, kreu i kredisë private në “Blackstone”.
“Tregjet private ofrojnë një premium në krahasim me ato që mund të marrin investitorët në tregjet publike.”
Mbledhja e fondeve në formatet tradicionale të fondeve të kredisë private është ngadalësuar, në të njëjtën kohë me një rënie më të madhe në industrinë e blerjeve me borxh, e cila ka pasur vështirësi për t’u kthyer kapitalin investitorëve që nga pandemia e Covid-19 dhe për pasojë ka pasur më pak prurje.
Të dhënat nga “Preqin” tregojnë se mjetet e kredisë private të dizajnuara për investitorët e mëdhenj, përfshirë fondacionet dhe fondet e pensioneve, kanë mbledhur gjithnjë e më pak kapital çdo vit që nga kulmi i arritur në vitin 2021.
Në të kundërt, kontributet nga individët e pasur janë përshpejtuar. Ato janë shpërndarë në disa struktura të ndryshme, gjë që e bën të vështirë krahasimin midis firmave. Të dhënat e “Stanger” fokusohen në kompanitë e zhvillimit të biznesit që nuk tregtohen publikisht, si dhe në fondet “intervale“, të cilat ofrojnë tërheqje në periudha të caktuara. Këto njihen kolektivisht si fonde “evergreen”, sepse nuk kanë një datë përfundimi. Investitorët mund të vazhdojnë të shtojnë para në to.
Prurjet në këto fonde mbetën të qëndrueshme gjatë luhatjeve të tregut në fillim të këtij viti, pas fillimit të tarifave të reja të Trump-it ndaj shumicës së partnerëve tregtarë të SHBA. Kjo ka forcuar besimin se kërkesa nga individët është e qëndrueshme dhe se investitorët më të vegjël nuk do të nxitojnë të tërheqin paratë që në shenjën e parë të pasigurisë.
“Kjo e përforcoi atë që donim të shihnim, njerëzit që nuk largohen nga alternativat, por i shohin ato si opsione të qëndrueshme,” tha John Sweeney, që drejton zgjidhjet për pasurinë në “Brookfield”.
“Blackstone” e ka dominuar këtë treg prej kohësh, megjithëse po përballet me konkurrencë në rritje nga rivalët si “Apollo Global Management”, “Blue Owl”, “Ares Management” dhe “HPS Investment Partners” e “BlackRock”.
Fondi i kredisë private i “Blackstone”, i njohur si “Bcred”, ka tërhequr 6.5 miliardë dollarë deri tani këtë vit dhe 11.7 miliardë në 12 muajt e fundit. Në një ditë të zakonshme tregu, investitorët individualë vendosin më shumë se 50 milionë dollarë urdhra për këtë fond, sipas të dhënave të “Stanger”, duke e vendosur në krye të tregut.
Këto prurje, të shumëzuara edhe me përdorimin e levës financiare, e kanë rritur madhësinë e fondit “Bcred” me më shumë se 50% në dy vitet e fundit, duke arritur në 73 miliardë dollarë në qershor.
Edhe të tjerët po e arrijnë. Oferta e “Apollo – Apollo Debt Solutions” ka mbledhur 6.4 miliardë dollarë në 12 muajt e fundit, ndërsa dy fonde të mëdha nga “Blue Owl” kanë tërhequr rreth 7 miliardë. Oferta kryesore e “Ares” për individët e pasur, “Ares Strategic Income Fund”, ka mbledhur 5 miliardë dollarë.
Dhe një firmë më e vogël menaxhimi investimesh, “Cliffwater”, ka fituar pjesë të mëdha të tregut mes menaxherëve të pavarur të pasurisë. Fondi i saj ka garuar kokë më kokë me “Blackstone”, duke mbledhur gati 11 miliardë dollarë në vitin e fundit, dhe tani ka kaluar 30 miliardë.
“Blackstone” ishte ndër të parët që u fut fuqishëm në zyrat e menaxhimit të pasurisë, duke i ofruar produkte firmave të mëdha si “Morgan Stanley” dhe “UBS”, si dhe këshilltarëve të pavarur që ndikojnë në mënyrën se si miliona amerikanë kursejnë për pension.
Kjo solli një dominim pothuajse total të produktit të saj në mesin e “BDC”-ve që nuk tregtohen publikisht, duke zënë gati 90% të tregut në vitin 2021, sipas “Stanger”. Edhe pse vazhdon të jetë zgjedhja kryesore për menaxherët e pasurisë, kjo pjesë ka rënë në 28% për mjetet e ngjashme, për shkak të lançimit të shumë fondeve të reja.
Raj Dhanda, drejtues global i menaxhimit të pasurisë në “Ares”, tha se menaxherët e pasurisë kanë kërkuar të zgjerojnë gamën e fondeve që mund t’ua ofrojnë klientëve, pasi pjesa e “Blackstone” në treg “ishte ndoshta tepër e lartë”.
Megjithatë, ai theksoi se janë ende vetëm një grup i vogël menaxherësh alternativë globalë që tërheqin investitorët. “Pas një grupi të vogël të menaxherëve kryesorë alternativë globalë, prurjet bien ndjeshëm,” tha ai.
Edhe tregjet private në Europë po përjetojnë një bum nga interesimi i investitorëve individualë, duke nxitur një valë të re fondesh të lançuar në të gjithë kontinentin. “Novantigo” numëron 37 fonde “evergreen” të kredisë private në treg, nga vetëm 6 në vitin 2022. “Ares” dhe “Blackstone” janë duke mbledhur fonde, dhe “HPS” është në procesin e lançimit të një mjeti të vetin, sipas një dokumenti.
Vetë kredia private është bërë pjesë e rrjedhjes kryesore pasi rregulloret e pas krizës e kufizuan huadhënien nga sistemi tradicional bankar. Menaxherët e mëdhenj të aseteve hynë në këtë boshllëk, duke dhënë hua direkt për biznese dhe konsumatorë.
Rritja e shpejtë e investimeve ka shkaktuar shqetësim te disa brenda industrisë, edhe pse tarifat e tyre të menaxhimit janë rritur. Këto investime janë shtuar paralelisht me një ngritje të përgjithshme të tregut, gjë që ka sjellë konkurrencë të fortë mes investitorëve në kreditë private dhe ato të shpërndara nga bankat. Kjo ka ndikuar negativisht te fitimet, pasi huadhënësit privatë po konkurrojnë ashpër për të siguruar marrëveshje.
“Është një mjedis i vështirë investimi i shtyrë nga mospërputhja mes kërkesës dhe ofertës për kapital,” tha Joshua Easterly, drejtues i lartë në “Sixth Street”, në një telefonatë për fitimet këtë verë.
“Konkurrenca është në nivele të larta dhe po bëhet gjithnjë e më e vështirë të gjenerosh kthime të larta.”











