Nga The Economist
Gjatë luftës në Irak, familja e Sulejmanit bashkëpunoi me ushtrinë amerikane në Mosul. Ata punuan si përkthyes. Kur Shteti Islamik mori qytetin nën kontroll – dhe luftëtarët e tij u vunë në kërkim të tyre nëpër qytet – ata u larguan drejt lindjes, në Erbil, para se Shteti Islamik të mbërrinte edhe atje. Sulejmani (emri nuk është emri i tij i vërtetë) ndodhet tashmë në Aman, Jordani, në pritje të statusit të refugjatit. Pa një vizë pune, atij po i mbarojnë edhe paratë. “Dikush duhet të më thotë nëse duhet të shkoj në burg, në ferr apo të iki në SHBA”, thotë ai.
Për irakianët që përpiqen të shkojnë në Amerikë si refugjatë, historia e Sulejmanit është tipike. Në javën e parë të punës si president, Donald Trump firmosi urdhrin e ndalimit të udhëtimit, duke pezulluar pranimin e refugjatëve për 120 ditë, çka i hodhi në erë planet e udhëtarëve dhe shkaktoi protesta masive. Më pas, urdhri i ndalimit u tërhoq dhe rikthye disa herë, ndërsa përballej me gjykatat. Varianti i tretë, i cili është ende në fuqi, do të sfidohet në Gjykatën e Lartë javën e ardhshme. Ai tashmë ka pasur një ndikim drastik në pranimet e refugjatëve.
Në vitin fiskal 2018, i pari i mbyllur nga administrata Trump, Amerika po shkon drejt strehimit të vetëm 20 800 refugjatëve sipas llogaritjeve të “The Economist” – një reduktim në masën 61% në krahasim me vitin e mëparshëm dhe më pak se asnjëherë tjetër që prej vitit 1980, kur u aplikua për herë të parë sistemi modern i pranimeve.
Ata që përpiqen të largohen nga Siria, ku Amerika, Britania dhe Franca kanë bombarduar së fundmi pas sulmit kimik të qeverisë mbi civilët, po përballen me vështirësi edhe më të mëdha. Nëse 6557 sirianë u pranuan në vitin 2017, vetëm 44 janë pranuar deri tani për 2018-n. Kërkesat për pranim nga Iraku, Somalia dhe Irani janë refuzuar.
Gjatë fushatës së tij, Trump propozoi “mbylljen e plotë për myslimanët që tentojnë të hyjnë në SHBA”. Ai duket se po punon me vendosmëri në këtë drejtim. Nga viti 2013 deri në 2017-n, myslimanët përbënin 415 të refugjatëve të pranuar. Por në vetëm gjysmën e vitit fiskal në të cilin jemi, ata nuk janë më shumë se 17%.
Edhe pakicat fetare të vendeve myslimane, si Bahais-ët e Iranit dhe Yazidi-t e Irakut janë prekur nga ndryshimi i politikave, duke u përballur me reduktimin e pranimeve në masën 98%. Pranimet e të krishterëve, të cilat janë pothuajse të barabarta me ato të myslimanëve në vitet e mëparshme, tani janë rritur në 58% të të gjithë refugjatëve që vijnë.
Arsyeja e pranuar për rënien e pranimeve është mbrojtja e sigurisë kombëtare përmes, siç e quan zoti Trump, “vetingut ekstrem”. Masat shtesë janë mbajtur të paqarta. Nën administratën Obama, procedurat e shqyrtimit ishin të vështira, duke përfshirë edhe kontrolle të vazhdueshme të të të kaluarës së aplikantëve, gjurmët e gishtërinjve dhe skanimet e irisit. Por nën administratën Trump, procesi është bërë akoma më i vështirë.
Në këtë aspekt, vetingu ekstrem ka qenë efektiv. Një studim i kryer nga Cato Institute, zbuloi se shkalla e dështimit të vetingut, pra kur një person me prirje për terrorizëm i kalon këto verifikime dhe hyn në SHBA për të kryer një krim, është jashtëzakonisht e ulët: 1 në 29 milionë. Po ashtu, sipas të njëjtit studim, shanset që një amerikan të vdesë në duart e një terroristi të pranuar si refugjat në SHBA janë 1 në 328 milionë.
Ndryshimet burokratike gjithashtu po ngadalësojnë fluksin e refugjatëve. Për t’u pranuar, një aplikues duhet të skanohet personalisht nga agjentë të Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Por ky department, për shkak të politikave të reja, shpesh i ka lënë në harresë aplikantët. Kontrollet mjekësore dhe ato të së shkuarës së aplikantëve skadojnë pas njëfarë kohe, duke bërë që procesi të rifillojë nga e para.
“Edhe pa urdhrin e ndalimit, ka plot mënyra të tjera për ta ngadalësuar këtë proces”, thotë Bill Frelick, drejtor i programit për refugjatët në Human Rights Watch.
Sipas ligjit amerikan, dega ekzekutive ka pothuaje të gjithë autoritetin mbi politikat e pranimit të refugjatëve. Me një përfshirje minimale të Kongresit, presidenti mund të vendosë një shifër tavan për pranimin vjetor të refugjatëve.
P.sh. Trump e ka çuar në 45 mijë, shifra më e ulët ndonjëherë, pra numri aktual do të jetë më pak se gjysma.
Përsa kohë Shtëpia e Bardhë nuk artikulon qartë politikën e përjashtimit, shanset që ankimimet në gjykatë të fitojnë janë të vogla.
“Ata kanë gjetur një mënyrë ligjore për të mbajtur në këmbë ndalimin e hyrjes së myslimanëve”, thotë Mark Hetfield, president i HIAS, agjenci e strehimit të refugjatëve. “Ata e kanë kuptuar se mund ta përdorin vetingun për sigurinë për të mbajtur cilindo prej refugjatëve jashtë SHBA-së”, thotë ai. /Përgatiti: Gazmira Sokoli/