Ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri, Z. Murat Ahmet Yörük, në një intervistë për emisionin “Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri në News24 flet për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Turqisë dhe Shqipërisë, marrëdhënie që do të përkthehen edhe në investime shumë cilësore. Sipas ambasadorit turk, Shqipëria ka një potencial shumë të fuqishëm për turizëm. Por po të krahasohet me vendet përreth saj, pjesa e të ardhurave nga turizmi është shumë e ulët.
Një pikë kthese për turizmin ai cilësoi projektin e aeroportit të Vlorës, projekt i marrë përsipër nga një konsorcium i fuqishëm turk, i përbërë nga tri kompani, i cili po ndërton edhe aeroportin e ri të Stambollit. “Këto kompani janë ndër kompanitë turke më profesioniste, që bëjnë punime të nivelit më të lartë në fushën e arkitekturës dhe të ndërtimit.
Z. Ambasador, ju e keni marrë zyrtarisht detyren në janar. Besoj gjatë kësaj periudhe duhet të keni pasur rastin ta vizitoni Shqipërinë. Si po ndjeheni këtu?
Dëshiroj të theksoj se për mua është një nder dhe përgjegjësi e madhe të jem Ambasador i Turqisë në një vend mik dhe vëlla, ku jam emëruar me miratimin e Presidentit tonë Zotit Recep Tayyip Erdoğan dhe të Qeverisë sonë. Pak kohë pas shpalljes së Republikës së Turqisë, brenda vitit 1923 ne hartuam “Marrëveshjen e Përjetshme të Miqësisë dhe të Bashkëpunimit” me disa vende, njëri nga të cilët ishte Shqipëria, të cilën ne e vleresojmë si fqinje të zemrës. Unë dëshiroj të vizitoj të gjithë këtë vend të bukur më bukuri të rralla natyrore në Evropë dhe në Mesdhe, të gjithë qytetet ku banojnë njerëz simpatikë, të gjitha krahinat nga Korça në Dibër, nga Saranda në Kukës, nga Mirdita në Berat, nga Vlora në Delvinë. Dëshiroj të takohem me vëllezërit tanë shqiptarë. Ndonëse detyrën time këtu e kam filluar në muajin janar, deri tani kam vizituar qytetet më të bukura të Shqipërisë dhe të Ballkanit, siç janë Elbasani, Durrësi dhe Shkodra, qytete me bukuri natyrore, me vlera njerëzore dhe kulturore. Kam mbetur i habitur nga këto qytete me civilizim dhe personalitet të lartë, njëri më i ndryshëm nga tjetri. U bëra dëshmitar i faktit se sa ngjajnë me njëra-tjetrën kultura shqiptare dhe kultura turke. Udhëtimin e parë në Shqipëri jashtë Tiranës e bëra më 1 shkurt 2018 në Belsh, në këtë qytet të bukur buzë liqenit, dhe në Elbasan. Në Belsh bashkë me kryetarin e bashkisë, deputetët e Elbasanit, prefektin e Elbasanit, banorët dhe fëmijët e zonës morëm pjesë në ceremoninë e përurimit të kopshtit, i cili u rikonstruktua dhe u pajis me mobilje falë ndihmës së vendit tonë. Ndërkaq dëshiroj të kujtoj se ka qenë elbasanas Sedefqar Mehmedi (Sedefqar Mehmet Aga), arkitekti i Xhamisë Sulltan Ahmet ose e njohur edhe si Xhamia Blu, e cila është një ndër xhamitë më të bukura të Stambollit, madje dhe të botës. Ai është një ndër arkitektët gjenialë të rëndësishëm që përgatiti Arkitekt Sinani. Në kohën e tij u ndërtuan vepra tepër të veçanta. Nga burimet historike dihet se Sedefkar Mehmet Aga në kohën e tij ndërtoi xhami, hamamë dhe çezme me emrin e tij. Por fatkeqësisht këto vepra historike, që ishin pasuri e Shqipërisë, bashkë me shumë vepra të tjera historike në të gjithë vendin, u shkatërruan pa mëshirë në periudhën e Enver Hoxhës. Përshtypje të mëdha më ngjallën edhe dy vizita në qytetin e Shkodrës ku ndodhet Monumenti i Hasan Riza Pashës, mbrojtësit të Shkodrës dhe heroit tonë të përbashkët. Ky monument është i vetmi objekt i kushtuar dëshmorëve turq në Shqipëri. Gjatë vizitës sime të parë në Shkodër, bashkë me zëvendëskryeministren Senida Mesi,vizitova Xhaminë e Plumbit, e cila është një ndër veprat historike më impresionuese në Shkodër dhe vazhdon të rezistojë megjithë përmbytjet që ndodhin prej shumë vitesh. Ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën, bashkë me zonjën Mesi u dhamë shkodranëve sihariqin se Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfëve të Turqisë ka marrë përsipër projektin për restaurimin e Xhamisë së Plumbit dhe për ruajtjen e saj nga përmbytjet e mundshme. Meqenëse po flasim për përmbytjet, jemi në dijeni se reshjet e shumta që po vazhdojnë prej dy javësh kanë shkaktuar fryrje të lumenjve dhe përmbytje në rajonin e Shkodrës në veri të vendit. Për të mbështetur likuidimin e dëmtimeve të shkaktuara nga përmbytjet, unë jam në kontakt dhe në bashkëpunim të ngushtë si me zëvendëskryeministren zonjën Senida Mesi, edhe me Kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, zonjën Voltana Ademi. Ashtu siç ka ndodhur gjithmonë, edhe vëllezërve tanë shkodranë u zgjatëm dorën e ndihmës, si shprehje e frymës së solidaritetit midis Turqisë dhe Shqipërisë. Më datë 24 mars, ne u dërguam familjeve të lënduara 50 ton ushqime për bagëtitë dhe paketa ushqimore për 2500 persona. Bashkë me ekipin tonë të TIKA-s në Tiranë unë isha në Shkodër për shpërndarjen e ndihmave. Ne si Republikë e Turqisë jemi të gatshëm me sa kemi mundësi që t’u japin çdo lloj mbështetjeje vëllezërve tanë shqiptare kur ndodhen në ditë të vështira. Edhe në të ardhmen unë do të vizitoj qytetë të tjera për t’u njohur me administratën lokale, për të realizuar veprimtari të përbashkëta kulturore me ta, për të studiuar fushat e bashkëpunimit ekonomik, për të parë mundësitë që ata u ofrojnë investitorëve tanë, me fjalë të tjera për të gjetur mundësitë se si do të mund të kontribuojmë për punësimin dhe mirëqenien e banorëve të këtyre qyteteve.
Falë lidershipit dhe vullnetit politik të Presidentit tonë Zotit Recep Tayyip Erdogan dhe Kryeministrit tuaj Zotit Edi Rama, të cilët u takuan para disa ditësh në Stamboll, unë fillova detyrën time duke pasur si objektiv të çoj në nivele më të larta, të diversifikoj dhe të thelloj marrëdhëniet tona të përkryera midis vendeve tona në fushat politike, ekonomike-tregtare, kulturore, ushtarake dhe në të gjitha fushat e tjera. Unë dhe të gjithë kolegët e mi të punës jemi shumë të vendosur për t’i arritur këto objektiva. Megjithëse marrëdhëniet tona janë të përkryera, marrëdhëniet ekonomike-tregtare midis të dy vendeve nuk pasqyrojnë potencialin e tyre të vërtetë. Ne dëshirojmë që investimet e sotme në Shqipëri me vlerë 2,7 miliardë dollarë t’i diversifikojmë dhe të thellojmë projekte konkrete dhe vizionare që do të kontribuojnë për mirëqenien dhe punësimin e të dy vendeve. Ne synojmë që vëllimin e tanishëm tregtar më Shqipërinë nga 460 milionë euro të shkojë në një miliard euro, numri i shoqërive me kapital turk nga 400 në dyfishin e kësaj shifre dhe numri i të punësuarve në kompanitë turke nga 11.000 në 50.000 persona. Në këtë mënyrë ne kemi për qëllim të kontribuojmë për fuqizimin e ekonomisë shqiptare, rritjen e punësimit dhe të mirëqenies së shqiptarëve. Gjithashtu unë dëshiroj sinqerisht që marrëdhëniet dhe kontaktet tona kulturore me rrënjë të thella në shekuj t’i forcojmë me veprimtari kulturore reciproke dhe të nxjerrim më shumë në pah aspektet tona të përbashkëta që me të vërtetë janë shumë. Nuk kam dyshim se të gjitha këto përparësi që kemi do t’i konkretizojmë me më shumë efektivitet falë projekteve dhe punëve që do t’i realizojmë së bashku me institucionet tona siç janë TIKA dhe Instituti Junus Emre. Unë synoj që vëllezërve tanë shqiptarë, çdo muaj në Tiranë dhe në qytete të tjera, t’u krijojmë mundësinë për të ndjekur veprimtari kulturore që do të ngjallin interes dhe do të pëlqehen prej tyre. Për shembull, me rastin e Festës së Sovranitetit Kombëtar dhe të Fëmijëve që është festë zyrtare më 23 prill në vendin tonë, ne do të sjellim në Tiranë Orkestrën Simfonike të Fëmijëve të përbërë nga 70 vetë. Ata janë fëmijë të muzikantëve turq. Fëmijët e orkestrës sonë, bashkë me vëllezërit e tyre shqiptarë, do të interpretojnë edhe këngë shqiptare të preferuara. Ftoj në këtë veprimtari, e cila do të jetë pa pagesë, të gjithë fëmijët e Tiranës dhe familjarët e tyre.
I keni shfrytezuar këto pak muaj për të takuar zyrtarët më të lartë në vend. Cilat kanë qënë temat e diskutimit me ata?
Takimet që kam zhvilluar në kuadrin e vizitave të kortezisë me personalitete të larta politike dhe zyrtarë të nivelit të lartë të ekzekutivit, ashtu siç kam pritur, kanë kaluar në një atmosferë të përzemërt dhe miqësore, ku është folur për objektiva konkrete drejt bashkëpunimit. E kam ndjerë veten si në shtëpinë time, mes miqve dhe të afërmëve të mi. Pa dyshim që ambasadorët në Turqi dhe ambasadorët shqiptarë në Turqi gjithmonë kanë pasur një vend tepër të veçantë. Por kjo na ngarkon me një përgjegjësi krejt të veçantë si mua, edhe ambasadorin tuaj në Ankara, mikun tim Genti Gazheli. Motivimi dhe energjia pozitive që kanë shprehur bashkëbiseduesit e mi, për të cilët kam vërejtur se janë të hapur ndaj bashkëpunimit, siguria dhe mirësia që ndjen opinioni publik shqiptar për vendin tonë, tregojnë se ato që kemi bërë deri tani nuk janë të mjaftueshme dhe se ne duhet të punojmë edhe më shumë. Ndonjëherë mua dhe ekipit tim nuk i mjaftojnë 24 orë për të çuar më përpara këtë afërsi që buron nga pozicioni i veçantë i marrëdhënieve midis dy vendeve tona dhe nga miqësia e privilegjuar mes popujve tanë. Ne e duam Shqipërinë, i duam shqiptarët. Mendoj se ato që bëjmë janë edhe më efektive sepse burojnë nga thellësia e zemrës sonë dhe dashuria e sinqertë që ushqejmë për vëllezërit tanë shqiptarë.
Z. Ambasador, Turqia konsiderohet një partner strategjik për Shqipërinë. Si shihet kjo në Ankara dhe në çfarë niveli dëshironi të shihni marrëdhëniet mes dy vendeve tona?
Ne e shikojmë Shqipërinë si një vend kyç për paqen, stabilitetin dhe qetësinë e Ballkanit dhe të Evropës. Ndiejmë një kënaqësi të madhe që Shqipëria e ka shpallur vendin tonë si partner strategjik.
Kjo është shprehje e asaj që dihet. Turqia dhe Shqipëria janë dy vende miq dhe vëllezër të besuar që mbështesin reciprokisht njëri-tjetrin, që zhvillojnë një bashkëpunim të ngushtë në fushat ekonomike, kulturore, shoqërore dhe çdo fushë tjetër. Në frymën e këtij besimi dhe mirëkuptimi reciprok, ne dëshirojmë që marrëdhëniet tona të zhvillohen në mënyrë të shëndetshme me vizita të nivelit të lartë dhe teknike, brenda këtij viti të marrin një dimension tjetër duke u krijuar “Këshilli i Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë”. Me fjalë të tjera, duke organizuar mbledhje të përbashkëta të dy qeverive dhe nëpërmjet mekanizmave të drejtpërdrejta midis Ministrive tona mbi baza sektoriale, ne parashikojmë t’i japim një vrull bashkëpunimit tonë dhe ta thellojmë atë.
Marrëdhëniet politike dhe kulturore duken mjaft të mira. Në nivelin e bashkëpunimit ekonomik, për shembull, duket se ka vend për më shumë punë. A e ndani këtë mendim?
Siç thashë edhe pak më parë, investitorët turq janë ndër investitorët me të mëdhenj në Shqipëri. Sipas INSTAT-it, institutit zyrtar të statistikave në Shqipëri, në vitin 2017 vendi ynë ishte partneri i dytë më i madh importues i Shqipërisë. Por nëse do të kihen parasysh potencialet tona, këto nuk janë të mjaftueshme. Shqipëria është një vend ku mund të hapin dritaret e shanseve të mëdha në turizëm, energji, infrastrukturë, miniera, bujqësi, dhe fusha të tjera, gjithmonë reciprokisht në të mirë të interesave të të dy vendeve. Shqipëria është një vend edhe me një fuqi punëtore të re dhe të arsimuar, e cila mund t’i vërë në lëvizje këto pasuri. Fakti që të rinjtë tuaj njohin gjuhën turke është një avantazh shumë i rëndësishëm që ata të punojnë në kompanitë turke në Shqipëri. Këto burime dhe kapacitete njerëzore të Shqipërisë janë mundësi të rëndësishme për investitorët e mëdhenj të vendit tonë, i cili është ndër 20 vendet e para me ekonomi dinamike dhe më të zhvilluar në botë. Sipërmarrësit tanë që investojnë në Shqipëri, njëlloj si unë, e ndiejnë veten si në shtëpinë e tyre. Që nga fillimi i detyrës sime, unë i inkurajoj investitorët tanë të rinj që të bëjnë investime në Shqipëri. Në të ardhmen, falë veprimtarive promovuese që do të organizojmë si në Shqipëri edhe në Turqi, si dhe me nxitjen e Ambasadës sonë, ne do të synojmë të sjellim më shumë investitorë në Shqipëri. Unë kam pretendime në këtë fushë dhe të gjithë së bashku do t’ia dalim mbarë.
Prej disa muajsh, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka folur për një investim turk qe ka te beje me aeroportin e Vlorës. Cfarë mund të dimë për investitorin dhe kur pritet te nise puna për këtë vepër?
Shqipëria ka një potencial shumë të fuqishëm për turizëm. Por po të krahasohet me vendet përreth saj, pjesa e të ardhurave nga turizmi është shumë e ulët. Po të shikojmë bukuritë gjeografike, bregdetin e pastër dhe madhështor, pasuritë historike-kulturore të Shqipërisë, duket qartë se situata e lartpërmendur nuk është e drejtë për Shqipërinë. Sipas meje, Shqipëria është perla e papërpunuar e Mesdheut, Adriatikut dhe Ballkanit. Njera nga pengesat më të mëdha për vënien në jetë të këtij potenciali në Shqipëri janë nevojat në fushën e transportit. Të gjithë e dimë se në vendet përreth Shqipërisë, madje në ishuj dhe qytete të vogla ka aeroporte. Për pasojë, natyrisht që kjo ecuri nuk do të vazhdojë pafundësisht për Shqipërinë. Duket qartë se duhet filluar diku. Në përfundim të studimeve shkencore për fizibilitetin, ne përcaktuam se pika më e përshtatshme për një fillim të tillë është Vlora. Vlora është një pikë kryqëzimi për turizmin dhe qyteti me ndoshta bregdetin më të bukur në Ballkan. Ne e dimë se aeroporti që do të ndërtohet në Vlorë do të luajë rolin e dinamos në shpërthimin e turizmit në vend. Aeroporti i Vlorës është marrë përsipër nga një konsorcium i fuqishëm turk, i përbërë nga tri kompani, i cili po ndërton aeroportin e ri të Stambollit që do të jetë aeroporti më i madh në botë me një kapacitet prej 200 milionë udhëtarësh në vit. Këto kompani janë ndër kompanitë turke më profesioniste, që bëjnë punime të nivelit më të lartë në fushën e arkitekturës dhe të ndërtimit. Nuk është e vështirë të parashikosh se ky projekt do të nxitë edhe projektet e tjera infrastrukturore dhe investimet në rajon dhe për pasojë do të luajë një rol serioz në zhvillimin e Shqipërisë. Në bashkëpunim më Qeverinë Shqiptare, ne jemi të gatshëm edhe për të gjitha projektet e tjera infrastrukturore. Duke u eliminuar mangësitë infrastrukturore të Shqipërisë, ne dëshirojmë me gjithë zemër të luajmë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e saj. Edhe ne lumturohemi kur vëllezërit tanë shqiptarë kanë rrugë moderne, tunele, ura, hidrocentrale, spitale dhe shkolla. Ne besojmë se vëllezërit tanë shqiptarë, që kanë duruar në vite pasojat traumatike të komunizmit dhe që kanë vuajtur shumë, meritojnë më të mirën.
A parashikohen projekte të tjera investimesh turke, për shembull në sektorin e arsimit?
Arsimi është një fushë tjetër që zë një vend të rëndësishëm në bashkëpunimin midis të dy vendeve. Fatkeqësisht, menjëherë pas rënies së regjimit te egër komunist që zgjati thuajse gjysmë shekulli në Shqipëri, organizata terroriste tradhtare dhe e maskuar e quajtur FETO, kjo vegël e forcave globale, shtiu në dorë sektorin e arsimit në Shqipëri dhe ende vazhdon. Ju lutem nuk duhet të harroni se FETO, kur e shikon të arsyeshme dhe sipas udhëzimeve që merr, është një organizatë terroriste që mund të krijojë kaos politik në vendin ku ndodhet dhe të shkatërrojë rendin kushtetues. Ne këtë e jetuam më 15 korrik. Më 15 korrik 2016 në Turqi u rrëzuan të gjitha maskat e FETO-s atje ku zhvillonte veprimtari, në arsim, shëndetësi, financë dhe media. Trutë e shpëlarë nga organizata tradhtare dhe e pamëshirshme vetëm brenda një natë masakruan 250 persona. Mijëra shtetas turq u plagosën ose ngelën invalidë.
Prandaj këto grupime pretendojnë se janë shkolla turke dhe që veprojnë nën maskën e arsimit, nuk kanë asnjë lidhje me të qenit turk, me myslimanizmin dhe me ndonjë vlerë tjetër të shenjtë apo morale. Ata nuk mund të përdorin flamurin turk apo simbole të tjera turke as në Shqipëri dhe as në ndonjë vend tjetër ku ndodhen. Natyrisht që një ndër objektivat tonë përparësorë në Shqipëri është që të sjellim në Shqipëri cilësinë arsimore të vendit tonë. Në këtë kuadër kemi filluar veprimet e nevojshme. Urojmë që institucionet e vërteta arsimore turke, pa qëllime fitimi, të jenë pranë popullit mik e vëlla shqiptar. Nuk do të lejojmë që vëllezërit tanë shqiptarë të kenë nevojë për institucionet arsimore të strukturës tradhtare. Fondacioni Arsimor Maarif i Turqisë, i krijuar me një ligj të posaçëm, ka hapur shumë shkolla në shumë vende të botës, përshirë Kosovën, dhe ka realizuar një hap të rëndësishëm. Brenda një kohe shumë të shkurtër edhe në Shqipëri do të marrim një shkollë, e cila do të menaxhohet nga Fondacioni Maarif i Turqisë. Kjo shkollë do të sigurojë një shërbim arsimor me cilësi të lartë, me standarde ndërkombëtare, e integruar me botën dhe e përshtatshme për buxhetin e vëllezërve tanë shqiptarë. Uroj që sihariqin për këtë ta ndaj në një kohë shumë të afërt me opinionin publik shqiptar.
Z. Ambasador, le të flasim për një çështje që konsiderohet mjaft e ndjeshme për Turqinë, operacionin ushtarak në Afrin në veri të Sirisë. Ky operacion po vazhdon prej disa javësh. Cfarë synon të arrijë Turqia në këtë drejtim? Cili është qëllimi?
Para së gjithash dëshiroj të theksoj se Operacioni Dega e Ullirit nuk është një operacion kundër civilëve të pafajshëm ose vëllezërve tanë kurdë. Është një operacion kundër PKK-së, e cila duke u fshehur pas vëllezërve tanë kurdë, por në fakt duke i dhunuar edhe ata, përpiqet për interesat e veta politike dhe ekonomike, si dhe zgjatimt të PKK-së siç është PYD/YPG. Operacioni Dega e Ullirit synon të pastrojë rajonin nga terrori, të shpëtojë popullsinë e rajonit nga presionet dhe dhuna, t’i sigurojë rajonit qetësi, paqe, siguri dhe stabilitet. PYD/YPG janë zgjatime në Siri të organizatës terroriste PKK, e cila është në Listën e terrorit të Bashkimit Europian, SHBA-ve dhe NATO-s, dhe përbëjnë një kërcënim të hapur dhe të afërt ndaj sigurisë kombëtare të vendit tonë. Para se të fillonte Operacioni Dega e Ullirit, qindra raketa nga pozicionet e PYD/YPG-së kanë qëlluar në kufijtë e vendit tonë, në qytezat, fshatrat dhe fushat ku banojnë shtetasit tanë. Fatkeqësisht, vetëm gjatë vitit 2017 si pasojë e këtyre sulmeve kanë humbur jetën me qindra shtetas turq. Edhe në fillim të operacionit sulmet e tyre me raketa shkaktuan të vdekur dhe të plagosur në xhamitë dhe djepat e fëmijëve në Kilis, në Rejhanli. Madje kampet e refugjatëve ku ndodhen civilët edhe brenda në Siri janë nën zjarrin dhe kërcënimet e PYD/YPG-së. Duket qartë se PYD/YPG është një organizatë e egër dhe kriminale terroriste.
Ne jemi në gjendje lufte në terren kundër të gjitha organizatave terroriste që ushqehen nga mungesa e autoritetit në Siri. Vitin e kaluar gjatë Operacionit Mburoja e Firatit që zhvilluam kundër DAESH-it ranë dëshmorë 73 ushtarakë. Edhe gjatë Operacionit Dega e Ullirit, deri tani 65 ushtarakë kanë rënë dëshmorë. Turqia, si brenda territorit të saj, ashtu edhe jashtë territorit të saj, do të vazhdojë luftën kundër DAESH-it, PKK-së dhe zgjatimeve të saj në Siri siç është PYD/YPG, dhe kundër FETO-s, do të luftojë për sigurinë kombëtare, për të ardhmen e vendit, për të drejtën për te jetuar dhe për sigurinë e popullit tonë. Në këtë këndvështrim duhet trajtuar edhe operacioni që po zhvillojmë kundër PYD/YPG-së. Kritikat që përpiqen të devijojnë qëllimin tonë janë plotësisht pa bazë. Ato janë vetëm gënjeshtra. Gjithashtu është absurd pretendimi se Operacioni Dega e Ullirit ka dobësuar luftën kundër DAESH-it. Turqia është një ndër vendet ku organizata terroriste DAESH ka kryer më shumë aksione. Turqia është vendi që ka zhvilluar luftën më efektive, më të sinqertë dhe më të vendosur kundër DAESH-it, është vendi që i ka dhënë goditjet më të mëdha DAESH-it. Dihet edhe numri i dëshmorëve tanë gjatë Operacionit Mburoja e Firatit. Gabimi kryesor që dobëson dhe dëmton luftën kundër terrorizmit është mbështetja nën maskën e luftës kundër organizatave terroriste DAESH që u jepet organizatave terroriste PYD/YPG, zgjatime të PKK-së në rajon. Gabimi kryesor është se vendet, të cilët pretendojnë se janë aleatë dhe partnerë strategjikë, ende nuk marrin në konsideratë shqetësimet dhe paralajmërimet e Turqisë. Sikur të mos mjaftonte kjo, ata duke ndjekur organizatën terroriste, bëhen vegla në veprimtarinë obskurantise propagandistike të organizatave terroriste. Gjatë Operacionit Dega e Ullirit civilët nuk kanë pësuar dëme, asnjëherë nuk është penguar furnizimi i civilëve me ujë, ushqime, ilaçe dhe nevoja të tjera njerëzore. Jo vetëm që nuk ka penguar, por Turqia, nëpërmjet Gjysmëhënës së Kuqe dhe Projektit të Emergjencave Civile, ka mobilizuar të gjitha mundësitë e saj për të përballuar çdo nevojë të vëllezërve tanë sirianë. Turqia e ka zhvilluar me sukses një operacion ushtarak pa dëmtuar civilët, pa djegur dhe pa prishur vendbanimet e tyre, pa shkaktuar shkatërrime në rajon. Është operacioni i vetëm në botë i zhvilluar kundër terrorizmit, pa shkaktuar asnjë viktimë civile. Vendi ynë do të vazhdojë të kryejë atë që është e drejtë, pa bërë lëshime për vijat e kuqe, që janë tërësia territoriale dhe sovraniteti i vendit, do të vazhdojë të përparojë i vendosur dhe me besim në rrugën e tij të drejtë, duke marrë forcë nga populli ynë. Me këtë rast, në emër të vendit dhe të popullit tim, dëshiroj t’u shpreh mirënjohjen të gjithë vëllezërve tanë shqiptarë, të cilët i kanë uruar suksese Ushtrisë fitimtare turke në Operacionin Dega e Ullirit dhe kanë shprehur ngushëllime për dëshmorët tanë
a.ç