Rinisja e sesionit të ri parlamentar dhe një viti të ri ku politika shqiptare i duhet të përballet me mjaft sfida nga më të ndryshmet për të ardhmen e vendit, ka vënë në lëvizje edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ka qenë ambasadori i SHBA në vendin tonë Donald Lu, i cili ditën e sotme ka zhvilluar takime fillimisht me kreun e opozitës Lulzim Basha dhe më pas menjëherë me Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Takimi mes kreut të demokratëve dhe ambasadorit Lu është zhvilluar me dyer të mbyllura në Selinë e PD, dhe ka zgjatur rreth 40 minuta.
Ndërkohë menjëherë pas kësaj, Lu ka shkuar në zyrën e Tahirit në Ministrinë e Brendshme për të zhvilluar një tjetër takim me dyer të mbyllura i cili ka zgjatur rreth 1 orë.
Zyrtarisht nuk dihet se për çfarë është takuar Lu me dy figurat politike shqiptare. Megjithatë, takimi vjen pak orë pasi PD depozitoi në Kuvend draftin për dekriminalizimin.









