Ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee, ka deklaruar se Izraeli ka një “të drejtë biblike” mbi territore të gjera të Lindjes së Mesme, duke shtuar se “do të ishte shumë mirë nëse do ta merrte të gjithën”.
Këto komente u bënë gjatë një interviste me gazetarin Tucker Carlson, ku Huckabee mbrojti veprimet e Izraelit në Rripin e Gazës.
Ai përmendi një të drejtë biblike mbi një zonë që shtrihet “nga Nili deri në Eufrat” dhe theksoi se kjo do të ishte e dëshirueshme, por nuk e konsideron një qëllim të vërtetë në politikën moderne.
Sipas Huckabee, Izraeli synon të jetojë në paqe brenda kufijve të saj aktualë dhe nuk ka aspirata për të marrë kontrollin e shteteve të tjera fqinje. Ky koment vjen në një periudhë të tensioneve të larta në rajon, ku konflikti në Gaza vazhdon të jetë në qendër të debateve ndërkombëtare.











