Ambasada e SHBA ka zbardhur vizitën e kongresmenëve amerikanë në Tiranë dhe mesazhet e përçuara. Në deklaratën e ambasadës së SHBA thuhet se anëtarët e delegacionit i nxitën të gjitha palët për t’u bashkuar dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre, si dhe për të vazhduar punën e vështirë të demokracisë. “Ata nënvizuan rëndësinë e zbatimit të reformës në drejtësi, forcimit të zbatimit të ligjit, si dhe theksuan rëndësinë që partitë të marrin pjesë në procesin demokratik”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA.
DEKLARATA E AMBASADES SE SHBA
“Një delegacion me anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, udhëhequr nga kongresmeni Bob Goodlatte, kreu një vizitë në Shqipëri të mërkurën, gjatë së cilës nënvizuan partneritetin strategjik midis ShBA dhe Shqipërisë, rëndësinë e reformës në drejtësi për vendin, dhe çështje rajonale.
Përfaqësuesit Steve King, Matt Gaetz, Dave Trott, David Cicilline, dhe Peter DeFazio iu bashkuan Z. Goodlatte, i cili shërben si Kryetar i Komitetit të Drejtësisë të Kongresit, gjatë takimeve me Presidentin Bujar Nishani, presidentin e zgjedhur Ilir Meta, Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe kreun e opozitës Lulzim Basha.
Anëtarët e delegacionit i nxitën të gjitha palët për t’u bashkuar dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre, si dhe për të vazhduar punën e vështirë të demokracisë. Ata nënvizuan rëndësinë e zbatimit të reformës në drejtësi, forcimit të zbatimit të ligjit, si dhe theksuan rëndësinë që partitë të marrin pjesë në procesin demokratik”./Javanews.al/c.a