Policia e Shkodrës ka nisur operacionin masiv i koduar “Alpe të pastra”, për kontrollin e territorit malor.
Operacioni do të zhvillohet nga strukturat operacionale të DVP Shkodër, Komisariati i Policisë Malësi e Madhe dhe shërbimet e Policisë Kufitare Shkodër me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Në operacion janë përfshirë 100 forca policore dhe 6 dronë, me qëllim kontrollin e territorit malor. Aksioni do të zhvillohet në territorin e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në zonat me risk te lartë kultivimi.
“Fillimisht do të kontrollohen territoret e njësive administrative Shkrel dhe Gruemirë. Grupet e kontrollit kanë në dispozicion dronë dhe do të kontrollojnë jo vetëm zonat malore, por çdo territor të këtyre zonave, duke u përqendruar edhe në ato zona që në vitet e kaluara, janë evidentuar nga shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të territorit, bimë narkotike të kultivuara”, njoftoi policia.
Gjatë momenteve të para të kontrollit, janë evidentuar disa vende të hapura rishtas, ku dyshohet se në këto miniparcela mund të kultivohet kanabis, të cilat do të mbahen nën kontroll nga shërbimet e Policisë në vijimësi, me qëllim parandalimin e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.
Operacioni policor antikanabis “Alpe të pastra” do të vazhdojë dhe në ditët në vijim, në territoret malore në të gjithë qarkun Shkodër.
/s.f











