Në emisionin “3D”, Ilir Alimehmeti, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, u ndal te procesi i brendshëm zgjedhor në PD duke theksuar se një parti opozitare nuk e ka luksin e përjashtimeve.
Ai pranoi se moslejimi i kandidaturave lë një shije negative, por shtoi se realiteti brenda PD-së është i qartë.
“Kushdo që kandidon përballë Sali Berishës nuk fiton dot me votë. Ne e njohim partinë, nuk fiton dot me votë,” u shpreh Alimehmeti, duke nënvizuar se filtrimi i kandidaturave bëhet nga komisione të posaçme mbi bazën e rregullave dhe kritereve të përcaktuara.
Nga ana tjetër, analisti Ergys Mërtiri solli një tjetër këndvështrim, duke thënë se duket sikur nuk ka një proces real zgjedhjeje brenda PD-së, pasi sipas tij partia e ka lidhur fatin e saj vetëm me Sali Berishën.
Alimehmeti tha se nuk është pjesë e strukturave vendimmarrëse të PD-së, si kryesia apo grupi parlamentar, por në parim një parti opozitare nuk duhet të ketë luksin e përjashtimeve. Ai shtoi se brenda PD-së, kushdo që kandidon përballë Sali Berishës nuk ka mundësi të fitojë.
“Ne e njohim partinë, nuk fiton dot me votë. Nëse ka prova konkrete, nëse ka diskutime konkrete që mund t’i kenë anëtarët e veçantë të këtyre forumeve dhe pas këtyre diskutimeve janë marrë vendime, këtë nuk mund ta them se nuk jam pjesë e forumeve. Sigurisht nuk lë shije pozitive përjashtimi në vetvete, të jemi korrekt. Patjetër që moslejimi i paraqitjes së kandidaturës, apriori, nuk la një shije të mirë. Pastaj kandidaturat filtrohen nga një komision përkatës që ngrihet mbi disa rregulla dhe kritere që filtron listën e kandidatëve,” u shpreh Alimehmeti.
Ndërsa, analisti Ergys Mërtiri theksoi se duket sikur nuk ka një proces real zgjedhjeje brenda PD-së.
“Po të shohësh të gjithë njerëzit që janë pas Sali Berishës sot thonë se ‘ai është i padiskutueshëm, ai mban partinë, pa atë partia shkrmoqet’. Një parti që e ka vendosur fatin e saj si rezultat që Sali Berisha mos të ikë, sepse vetëm ai na mban, duket se nuk ka frymë për të pasur zgjedhje brenda PD. Nga ana tjetër, as Sali Berisha nuk po kërkon të ketë zgjedhje. Për mua ai duhet të kishte lejuar Ervin Salianjin të kandidonte për të ligjitimuar garën,” tha Mërtiri.











