Nga Bardhyl Sejko
Edhe policët janë pjesë e shoqërisë tonë. Ata janë bijë e bija të familjeve shqiptare, të cilët kanë zgjedhur të shërbejnë në radhët e policisë pasi kështu kanë gjykuar se mund ta kryejnë misionin që kanë marrë përsipër për rendin e qetësinë. Policia, është organi i ruajtjes së rendit e qetësisë publike, e cila ka detyrim kushtetues dhe ligjor të sigurojë jetën e qytetarëve dhe të kërkojë me ngulm zbatimin e ligjit dhe rregullit që nga ruajtja e territorit deri tek abuzimi me muzikën e lartë apo zaptimin e plazheve, vjedhjet e gjithfarë veprash që bien ndesh me interesat e shtresave të gjera shoqërore, të cilat i kanë sytë nga policia sa herë u kërcënohet jeta apo prona. Policia shqiptare, është tanimë më shumë se një shekullore. Shkollat policore kanë ndryshuar nëpër dekada dhe sistemet shoqërore që ka kaluar vendi ynë nga themelimi i shtetit shqiptar në vitin e largët 1912. Në radhët e policisë për vetë rëndësinë që ka ky organ i zbatimit të ligjit, janë përzgjedhur të shërbejnë individë të spikatur, të përgatitur, jo vetëm nga ana fizike, pra, jo thjesht për muskujt, po së pari për mendimin dhe kulturën që zotërojnë. Për rritjen e aftësive të tyre profesionale janë shkolluar përmes metodave më progresiste të kohës. Përvoja e vendeve të tjera që kanë polici elitare është shfrytëzuar për edukimin dhe përgatitjen e policëve në vendin tonë. Policia është në ruajtje të pronës. Mbrojtjes së territorit. Zgjidhjes së konflikteve mes individëve. Kundër atyre që vënë dorë në pronën publike apo private. Kundër atyre që vënë zjarre për shkatërrimin e pyjeve. Kundër drejtuesve të mjeteve që janë të papërgjegjshëm dhe shkaktojnë trauma të rënda njerëzore. Atyre që ecin në rrugë si të ishin avionë dhe vrasin qytetarët duke i përplasur se janë të dehur apo në shkelje të rënda të Kodit Rrugor. Policia, është në çdo centimetër të territorit të vendit tonë. Nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim.
Nuk ka ngjarje që të mos jetë e pranishme policia, si për parandalimin dhe verifikimin e evidentimin e ngjarjeve që ndodhin në kohë rekord. Policia është mbrojtësja e kufirit nga kalime të paligjshme,veprimtarive të trafikantëve të drogës dhe kontrabandës. Detyrat që përballon policia janë pa fund. Ajo ka detyrimin njerëzor e ligjor, të jetë atje ku ka shqetësime dhe kërkohet ndërhyrja e saj për neutralizimin e situatave kur dalin jashtë kontrollit apo për të shmangur veprimtaritë e paligjshme kudo ato ndodhin. Siç thamë, policët janë pjesë e shoqërisë tonë. Dhe në këtë kuptim nuk janë të imunizuar nga vesi dhe të metat që kanë edhe qytetarët e tjerë. Gjithsesi, kjo jo për të justifikuar veprimet e policëve të veçantë, të cilat në shkelje të ligjit dhe betimit që kanë bërë, shkelin me të dyja këmbët ligjin dhe rregullin. Përfshihen në ngjarje të dënueshme nga shoqëria dhe që kërkojnë të jenë në krye të detyrës dhe aspak si pjesë e problemit. Në sytë e qytetarëve veprimet e policëve në kundërshtim me ligjin, përfshirja e tyre në akte dhe ngjarje që nuk u lejohen, është goditje shumë e rëndë për mbarë shoqërinë tonë. Një veprim i gabuar i një polici në skaj të vendit, është baras me veprimet e tërë keqbërësve që veprojnë në ato zona. Nuk mund të kuptohet polici me çantën e kanabisit në shpinë. Nuk i tolerohet policit nëse përfshihet në shpërndarjen e drogës, apo në kontrabandë aq më pak nëse polici shkel këmbëzën e armës që ka për të mbrojtur qytetarin dhe godet për vdekje po atë qytetar që e ka detyrim kushtetues ta ruajë e mbrojë nga cilido. Është e patolerueshme kur një polic shkel me të dyja këmbët ligjin, të cilin ka detyrë ta zbatojë dhe të kërkojë me këmbëngulje ta zbatojnë tërë qytetarët. Një polici nuk i lejohet të përfshihet në akte keqdashëse. Të grabis pronë e dikujt që e ka vënë me djersën e ballit. Asnjë polic nuk justifikohet kur përfshihet në akte të dënueshme ligjërisht. Dhe këtu nuk ka punonjës policie që nga polici i thjeshtë, atje në doganë apo vijnë e kufirit deri tek Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Para ligjit të gjithë janë të barabartë dhe ligji nuk ka pse fal askënd që e shkel atë edhe kur është polic. Këto më mirë se cilido i di polici dhe organizata e Policisë së Shtetit. Po a e shkelin policët ligjin dhe a përfshihen ata në akte që i bien ndesh Kushtetutës dhe vetë rregullit e ligjve të këtij vendi?
Nuk ka nevojë të gërmosh nëpër arkiva as të shfletosh raportet e kontrollit të brendshëm të policisë për të evidentuar dhjetëra raste, ku policët që kanë detyrë të ruajnë rendin e qetësinë publike, të mbrojnë jetën e qytetarëve dhe të kontrollojnë zbatimin e tyre, bëhen vetë pjesë e problematikave, duke u përfshirë në akte që bien ndesh me moralin e shoqërisë dhe kompromentojnë rënd vetë policët dhe policinë. Kur etiketohet emri i një polici apo drejtues policie i çdo rangu qoftë, në perceptimin mbarë shoqëror nuk diskutohet emri i veçantë. Etiketimi, adresimi dhe zullumi i hidhet mbi shpinë tërë policisë. Të gjithë futen në të njëjtin thes, thua se faji është kolektiv dhe jo individual. Mbi atë thes shkruhet “Polici e kriminalizuar”, vula, PD. Po ndjeshmëria që kanë qytetarët për policinë bën që të mos ndahet përgjegjësia dhe mos të etiketohet fajësia për personin që e ka kryer aktin apo krimin dhe ai mban përgjegjësi para ligjit dhe drejtësia duhet të bëjë ndaj tij detyrën, duke e dërguar sipas shkallës së fajësisë pas hekurave atje ku e kanë vendin keqbërësit. Nuk është normale që të përgjithësohet faji dhe qytetarët aq më pak politika të dalë me pankarta në duar, të mbushi podiumet e të zërë tërë ekranet për të hedhur baltë mbi tërë trupën policore. Policia shqiptare, ka arritjet e veta të padiskutueshme. Ashtu edhe të metat e mosrealizimet. Shumë mentalitete kanë ndryshuar. Shumë tradita të padrejta janë lënë mënjanë. Dhe trupa policore është modernizuar dhe arsimuar. Polici i sotëm është individ i formuar. Jo njeriu i shkopit të gomës dhe analfabet që nuk shkruan dot as emrin. Që nuk ka nivelin fillestar të etikës. Që nuk di të kryejë detyrën. Që është i dhunshëm apo kapadai. Që nuk di të sqarojë askënd. Dhe fjalën e parë ka fyerjen, në vend të dialogut i drejtohet kamxhikut apo edhe armës që mbanë për të mbrojtur qytetarin. Siç theksuam policët janë pjesë e shoqërisë tonë. Ata mbartin edhe pse është e pajustifikuar ato vese e huqe që kanë, jo pak nga qytetarët e zakonshëm të këtij vendi. Si të tillë pa i justifikuar aspak, jo në pak raste bëhen pjesë e problemit. Faktor i destabilizimit të situatave të veçanta apo pjesëmarrës në grupe hajdutësh, shpërndarës të drogës. Raste të tilla ka me dhjetëra. Nga Saranda deri në Shkodër.
Tundimit për të fituar në rrugë të padrejta, në shkelje të ligjit në shumë raste nuk i shpëtojnë fatkeqësisht edhe drejtues të rangjeve me gradën komisar apo drejtues. Dhe emra janë lakuar. Kronika të shumta janë dhënë nëpër faqet e shtypit dhe ekranet e televizioneve. Ky kontingjent i vesh policisë qyrkun e fajit. Sepse siç thamë nuk diskutohet për emra të përveçëm, po bëhen përgjithësime. E vodhi policia! E vrau policia! Bën trafik droge policia! E fshehu lirimin policia! Bëri kontrabandë policia! E kështu, akuzat shkojnë në limit. Dhe mbi forcat e rendit bie baltë me tonelata. Jo se nuk dihet si duhet folur dhe që nuk i lejohet askujt të flasi për tërë policinë, po në këtë drejtim bëhet politikë e pandershme. Bëhet politik sharlatanësh e keqdashësish shkatërruese për policinë dhe antishtet. Denigrohet policia, e cila është e qytetarëve dhe jo e pushtetarëve. Përballë policisë qytetarët janë të barabartë. Edhe pse në tërë këto për interesa meskine i kanë veshur policisë, pelerinën e politikës. E kanë barazuar me partitë. Qëllimi: Ta zhveshin nga idetë e mëdha si mbrojtëse të jetës dhe qytetarëve. Shumë herë policia si institucion është renditur në krye të sondazheve përsa i përket besueshmërisë. Sot nuk është në këto nivele. Duhet të kërkoj dhe të ngjitet pasi sytë e popullit janë tek policia. Po çfarë ndodh sa herë vetë policia arreston dhe dërgon në qeli kolegë të tyre dhe iu vë prangat duke mos i diferencuar apo dekonspiruar? Sapo arrestohet një polic i çdo strukture të jetë, i shërbimit bazë në qytet apo i forcave elite, si RENEA apo FNSH, Forcat Shqiponja e çdo strukturë tjetër del përfaqësuesi i PD-së Enkelejd Alibeaj apo vetë Lulzim Basha e në radhë tërë politikanët më në zë të PD-së e opozitës në tërësi dhe ngrejnë alarmin duke e trajtuar policinë si një bandë të inkriminuar. Si forcë që është politike dhe i shërben qeverisë. Ka një ngazëllim të jashtëzakonshëm sa herë mes të arrestuarve gjendet një polic. Të gjithë lihen mënjanë dhe merren me të.
E bëjnë si zëdhënës të mazhorancës dhe nis e vijon logoreja duke hedhur baltë mbi tërë strukturat e Policisë së Shtetit. Rasti më i fundit është ai i ndalimit të efektivit të RENEA-s. Ndalimi i tij si i përfshirë në shpërndarjen e drogës, u ngrit në qiell sikur këtu e gjithë forca elite e policisë është politike dhe e inkriminuar. Është e turpshme të dëgjosh një politikan si Alibeaj që ka qënë edhe ministër i Drejtësisë të barazojë krimin me policinë. Ta paraqes policinë si krimin e organizuar. Të hedhë kaq shumë llum mbi forcat elite të Policisë së Shtetit. Të barazojë policinë me krimin. Ta etiketojë tërë policinë të kriminalizuar. Ta shesë një veprim të një individi si krim shtetëror dhe policor. Trajtimi veprimeve të individëve të veçantë si vepër e tërë policisë, është krimi më i rëndë që mund t`i bëhet vetë Policisë së Shtetit. Një individ, qoftë ai edhe i forcave elitare nuk mund të jetë baras me tërë policinë. Këtë më së miri e di Alibeaj dhe Alibeajt e tjerë brenda opozitës, të cilët në asnjë rast nuk gëzojnë të drejtën t`i veshin Policisë së Shtetit, pelerinën e krimit dhe të kriminalizojnë tërë policinë për krimin e një individi. Është koha kur krimi është sofistikuar. Dhe policia nuk mund të denigrohet. Është momenti që kërkohet të mbështetet Policia e Shtetit. Është policia e të gjithëve. Nuk është polici politike. Është fytyra e shtetit shqiptar. Dhe për ta bërë atë më të hijshme, më rezultative kërkohet kontributi edhe i opozitës. Është e patolerueshme që PD të nxjerrë në podiume Alibeajn për të kriminalizuar tërë policinë sa herë vetë policia godet të vetët me të vetmin qëllim të demaskojë tërë qeverinë dhe të nxijë kryeministrin!











