Në një intervistë për MAPO, Enkelejd Alibeaj ka qenë i ashpër më eksponentët e lartë të PD, duke mos e drejtuar gishtin vetëm drejt Bashës.
Jozefina Topalli, Astrit patozi e kushdo tjetër që flet për humbjen dhe i drejton gishtin Bashës, duhet të shohë se për humbjen përgjegjës janë ata, secili duhet të shohë nga vetja, e gjithë struktura drejtuese në PD, lë të kuptohet Alibeaj.
“Debatin e shoh të dobishëm. Por jo aq argumentet e përdorura në debat. Është shumë e virtytshme të deklarohesh pas çdo mossuksesi se arsyet duhen gjetur te vetja dhe se nga vetja duhet të fillojë korrigjimi.
E vetmja çështje që kërkon qartësi dhe sinqeritet është se çfarë kuptohet me “veten”. Unë jam me atë, që “veten” duhet ta shohësh në vetë të parë. E nëse e sheh sinqerisht kështu e jo vetëm sot por edhe dje, debati do të ishte plotësisht i shëndetshëm edhe në funksion të së nesërmes.
Kritikat duhet të jenë të mirëseardhura, qofshin këto edhe nga pozita soditëse. Ajo me të cilën nuk jam dakord asfare është fakti se duket sikur me “veten” kuptohet vetëm kryetari i partisë.
“Vetja” është e gjithë pjesa që artikulon linjat kryesore politike dhe të sjelljes në parti. Janë strukturat e larta të saj. “vetja” është e djeshmja, e sotmja dhe mundësisht dhe e ardhmja e sjelljes së këtyre strukturave.
Kryetari i partisë është ai që duhet në çdo rast të mbajë peshën më të madhe të përgjegjësisë, porse nuk mund të anashkalohet edhe fakti se në ç’masë ai dhe gjithë struktura është ndihmuar apo minimalisht nuk është penguar në rikrijimin e kushteve për të qenë përsëri të suksesshëm në zgjedhje.
Gjithsecili në strukturat e larta duhet të vlerësojë gjithnjë nga vetja e vet, nëse i është qasur me shpirt altruist kauzës së vet apo jo. Ky është parakushti i vetëm që legjitimon argumentin dhe shëndeti”, thotë Alibeaj.









