Juristi Neritan Alibali, i ftuar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH, ka komentuar rastin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe vendimin e Kuvendit për të mos dhënë autorizimin e kërkuar nga SPAK për arrestimin e saj.
Alibali u shpreh se, pavarësisht se ka qenë kundër mënyrës si veproi SPAK, kjo ngjarje ka kontribuar në ndërgjegjësimin e politikës për një problem të madh në sistemin e drejtësisë.
“Që në krye të herës unë jam deklaruar kundër pezullimit si shtrirje përtej kufirit kushtetues të SPAK, si masë që mori ndaj Zv. Kryeministres. Por më vjen mirë që kjo ngjarje ka bërë politikën të kuptojë se ‘Instituti i Paraburgimit’ si masë sigurie është përdorur në Shqipëri si kamxhik. Pra, që në momentin që ty të viheshin prangat, ti ishe i dënuar, ishe i dënuar dhe ishe fajtor.”
Alibali shtoi se keqardhja e tij lidhet me faktin që mazhoranca, pavarësisht se pranoi problemin, vendosi të rishikojë vetëm nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale.
“Ajo që më vjen keq nga gjithë ajo zallamahi është fakti që mazhoranca, pavarësisht se nxorri këtë konkluzion, vendosi të rishikojë vetëm nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, që për mua është anti-kushtetues, dhe jo të ndryshojë rrënjësisht Kodin e Procedurës Penale.”
Gjithashtu ai shtoi se shoqëria shqiptare, politika dhe drejtësia tashmë janë bindur se sistemi ka një problem serioz dhe që duhet riparuar.
“Shoqëria shqiptare, politika dhe drejtësia janë bindur që këtu çedon dhe ka një problem, ndaj duhet riparuar.”











