(Me rastin e 90-vjetorit të lindjes)
Nga Ilir Yzeiri
Në vitin akademik 1982-1983, në lëndën e Estetikës, në vitin IV të degës gjuhë-letërsi në fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës kishim pedagog prof. Alfred Uçin. Gramatikën Historike e bënim me prof. Shaban Demirajn dhe në legjendat urbane të asaj kohe, mes studentësh, sa herë bëhej ndonjë garë e e pashpallur për të treguar se cila degë ishte më e fisme apo më e dinjitoze se tjetra, zakonisht përmendeshin figurat e njohura të kohës që jepnin mësim në njërin apo tjetrin fakultet. Filologjia mburrej se kishte si pedagog edhe Alfred Uçin i cili leksionet e Estetikës i jepte jo vetëm me në studentët e letërsisë, por edh me ata të filozofisë. Më kujtohet se dy orët e fundit të ditës së enjte në mos gaboj ne prisnim që të bënim leksion me të bashkë me studentët e filozofisë që vinin në fakultetin tonë. Më ka mbetur në mendje po ashtu dy nocione që ai diskutonte në orët tona « entropinë » dhe antientropinë ». Për to kam dëgjuar apo kam lexuar vetëm pas viteve ’90 sepse ishin pjesë e ligjërimit modern dhe jo normale për t’u përfshirë në ligjërimin e kritikës artistike zyrtare të kohës.
Nuk e di si qëllonte, por ai vinte më shpejt dhe, po ashtu, nuk e di si qëllonte që ne, një orë para se të vinte ai, ishim pushim dhe mua më ka mbetur në mendje figura e tij impozante kur hynte në fakultetin tonë pasi zbriste nga një Fiat polak dhe ashtu i përhumbur vinte vërdallë në oborrin e fakultetit në pritje të rënies së ziles. E mbaj mend sidomos në fund të semestrit, në ata muajt e ngrohtë. Ai vinte veshur me një këmishë me kuadrate të ndezura me ngjyra të ngrohta, kuqe, kafe, portokalli, blu ; ishte një lloj dizajni modernist abstraksionist, me dy xhepa dhe me pantallona me xhepa drejt që ishin në modë në atë kohë. Me dosjen nën sqetull, me duart në xhepa dhe me sytë përdhe ai vente e vinte me hapat e mëdhënj në oborrin e fakultetit dhe ne e vështronim me admirim e me çudi po ashtu. Jo vetëm për ne, por për të gjithë ata që
merreshin me letërsi e art ai ishte pranuar si esteti modern. Gjithçka që ne dinim për modernizmin në atë vend të mbyllur dhe në atë kohë absurde e kishim mësuar sidomos nga libri i tij i famshëm « Labirintet e modernizmit » që ai e kishte botuar në vitin 1979, pas botimit të suksesshmë të librave « Estetika, jeta, arti » (1969) dhe « Probleme të estetikës » (1976). Alfred Uçi në estetikë ka meritën e madhe se ndërtoi ligjërimin filozofik të kuptimit të artit modern. Ashtu si letërsia e huaj e përkthyer në shqip në vitet e diktaturës që modeloi shijet e shqiptarëve, ashtu si letërsia e madhe e Kadaresë që zgjeroi vetëdijen e publikut shqiptar edhe me imazhet e një letërsië moderne europiane, edhe estetika e Uçit e pajisi lexuesin shqiptar me nocionet e duhura dhe ndërtoi në gjuhë mjetet e domosdoshme për të shpjeguar e kuptuar modernizmin në art e letërsi.
Në atë kohë e kishim të vështirë ta kuptonim profilin e tij, sepse ai jo vetëm ishte shumë i mbyllur, gati hermetik, por ishte gjithashtu edhe antikonvencional. Në imazhin kolektiv të përgjithshëm ai njihej si esteti dhe filozofi që kishte mundësuar qarkullimin në Shqipëri edhe të modernizmit. Po si e kishte bërë këtë ? Me shumë zgjuarsi. Në kushtet në të cilat ai jetonte dhe punonte ishte e pamundur që të tregohej modernizmi pa u gjykuar dhe pa u klasifikuar si shkollë, metodë, filozofi apo kuptim idealist, borgjez e reaksionar i botës. Mirëpo, prof. Uçi me mjeshtërinë e studiuesit virtuoz e tregonte këtë traditë gjerësisht dhe nëse e lexon edhe sot atë libër, ti do të mësosh më shumë prej tij për modernizmin sesa një tekst tjetër.
Alfred Uçi së bashku me shumë studiues të tjerë që e zhvilluan veprimtarinë e tyre në kohën e diktaturës, arritën të ndërtonin një vepër të madhe dhe hodhën bazat e mendimit estetik e filozofik shqiptar. Ai i përket asaj plejade studiuesish e albanaologësh shqiptarë që ngritën godinën e shkencës shqiptare në kushtet e diktaturës. Por ata i shpëtuan indoktrinimit prej saj falë talentit dhe punës së jashtëzakonshme. Kur sheh veprat që prof. Uçi ka shkruar mahnitesh jo vetëm nga sasia e jashtëzakonshme, por edhe nga cilësia e tyre. Korpusi me tri vëllime « Estetika » (1986-1988), studimet mbi estetikën e gjigandëve të letërsisë botërore
« Shekspiri në botën shqiptare », « Dostojevski në kohën tonë », « Prometeu dhe Hamleti » botuar në greqisht, Athinë 1998. Studimet për groteskun kadarean. Studimet për letërsinë e filozofinë arbëreshe, për estetikën e folklorit, « Donkishotizmi » apo estetika e Unamunos janë vetëm një pjesë e veprës madhore prej mijëra faqesh të prof. Uçit.
Më kujtohet se në vitin 2016 kur po përgatisja një cikël dokumentarësh për alfabetin, e mora në telefon dhe e lamë që të takoheshim për të zhvilluar një intervistë për Jani Vreton. Ai sapo kishte botuar monografinë e vëllimshme « Jani Vretoja dhe Rilindja Kombëtare » (2015). E lamë që intervistën ta zhvillonim në shtëpinë e tij. Një pasdite shkova pranë pallatit ku banonte, diku pas Akademisë së Arteve dhe po prisja të vinte. Pallati ishte pak i ngritur dhe ai zbrti prej tij e po vinte drejt nesh. M’u kujtua profesori im i fakultetit. Po aq impozant e me ecjen e ngadalshme me hapa të mëdhenj. Ndenjtëm pak në një kafe aty poshtë e pastaj u ngjitëm lart në studion e tij. Kur nisëm intervistën ai u zhyt në një botë që e njihte jashtëzakonisht mirë. Jo vetëm pse ai ështe një nga nipërit e rilindësit të spikatur Petro Nini Luarasi, por për faktin se atë periudhë e njihte në majë të gishtave, biseda me të nisi si një intervistë e thjeshtë dhe vazhdoi si një bashkëbisedim i gjatë për një nga periudhat e mëdha të historisë së vendit tonë siç ishte Rilindja dhe brenda saj shkolla shqipe dhe shkrimi i gjuhës sonë.
Sot prof. Uçi mbush 90 vjet nga lindja e tij. Ashtu si shumë studiues të tjerë të mëdhenj të kulturës shqiptare që ndërtuan në vendin tonë shkollën shqiptare të mendimit albanologjik e estetik, ai ka mbetur në memeorin kolektive si një nga studiuesit më të zot dhe mendjehapur të kulturës shqiptare. Mund të thuhet pa frikë se ai është themeluesi i studimeve mbi estetikën shqiptare dhe ndihmesa e tij në këtë lëmë, jo vetëm që nuk është kapërcyer, por ajo pret aty që të shërbejë si një shtysë serioze për të gjithë ata që duan të përfshihen në botën e mrekullueshme të estetikës, filozofisë dhe studimeve të artit.
Alfred Uçi, po ashtu, është shembulli i njeriut dinjitoz dhe modeli i shkencëtarit klasik që jetoi vetëm për të punuar dhe punoi pa e ndërprerë për asnjë ditë punën e tij në tavolinë. Ky model shkencëtari ka kohë që na mungon.
Të lumtë mëndjame dora.
Respekti që tregon për prof. Uçin, është edukata juaj.