Një aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar se Rusia mund të dislokojë forcat e saj detare për të penguar sekuestrimin e anijeve ruse nga fuqitë europiane dhe se Moska mund të hakmerret ndaj anijeve europiane nëse ato konfiskohen.
Deklaratat janë bërë nga Nikolai Patrushev, këshilltar i Kremlinit dhe kryetar i Bordit Detar të Rusisë, i cili citohet të ketë thënë se Perëndimi po shkon drejt një përshkallëzimi të rrezikshëm në det.
Shtetet perëndimore kanë vendosur mbi 30 mijë sanksione ndaj Rusisë, me synimin për ta shkëputur nga tregtia globale dhe për të dobësuar financat e saj, si pasojë e luftës në Ukraine. Po ashtu, ato kanë tentuar të bllokojnë cisterna nafte të dyshuara se transportojnë naftë ruse. Në janar, Shtetet e Bashkuara sekuestruan një cisternë me flamur rus, në kuadër të përpjekjeve për të frenuar eksportet e naftës së Venezuela.
Putin i ka cilësuar këto veprime si “pirateri”.
“Nëse nuk u japim një kundërpërgjigje të fortë, atëherë së shpejti britanikët, francezët dhe madje edhe vendet baltike do të bëhen aq arrogantë sa do të përpiqen të bllokojnë aksesin e vendit tonë në dete, të paktën në pellgun e Atlantikut”, deklaroi Patrushev për median ruse Argumenty i Fakty.
Sipas tij, garancia më e mirë për sigurinë e lundrimit mbetet marina ushtarake.
“Në zonat kryesore detare, përfshirë rajone larg territorit të Rusisë, duhet të jenë të dislokuara në mënyrë të përhershme forca të konsiderueshme, të afta për të ftohur entuziazmin e piratëve perëndimorë”, theksoi ai.
Deklaratat sinjalizojnë një rritje të retorikës kërcënuese të Moskës dhe rrezikun e përplasjeve të reja në det, në një kohë kur tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit mbeten në nivele të larta.











