Kandidati për kryeministër i Kosovës Albin Kurti duke marrë si shembull faullet në basketboll, tha se kryeministri Edi Rama gaboi në hapat e bërë me Mini-Shengenin Ballkanik.
“Kur gabon në hapa e humbet topin. Për bindjen time Mini-Shegeni ballkanik është gabim në hapa sepse nis me Serbinë, nuk mund të nisesh me Serbinë. Duhet të fillosh me Kosovën. Është gabim në hapa meqë duhet të fillohet me Kosovën, me aleatë të tjerë edhe brenda NATO-s, edhe drejt BE, edhe në raport me Kosovën dhe kombin shqiptar, që na i kërkojnë edhe rilindasit sepse kjo është teza e tyre. Në fund vjen Serbia.
A nuk do të duhej që qeveria e Republikës së Shqipërisë me kryeministër Edi Ramën dhe qeveria e Republikës së Kosovës me kryeministër mua, të bëhemi bashkë në një mbledhje njëherë si dy qeveri të diskutojmë të gjitha çështjet e rajonit. Meqë është gabim në hapa dhe humbi topin, a konsideroni që tani topin e ka Vuçiç?”, tha Kurti në emisionin “360 gradë” në Ora News.
Ai më pas u ndal edhe te taksa 100% ndaj produkteve serbe.
“Qeveria jonë nuk do heqë tarifën 100% pa e vendosur reciprocitetin e plotë. Më 7 dhjetor 2011 është miratuar rezoluta në Kuvend, ne kemi qenë në opozitë për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë. Asnjë qeveri nuk e ka zbatuar këtë rezolutë. Kjo do të jetë qeveria e parë që e zbaton. Pra reciprocitet i plotë me Serbinë”. /e.s/











