Froni al-Nusra, njëri nga grupet më të mëdha radikale islamike në Siri, njoftoi dje se është ndarë nga sponsori i saj global, al-Qaeda, dhe se është duke e ndryshuar imazhin e vet në një përpjekje për të mos qenë shënjestër e koalicionit ushtarak të udhëhequr nga ShBA dhe forcat ajrore të Rusisë si grup ekstremist.
Ky grup xhihadist është duke bërë përpjekje që ta largojë vetën nga lista amerikane e ekstremistëve duke e ndryshuar imazhin e vet, shkruan Europa.newsweek, përcjell Express.
Ndërkohë, lideri i al-Nusras, Abu Mohamed al-Jolani, e bëri paraqitjen e parë të tij në një video për këtë grup duke njoftuar se grupi po ashtu e ka ndërruar emrin në “Jabhat Fatah al-Sham”, [Fronti për çlirimin e al-Sham], duke e përdorur një term të vjetër për rajonin e Levant.
“Ne kemi ndaluar së operuari nën emrin Fronti i al-Nusras, dhe kështu kemi formuar një organ të ri… ky themelim i ri nuk ka marrëdhënie me asnjë palë të jashtme,” tha ai në një mesazh të incizuar i cili u transmetua në kanalin arab të Al-Jazeera./a.m.