Policia e Kosovës ka arrestuar një serb të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Bëhet fjalë për periudhën e luftës në Kosovë 1998-1999 kur personi në fjalë, si gardian i burgut, dyshohet të ketë ushtruar torturë, dhunë fizike e psikike dhe trajtime çnjerëzore ndaj të burgosurve shqiptarë. Arrestimi i personit me inicialet D.M është bërë në orët e paradites në zonën e Graçanicës.
Zyrtarët policor kanë zbatuar kontroll në shtëpinë e të dyshuarit dhe në cilësinë e provave materiale kanë sekuestruar një armë zjarri-revole e tipit “Zastava” cal.9mm, 136 fishek të kalibrit 9x19mm, thikë ushtarake e tipit SOG Speciality Knives, shufër metalike “Taiwan”, dokumente, vendime, notes dhe telefon personal.
I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës të siguruar nga familja, nën dyshimin se i njëjti është përfshirë në veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile”.
/f.stafa