Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua seanca e radhës ndaj kryetarit të Bashkisë Vau Dejës, Kristian Shkreli, i akuzuar nga SPAK për korrupsion aktiv në zgjedhje. Ashtu si në seancën e kaluar, Prokuroria e Posaçme vijoi me pyetjen e dëshmitarëve të thirrur në proces.
Në gjykatë u paraqit dëshmitari Dod Martini, banor i fshatit Stajke, deklaroi se zona ka qenë pa energji elektrike për 20 vite dhe se investimi për rikthimin e dritave është bërë kohët e fundit. Ai theksoi se nuk ka pasur biseda për vota apo mbështetje politike me Shkrelin.
Edhe dëshmitari, Frrok Marku, punonjës i OSHEE, sqaroi se remonti në Stajke është kryer me bazë materiale të ardhura nga OSHEE dhe se investimi nuk ka lidhje me Bashkinë. Ai mohoi çdo kontakt politik me Shkrelin.
Antonio Bashaj, elektricist në Vau Dejës, pohoi se punimet janë kryer me urdhër të eprorëve të OSHEE dhe jo të kryebashkiakut.
Izmir Muçaku, elektricist në OSHEE, konfirmoi se ka punuar dy ditë në vendosjen e shtyllave dhe telave të rinj, duke përdorur mjetet e OSHEE.
Seanca e radhës është caktuar më 27 prill, ora 13:00, ku pritet të dëshmojnë edhe katër dëshmitarë të tjerë.











