Sulmet e paprincipta të Hektor Peçit ndaj Isuf Kalos dhe akuzat për helmimin e Enverit. Pse Sokoli dhe Liljana shkëputën marrëdhëniet me Nexhmijen dhe Ilirin. Dy episodet që tregojnë ndarjen përfundimtare të familjes Hoxha. Problemet e akumuluara për vite me radhë, inatet, mëritë dhe xhelozitë personale e deri hakmarrjet u shpërfaqën me egërsi. Arsyet e vërteta pse Sokoli dhe Liljana Hoxha kanë dalë nga rreshti dhe sulmojnë pjesën tjetër të familjes Hoxha
Xhevdet Shehu
Çfarë ka ndodhur me familjen e Enver Hoxhës? Është kjo një pyetje krejt e natyrshme, ndërsa botohen libra dhe nuk rreshtin shkrimet, intervistat dhe deklaratat nga brenda familjes Hoxha dhe nga njerëz që janë në dijeni të shumë zhvillimeve deri edhe dramatike në zemër të ish-bllokut komunist deri në majën e kupolës. Duken si telenovela, por brenda tyre ka disa të vërteta të hidhura. Gati dhjetë vjet më parë, në janar të 2008-s, gruaja e Enverit, Nexhmije Hoxha, në letrën testament drejtuar Ilir dhe Teuta Hoxhës, shkruan kështu për sulmet e Liljana Hoxhës, gruas së Sokolit:
“… gruaja mund të bëjë të lumtur, ajo mund edhe të ta nxijë jetën. Një shembëlltyrë e tillë i ndodhi djalit tjetër tim, Sokolit, për fatkeqësinë e tij e të familjes sonë, u lidh me një grua jo vetëm të sëmurë nga nervat, por të sëmurë nga koka e të ligë nga shpirti. Siç tregoi koha, ajo kish qenë mish i huaj që kur hyri në shtëpinë tonë, po që me ndryshimin e klimës politike në vend erdhi në dekompozim e degradimin e fundit politiko-moral.
Që me ardhjen e forcave antikomuniste në pushtet, me goditjet që po i bënin familjes sonë, për shkak të emrit të madh e të lavdishëm të Enver Hoxhës që mbanim e mbronim, edhe ajo filloi të hedhë gurë. Krejt ndryshe nga Teuta, ajo s’erdhi as edhe një herë, në 5 vjet burg, të më shohë, me justifikimin se “nuk duronte të më shihte n’ato ambiente”, por e vërteta është se ajo kish ndërtuar në kokë planin e saj diabolik (planin e saj ose të sugjeruar) për t’i hapur rrugën e ngjitjes shumë të dëshiruar të protagonizmit të personit të saj, duke tërhequr interesimin e opinionit publik me “zbulime” nga jeta në familjen Hoxha, duke i paraqitur çështjet gjoja në plan politik e në mbrojtje të Enver Hoxhës.”
Në atë letër, ka shumë zemërim për atë që ka ndodhur, ndaj Nexhmija lë këtë amanet për Ilirin dhe Teutën: ““Ruajuni dhe në t’ardhmen nga provokacionet djallëzore e plot ligësi të intrigantes delirante të Iliriana Shella-Sotiri”, duke e konsideruar të mbyllur kapitullin e marrëdhënieve me të.
Nuk është vështirë të kuptohet qoftë edhe midis rreshtave të letrës së Nexhmijes, se problemet kishin lindur para vitit 1985, pavarësisht se nuk thuheshin publikisht. Pavarësisht se botoheshin fotografi ku familja dukej solide dhe pa asnjë të çarë.
11 prill 1985
Episodi i parë: Në autobusin e linjës Korçë-Tiranë:
Radio Tirana, e vetmja në vend, në orën 12 dha lajmin e kobshëm: Sot, në orën 2 e dhjetë minuta të mëngjesit pushoi së rrahuri zemra e udhëheqësit të dashur të partisë dhe popullit, Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, kryetarit të Frontit Demokratik të Shqipërisë… shokut Enver Hoxha! Një ulërimë e paparë u ngrit nga udhëtarët e autobusit. Gratë shkulnin flokët, ndërsa burrat qanin më së shumti në heshtje. Në këtë episod kam qenë vetë i pranishëm ndaj po e tregoj. Të tjerë kanë qenë dëshmitarë të pamjeve edhe më dëshpëruese. Njerëz që u binte të fikët dhe që çoheshin me urgjencë në spital etj., etj. Sikurse ka ndodhur gjatë pesë ditëve të homazheve në Tiranë.
Episodi i dytë: E njëjta ditë, në burgun e Spaçit
Radio Tirana dha të njëjtin lajm në megafonin e vetëm në oborrin e burgut. Një nga të burgosurit, me një parandjenjë për vdekjen e afërme të Enverit, kishte ruajtur me një fanatizëm të tmerrshëm disa sende ushqimore. Sapo dëgjoi lajmin e vdekjes së udhëheqësit komunist nxitoi të bënte një hallvë. Dhe e kishte bërë me shumë sheqer. Është dita më e lumtur e jetës sime, që e kam pritur prej shumë vitesh, u tha bashkëvuajtësve…
Për vdekjen e Enverit u shpallën pesë ditë zie kombëtare, ndërsa ceremonia mortore u zhvillua në sheshin “Skënderbej” më 15 prill.
***
Në fakt, vdekja e Enverit ndau si me thikë kohën para dhe pas tij. Jo vetëm në shkallë vendi, por edhe brenda familjes Hoxha. Problemet e akumuluara për vite e vite me radhë, inatet, mëritë dhe xhelozitë personale e deri hakmarrjet u shpërfaqën me egërsi. Pas vitit 1990, ato morën përmasa të jashtëzakonshme në trajtën e një fatkeqësie për familjen numër një të vendit. Familja e Enver Hoxhës nuk është me unike dhe monolite si dikur… Sidomos tani kur sherri është bërë i pakthyeshëm.
***
Ka disa ditë që botohen shkrime “bombastike” për ca të vërteta që gjoja qenkan fshehur për vdekjen e Enver Hoxhës, njeriut më të pushtetshëm që ka njohur historia e Shqipërisë moderne. Një nga mjekët personalë të ish-udhëheqësit komunist, Dr. Isuf Kalo, iu përgjigj dje ashpër nëpërmjet një letre të hapur, si ish-mjekut të Enverit, Hektor Peçit, ashtu dhe Sokol e Liljana Hoxhës, djalit të Enverit dhe nuses së tij, lidhur me akuzat që tashmë janë bërë publike mbi gjoja një komplot të mundshëm për vdekje të parakohshme të Enverit. Për vdekjen apo helmimin e Enverit akuzohen drejtpërdrejtë katër njerëz: Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia, Sulo Gradeci dhe Isuf Kalo.
Nuk i njoh personalisht as Hektor Peçin, as Isuf Kalon. Gjykoj mbi argumentet e njërit dhe të tjetrit. Por edhe të atyre që kanë shkruar për këtë ngjarje.
A ka pasur tentativa për eliminimin e Enverit? Po. Qysh në kohën e luftës. Nga jugosllavët sidomos. Ka pasur përpjekje edhe nga anglo-amerikanët në atë kohë, deri dhe organizimin e një plani për ta rrëzuar qeverinë e Enverit me forca paramilitare në gjysmën e parë të viteve ’50. Ka pasur më vonë edhe nga sovjetikët. Ndoshta edhe nga brenda. Enveri ka shkruar për to në librat e tij. Ai e ka ditur këtë qëllim, ndaj dhe u bë paranojak, ndërsa shikonte vetëm armiq rreth e rrotull tij, sidomos në dhjetëvjetshin e fundit.
Sidoqoftë, Enver Hoxhës nuk iu bë kurrë ndonjë atentat i drejtpërdrejtë me armë, sikurse i janë bërë disa herë Ahmet Zogut.
Nga gjithçka që kemi lexuar deri më sot, por dhe nga përjetimet personale, them se nuk mund të vihet në dyshim se vdekja e Enverit ishte krejtësisht natyrale dhe shënoi edhe fundin e një epoke, vdekjen e komunizmit shqiptar, ashtu sikurse ai u ndërtua në gjysmën e dytë të shekullit XX. Enveri i dha kohës që sundoi fytyrën dhe emrin e tij.
Prof. Kalo duket mjaft bindës në argumentet që sjell për një vdekje natyrore të Enverit. Si gazetar që e kam përjetuar personalisht prillin e 1985-s, periudhën para dhe pas vdekjes së Enverit, kam hulumtuar në vite dhe do të përcjell për lexuesit atë që mendoj se është e vërteta përtej pasioneve, inateve dhe mërive, qoftë edhe brenda familjes Hoxha.
Historia e sëmundjes
Mjekët personalë të Enverit, por edhe familjarë të tij, flasin me bindje se Enver Hoxha nuk ka vdekur i helmuar as nga agjenturat e huaja dhe as nga ndonjë komplot brenda vendit. Isuf Kalo e kuoton zero këtë mundësi. Në atë kohë ai ishte një nga mjekët më të besuar të ish-udhëheqësit të shndërruar në Perëndi për shqiptarët. Ashtu si Stalini në Rusi, apo si Maoja në Kinë. Ishte koha e tillë. Të kujtojmë vetëm faktin se Enveri ynë ishte i vetmi në gjithë lindjen komuniste që nuk ra pas vdekjes së Stalinit me erërat hrushoviane që tronditi gjithë ish-Lindjen komuniste. Se si i mbijetoi ai spastrimit që u bë në udhëheqjet e ish-vendeve komuniste, është tjetër çështje.
Në kulmin e kultit që ai kishte arritur të krijonte, mundësia për t’i bërë ndonjë atentat apo ta eliminonin me helme ishte në kufijtë e zeros. Ai ka vdekur krejt natyralisht. Ja si kanë rrjedhur ngjarjet:
Enver Hoxha në vitin 1948 u diagnostikua me sëmundjen e debatit nga Profesor Fejzi Hoxha, i cili ishte edhe shok fëmijërie i Enverit nga Gjirokastra dhe thuajse moshatar me të. Pas këtij diagnostikimi, në shtëpinë e Enverit u vendos një infermiere, Kostandina Naumi, e cila ndiqte nga afër çdo ditë evolucionin e analizave dhe dietën e tij. Kohë pas kohe e vizitonte Prof. Hoxha dhe ndonjëherë Dr. Nikolla Shurbani, një ish-partizan ky, i specializuar për kardiologji, por në parim kujdesi shëndetësor i tij ofrohej si për të gjithë udhëheqësit e tjerë nga Klinika Speciale e krijuar posaçërisht për udhëheqjen…
Me që edhe disa udhëheqës të tjerë vuanin nga diabeti, u pa me vend të dërgoheshin për specializim në Kinë dy mjekë të klinikës speciale. Hektor Peçi asaj kohe ishte oficer i sigurimit dhe Isuf Kalo mjek i ri i punësuar në këtë klinikë. Pas një viti specializim, nga viti 1965 ne 1966 të dy u kthyen dhe krijuan me mbështetjen e Profesor Fejzi Hoxhës për herë të parë specialitetin e Endokrinologjisë dhe Diabetit. Hektori e pat filluar fakultetin me vonesë sepse pat kryer edhe ushtrime dhe ishte më i moshuar, ishte anëtar partie dhe oficer i ministrisë së Brendshme. Hektori në fillim dhe Isufi me pas patën konsultuar posaçërisht edhe Hysni Kapon edhe ky me diabet. Hektori pas kthimit nga Kina u caktua në vend të Nikolla Shurbanit mjek personal i Enverit.
Në vitin 1972 Isufi u dërgua në Francë për specializim 6 mujor në klinikën më të mirë të Parisit. Kur ai u kthye në verën e vitit 1972, Hektor Peçi ishte larguar nga detyra pranë Enverit dhe u transferua në Fakultetin e Mjekësisë si pedagog dhe në klinikën e diabetit në spitalin Nr.1 të Tiranës. Nga viti 1972 kur Hektori u largua nga detyra pranë Enverit deri në korrik 1973 kur aty në vendin e tij u caktua Isuf Kalo për Enverin, si mjek u kujdes Profsor Hoxha për diabetin dhe Nikolla Shurbani për zemrën, sepse që atëherë patën dalë në evidencë disa simptoma të dyshimta për sëmundjet e zemrës por për të mos e traumatizuar Enverin dhe Nexhmijen me alarm të parakohshëm ishin mbajtur sekret prej tyre.
Arsyeja pse Isufi, sikurse del nga shënimet e tij, nuk u caktua menjëherë pas kthimit nga Parisi si mjek i Enverit ishte se ai në ato muaj duhet të perfundonte stazhin e kandidatit të partisë të cilën e kryente si punëtor në Uzinën “Enver”. Deri atëherë Isufi pat ndjekur nga afër shëndetin e Hysni Kapos, por edhe të sëmurëve të tjerë. Isufi kaloi një stazh eksperience edhe në spitalin Nr.1 dhe në klinikën qendrore amabulatore duke konsultuar të dy me radhë Hektori dhe Isufi të sëmurë nga e gjithë Shqipëria.
Nuk ishte e kollajtë të ishe mjek i Enver Hoxhës. Duhet zotësia, profesionalizmi i lartë, por mbi të gjitha besnikëria…
Në tetor 1973 Enveri pati shenjat e dyshimta të infarktit të zemrës, gjendje e cila evoluoi shpejt drejt keqësimit dhe i kërcënonte seriozisht jetën. Ai ishte në atë kohë 65 vjeç dhe është thënë se pinte 60-80 cigare në ditë, bënte një jetë sedentare dhe nuk merrej me sport. Pikërisht në atë kohë vendoset ngritja e një ekipi mjekësh nga më të mirët në vend që e e mbanin nën kontroll natë e ditë. Në ekipin e mjekëve ishin kardiologët Ahmet Kamberi dhe Sabit Brokaj, Arben Fino, Ilir Ohri si anestezist reanimator. Ekipi mbështetej nga një numër infermieresh brenda shtëpisë si Konstadina Nauni, Aferdita Milori, Drita Ndoni, Rita Buzani etj.
E akuzuara si vrasëse e Enverit, Nexhmija, thonë mjekët, ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në mbështetje të ekipit të mjekëve duke shërbyer si “mjekja roje nate” për të shoqin.
Dr. Isuf Kalo në letrën e tij të botuar dje hedh poshtë të gjitha akuzat e Hektor Peçit, por edhe të Liljana dhe Sokol Hoxhës. Prandaj ai thotë prerazi: “po e përsëris për të fundit herë, për të gjithë ata qytetarë shqiptar që mund jenë viktimë e keqinformimit se, as unë e askush tjetër nuk e ka helmuar Enver Hoxhën. Teoria konspirative me këtë subjekt është fantazi e qëllimshme keqbërëse. Ai pati vdekje natyrale nga sëmundjet e verifikuara imtësisht. Nuk është e vërtetë fabula paranojake e gjoja agjentëve të përgojuar të UDB dhe KGB.” (DITA)