Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland po merrte pjesë në një takim me policinë e Filadelfias, mbi 150 kilometra larg Uashingtonit kur Departamenti i Shtetit njoftoi publikisht për ndjekjen penale të profilit më të lartë ndonjëherë në historinë e tij.
Ai doli nga takimi shkurtimisht për të komentuar dhe tha se vendimi për të ngritur aktpadi ndaj ish-presidentit Donald Trump për komplot për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020, u mor nga prokurorë karriere dhe se hetimi drejtohej nga një prokuror i posaçëm i përkushtuar ndaj “përgjegjësisë dhe pavarësisë”. E thënë ndryshe, aktpadia nuk kishte motive politike.
Por megjithë përpjekjet e zotit Garland, politika është e pashmangshme kur Departamenti i Drejtësisë i administratës së një presidenti që po kandidon për një mandat të dytë ngre padi ndaj rivalit të tij politik, kandidatit kryesor për emërimin e partisë republikane në garën zgjedhore.
Dhe megjithëse është distancuar nga hetimi që kur emëroi prokurorin e posaçëm Jack Smith para 10 muajsh, si kreu i Departamentit të Drejtësisë, zoti Garland ka fjalën e fundit për çështjet e lidhura me ndjekjen penale të zotit Trump.
Departamenti i Drejtësisë po përballet me provën më të madhe në historinë e tij – në rrethana të pashembullta për demokracinë amerikane, ndërsa përpiqet të reagojë ndaj sulmeve të pandalshme ndaj besueshmërisë së tij dhe sistemit zgjedhor të Shteteteve të Bashkuara.
Suksesi ose dështimi për këtë çështje ka potencialin të ndikojë tek pozita e Departamentit për vite me radhë.
“Ky është një moment i madh vërtet historik për Departamentin e Drejtësisë,” thotë Wendy Weiser, nënpresidente e Programit për Demokracisë në Qendrën Brennan për Drejtësi.
Presidenti Joe Biden e ka distancuar veten nga Departamenti i Drejtësisë për të shmangur çdo përshtypje për ndërhyrje, në një kohë kur kjo agjenci po heton jo vetëm zotin Trump, por edhe djalin e presidentit, Hunter. Por edhe për zotin Biden, situata do të bëhet më delikate. Çdo gjë që ai mund të thotë lidhur me sulmin e 6 janarit 2021 kundër Kapitolit mund të ndërlikojë punën e prokurorëve. Dhe gjasat janë që procesi gjyqësor të ketë në sfond zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Aktpadia e fundit, është e treta e ngritur kundër zotit Trump këtë vit, por e para që synon ta vërë para përgjegjësisë penale për përpjekjet për të mbajtur pushtetin në javët nga zgjedhjet të cilat ai i humbi deri më 6 janar, dita e sulmit ndaj Kapitolit që tronditi botën. Ish-presidenti deklaroi të enjten se ishte i pafajshëm në seancën ku iu paraqitën zyrtarisht akuzat. Atij iu dha urdhër të mos flasë për çështjen me dëshmitarë të mundshëm.
Zoti Trump ka thënë se nuk ka bërë asnjë shkelje dhe e ka akuzuar prokurorin Smith se po përpiqet të sabotojë shanset e tij për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.
Ai dhe republikanë të tjerë kanë denoncuar hetimin dhe Departamentin e Drejtësisë në përgjithësi, duke akuzuar për një sistem drejtësie me dy standarde që nga njëra anë vë në shënjestër ish-presidentin Trump dhe nga ana tjetër tregohet i butë ndaj djalit të presidentit Biden, Hunter që është akuzuar për vepra penale të lidhura me taksat pas një hetimi disavjeçar.
“Një tjetër ditë e errët në Amerikë ndërsa Joe Biden vazhdon ta përdorë si instrument politik Departamentin e tij të korruptuar të Drejtësisë kundër kundërshtarit të tij kryesor politik, Donald J. Trump,” tha anëtarja republikane e Kongresit, Elise Stefanik.
Vetë Departamenti i Drejtësisë nën drejtimin e administratës së zotit Trump, ishte bërë objekt i akuzave për politizim, duke u kritikuar ashpër ndërsa hetimi federal ndaj ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016, i vuri prokurorët në qendër të vëmendjes dhe nxorri në sipërfaqe skandale, të cilat zoti Trump pretendoi se ishin prova të “një shteti të fshehur” që vepronte kundër tij.
Raporti për Rusinë i hartuar nga prokurori i posaçëm, Robert Mueller mori ngjyrime politike, kur Prokurori i atëhershëm i Përgjithshëm, William Barr nxorri një dokument prej katër faqesh para publikimit të raportit, që u kritikua gjerësisht si një përpjekje për t’i paraqitur gjetjet e raportit si të favorshme ndaj zotit Trump.
Raporti aktual prej 448 faqesh i zotit Mueller, kishte shumë më tepër kontekst dhe detajonte pjesërisht udhëzimet e zotit Trump për të ushtruar ndikim apo minimizuar hetimin lidhur me Rusinë, pas emërimit të prokurorit të posaçëm në maj 2017.
Më 9 nëntor 2020, ndërsa zoti Trump filloi të pretendonte pa prova se mund të kishte pasur manipulime masive të votave, zoti Barr nxorri një udhëzim dukeu kërkuar prokurorëve që të hetonin çdo rast të dyshuar.
Por në fund të mandatit të administratës së zotit Trump, zoti Barr ishtte kthyer kundër ish-presidentit, duke i thënë agjencisë Associated Press para se t’i thoshte vetë zotit Trump se nuk kishte pasur manipulime masive me zgjedhjet.
Prokurori i Përgjithshëm Garland, një gjykatës federal apeli me një karrierë të gjatë, i cili kishte qenë i emëruari i ish-presidentit Barack Obama për një vend të gjykatës së lartë, por të cilit iu privua dalja për konfirmin në senat, për shkak të kundërshtimit të shumicës së atëherëshme republikane, u zgjodh në krye të Departamentit të Drejtësisë nga Presidenti Biden, si një faktor stabilizues.
Ai premtoi të kthente “normalitetin” në Departament dhe të rivendoste reputacionin e tij për pavarësi politike, si edhe të garantonte drejtësi të paanshme.
Jamie Gorelick, një juriste që ka shërbyer si zëvendës prokurore e përgjithshme në vitet 1990 dhe ka qenë kolege e zotit Garland për dekada, si edhe ka marrëdhënie miqësore me të, thotë se gjatë gjithë karrierës së tij, ai ka respektuar me besnikëri procedurat dhe normat e Departamentit të Drejtësisë.
“Këndvështrimi i tij ishte se duhet të bësh atë që duhet me përmes një procesi të detajuar dhe se nuk duhet të kapërcesh kompetencat e tua,” thotë ajo.
Ndërsa zoti Garland nuk ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në çështjen e zotit Trump që nga emërimi i Prokurorit të Posaçëm, Jack Smith, aktpadia e ngritur të martën pasqyron një qasje të ngjashme, shton ajo.
“Nuk mbështetet në teori të reja të ekzagjeruara. Nuk përpiqet të bëjë më shumë kur më pak do të kishte më shumë efekt”, shton zonja Gorelick.
Dhe në fakt aktpadia analizon kryesisht të njëjtat ngjarje që janë transmetuar drejtpërdrejt në televizion, ose që u detajuan gjatë hetimeve të Dhomës së Përfaqësuesve për trazirat e 6 janarit, ku protestuesit e dhunshëm rrahën dhe gjakosën punonjësit e policisë, thyen dritare dhe u futën në zyrat e ndërtesës së Kapitolit për orë të tëra.
Nëse zoti Smith e humbet çështjen, Departamenti i Drejtësisë mund të humbasë besueshmërinë, mes shtimit të kritikave të republikanëve për sistemin e drejtësisë amerikane. Nëse prokurorët e fitojnë çështjen, një ish-president mund të dënohet me burg.
Nëse zoti Trump rizgjidhet, ai mund t’i hedhë poshtë akuzat dhe ka thënë se ka në plan ta “reformojë plotësisht Departamentin e Drejtësisë dhe FBI-në”, pjesë e një përpjekjeje më të gjerë nga zoti Trump për t’i dhënë më shumë pushtet presidencës.
“Në këtë mes ka shumë elemente me të cilat do të merret Departamenti i Drejtësisë gjatë viteve në vijim”, thotë Robert Sanders, pedagog për sigurinë kombëtare në Universitetin New Haven. “12 muajt e ardhshëm do të jenë një fazë kritike në historinë e këtij vendi”./Zëri i Amerikës