Duke iu referuar akuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Kosovë, Milo tha në “Real Story” në News24 se duhet të pritet verdikti i gjykatës. Sipas tij, brenda aktakuzës ka opinion ndërsa kërkoi solidaritet në terma të matura nga shqiptarët.
“Gjykata Speciale është një institucion i ngritur posaçërisht për Kosovën në vitin 2015 dhe Gjykata Speciale nuk përfaqëson gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Është nën ombrellën e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës por nuk është vetë ajo. Është një trupë e posaçme që është ngritur për këtë çështje në Hagë. Shumë shpejt për mendimin tim do të dalë, do të vihet pika mbi ‘i’. Më ka bërë përshtypje, si është e mundur që një teknicien, se i tillë është në fushën juridike një prokuror, që e ka për detyrë të hetojë dhe të konkludojë duke paraqitur aktakuzën në një gjykatë, si është e mundur që në një moment që praktika juridike ndërkombëtare nuk e lejon që ai të shprehet publikisht e bën një veprim të tillë. Ka opinion brenda aktakuzës. Si është e mundur?! Rastësi nuk mund ta quajmë, sepse ajo është abc-ja e funksionimit të drejtësisë. Në këtë moment janë thyer rregullat juridike bazë që funksionojnë dy institucionet. Ky ka marrë përsipër të gjykojë jashtë territorit të vendit të cilit i përket, ky prokuror. Ka një kostum tjetër përtej kostumit të një prokurori lokal.
Para se të përcaktojmë me emër e mbiemër se kush është armiku, ne si shqiptarë në këtë moment na takon të bëjmë detyrën që do bënte çdo njeri në botë kur akuzohet një figurë e lartë politike që në fund të fundit është dikush. Në këtë pikëpamje ne duhet të shprehim solidaritetin në terma të matura që të lejojmë drejtësinë t’i shkojë punës deri në fund por solidaritetin duhet ta shprehim. Nuk është momenti që ne të ndahemi në kampe politike për të diskutuar një çështje të madhe që i kalon kufijtë e politikës, qoftë të majtë, qoftë të djathtë, qoftë të qendrës”, deklaroi Milo.
Ai tha më tej se kjo çështje ka të bëjë me Kosovën, ka të bëjë me stabilitetin dhe të ardhmen e Kosovës. “Duke qenë se është një çështje kombëtare e madh na takon të qëndrojmë pa qenë partizanë të zgjidhjeve ekstreme as të njërës palë dhe as të tjetrës por të mbajmë një qëndrim që ne duhet të jemi solidarë për të gjetur zgjidhjen më të drejtë të mundshme. Unë mendoj që momenti e kërkon. Gjykata është institucioni. Pa u shprehur gjykata nuk kemi të drejtë të japim verdiktin”, deklaroi ish-ministri i Jashtëm.