Pas akuzave në media dhe nga PD për tenderat, ka reaguar kompania Intech+ Sh.p.k., e cila përmes një deklarate për mediat i hedh poshtë duke akuzuar se po hidhet baltë me qëllim.
Pronari i kompanisë shprehet se xhiroja e subjektit është shumë larg vlerës së raportuar prej 11 milionë dollarësh dhe një gjë e tillë është shumë lehtë e verifikueshme.
Ndërsa në fund shprehet se “Sa per deklaraten e deputetes Jorida Tabaku, te PD, jemi shume te habitur dhe njekohesisht dhe te indinjuar, kur ajo shprehet “nje kompani modeste” per Intech+sh.p.k.ne deklaraten e saj, pasi ajo i njeh shume mire kapacitet teknike dhe aftesite e kompanise tone kur kemi punuar bashkarisht gjate viteve 2007-2008 ne projektin e financuar nga DFID me kompanine angleze te konsulences REPIM per ndertimin e sistemit informatik te buxhetit afatmesem ne Ministrine e Financave”.
Deklarata e plotë
Në përgjigje të raportimit të djeshëm (13/10/2015) nga një grup i caktuar mediesh, të cilat nëpërmjet hamendësimeve të pathemelta për përfitime të pamerituara hedhin qëllimisht hije dyshimi mbi veprimtarinë e shoqërisë me pronësi 100% shqiptare, Intech+ Sh.p.k., drejtues dhe pronar i vetëm i së cilës është i poshtënënshkruari, kam detyrimin moral dhe përgjegjësinë për sqaruar me fakte dhe shifra të pavërtetat dhe mjegullnajën që i është servirur abuzivisht opinionit publik.
Sipas këtyre raportimeve të fabrikuara, kompania në fjalë paska bërë “namin” duke përfituar rreth 11 milion dollarë nga tendera publikë, duke mos marrë as mundimin për të verifikuar paraprakisht faktet dhe të dhënat pranë subjektit tonë, por as të paktën pranë organeve tatimore, ashtu siç do ta kërkonte, në fakt, edhe deontologjia e etikës së gazetarit për raportimin e lajmit.
Ashtu siç provohet qartësisht nga faktet dhe shifrat, të dhënat e raportuara janë tërësisht të pavërteta.
Po, cilat janë në të vërtetë faktet?
Në 2014, subjekti Intech+ Sh.p.k., ka realizuar një xhiro prej 206,814,247 lekësh (shih bashkëlidhur një kopje të vërtetimit të xhiros nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve per 2014).
Gjatë 2015 (periudha janar-shtator) xhiroja e realizuar nga subjekti Intech+Sh.p.k. është 160,260,539 lekë (shih bashkëlidhur një kopje të vërtetimit të xhiros nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve per 2015).
Pra, është lehtësisht e verifikueshme se xhiroja e subjektit është shumë larg vlerës së raportuar prej 11 milionë dollarësh.
Do të mjaftonte një verifikim i thjeshtë për të kuptuar se qëllimi i raportimi të broçkullave të tipit, shpif, shpif se diçka do të mbetet, është thjesht dhe vetëm përbaltja dhe njollosja me çdo mjet e punës së subjektit.
Gjithashtu, për të kuptuar ecurinë e punës së subjektit Intech+ Sh.p.k., do të mjaftonte gjithashtu të verifikohej si më poshtë, xhiroja vjetore e 10 viteve të fundit.
Cili është në të vërtetë subjekti Intech+ Sh.p.k.?
Subjekti Intech+ Sh.p.k., është krijuar që në vitin 2001 nga dy njerëz të profesionit të teknologjisë së informacionit, dhe që prej krijimit e deri tani, nuk e ka ndryshuar natyrën e punës së tij, duke vijuar punën vetëm në fushën e aplikimit të teknologjisë informatike të avancuar.
Intech+ Sh.p.k., sjell dhe implemenon në Shqipëri teknologji informatike nga dy shoqëritë më të mëdha të informatikës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sic janë: Oracle dhe Microsoft.
Për cilësinë dhe performancën e lartë në veprimptarinë e vetë, Intech+ Sh.p.k., është nderuar në maj 2013 me çmim ekselence nga njëra prej kompanive më të mëdha amerikane në botë, si një nga 8 firmat inovative të Evropës Qendrore dhe Lindore, çmim që u fitua me konkurs ekselence nga një përzgjedhje midis mbi 3,000 firmave evropiane.
Për sa më sipër, modestisht, dëshiroj të informoj gjithashtu publikun, se Intech+Sh.p.k. nuk është rastësisht dhe konjukturialisht në tregun e teknologjisë së informacionit në Shqipëri, dhe as nuk është një nga kompanitë e krijuara konjukturalisht rishtazi, por e ka merituar vendin e saj në treg që prej vitit 2001.
Për të ilustruar performancën me cilësi të lartë ndërkombëtare të punës së Intech+Sh.p.k., do të mjaftonte të sillja në vëmendjen tuaj pak shembuj nga veprimtaria jonë, siç është p.sh., realizimi dhe implementimi prej shumë vitesh i sistemit informatik të menaxhimit të buxhetit për Qeverinë e Kosovës (fituar më garë ndërkombëtare në 2003, në bashkëpunim me një nga firmat më të mëdha evropiane të informatikës SchlumbergerSema, sot Atos Origin) , apo zbatimi dhe implementimi prej shumë vitesh i sistemit mobile banking të një prej bankave më të mëdha që operojnë në Shqipëri, apo sistemit të menaxhimit të burimeve njerëzore, pagave dhe menaxhimit të aseteve të disa prej bankave të huaja që operojnë në tregun shqiptar, pa përmendur projektet e tjera me shoqëritë ndërkombëtare të telekomunikacionit.
Në këto kushte dhe përsa më lart, është më se e qartë se sulmi i organizuar ndaj Intech+Sh.p.k. është fabrikuar dhe servirur me qëllime të caktuara, duke përbaltur dhe njollosur padrejtësisht punën e ndershme dhe me përkushtim të kësaj kompanie si dhe për të njollosur dhe përbaltur politikisht ish-ortakun tim që është larguar nga kompania që në vitin 2013.
Me respekt
Sokol Sinani
Pronar i Intech+ Sh.p.k.
PS: Sa per deklaraten e deputetes Jorida Tabaku, te PD, jemi shume te habitur dhe njekohesisht dhe te indinjuar, kur ajo shprehet “nje kompani modeste” per Intech+sh.p.k.ne deklaraten e saj, pasi ajo i njeh shume mire kapacitet teknike dhe aftesite e kompanise tone kur kemi punuar bashkarisht gjate viteve 2007-2008 ne projektin e financuar nga DFID me kompanine angleze te konsulences REPIM per ndertimin e sistemit informatik te buxhetit afatmesem ne Ministrine e Financave .