Akuza, edhe Ministrja e Mbrojtjes ka kopjuar temën e diplomës
Shtohet numri i ministrave gjermanë të akuzuar se kanë kopjuar temën e diplomës. Pas dy dorëheqjeve të detyruara, në shënjestër ka përfunduar edhe Ursula von der Leyen, Ministre e Mbrojtjes dhe kristian-demokrate si kancelarja Angela Merkel.
Një ekspert i njohur i plagjiaturave, e akuzon se “ka tejkaluar qartësisht kufirin e përcaktuar”, të kopjimit pa citime në tezën e specializimit në gjinekologji në Universitetin e Hanoverit në vitin 1991.
“Kjo punë nuk është e pranueshme, titulli i doktoreshës duhet t’i hiqet”, – ka thënë Martin Heidingsfelder, eksperti që kishte marrë pjesë në kërkimet me të cilat zbuloi kopjimin e ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg ( i detyruar të japë dorëheqjen katër vjet më parë) dhe të Anette Schavan, përgjegjëse e instruksionit e dorëhequr në vitin 2013.
Siç raportohet mes të tjerash nga sajti i televizionit “N-TV”, zbuluesit e plagjiaturave të platformës “VroniPlag Wiki”, të drejtuar nga Heidingsfelder, kanë identifikuar “citime jo të mjaftueshme të dhënash”, në 27 nga 62 faqet e tekstit.
Tre nga faqet e “inkriminuara”, përmbajnë rreth 50 dhe 75% të tekstit të plagjiaturës dhe pesë faqe janë kopjuar më shumë se tre të katërtat. Një profesor i së drejtës, Gerhard Dannemann, ka folur për një “rast të rëndë”. Heidingsfelder ka kujtuar se në një universitet ushtarak, në rast kopjimi ndëshkohesh rëndë.









