Humoristi Julian Deda, i cili është një nga emrat e lakuar si kandidat i mundshëm për primaret e Tiranës brenda PD-së shprehet se kryeqytetit gjithnjë ia kanë bërë me hile.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Deda shtron pyetjen se për çfarë ka nevojë Tirana, për një politikan karrierist apo për një njeri normal, jashtë politikës, që vjen thjesht për punuar?
Sipas tij, Tirana është shfrytëzuar dhe është përdorur si trampolinë për të synuar kreun e partisë.
“Këtë e dini ju, por unë di me siguri që deri më sot, Tiranës gjithmonë ja kanë bërë me hile, e kanë shfrytëzuar.
Kushdo që ka kandiduar për të marrë Tiranën, si majtas, si djathtas, e ka parë atë si trampolinë për të synuar kreun e partisë që përfaqëson dhe për t’u bërë kryeministër në një të ardhme, vetëm për kaq e duan kryeqytetin figurat politike.
Pra, asnjë politikan nuk e sheh Tiranën si vend pune, por si lopë për ta mjelë, për ta shfrytëzuar në interes të karrierës së vet politike.
Unë them, ta provojmë një herë ndryshe…!”, shkruan Deda.
/s.f