Nga Ylli Pata
Ka kohë që zyrat e propagandës së PD-së, gërshetuar edhe me komente të ndryshme të disa analistëve e gazetarëve pranë opozitës, po pompojnë në opinionin publik idenë se Lulzim Basha e ka të “mbyllme” punën e fitores në zgjedhjet e ardhshme, madje është kryeministër de fakto, problem është se nuk po gjen ministrat e duhur.
E si argument shtesë për të mbështetur tezën e fitores së PD-së dhe Lulit-kryeministër, sjellin logjikën se mazhoranca po ndryshon Kushtetutën, që të mos lejojë koalicionet-tren që të funksionojnë sipas modelit aktual.
Sipas tyre, Rama ka frikë se po i vjen fundi, ndaj po bën një sistem hibrid që kërkon të marrë rezultat në tavolinë.
Tani, sa frikë ka Rama e sa trim është Basha, këto më shumë janë çështje psikiatrësh, sesa analize e politikës.
Fakt është se sistemi elektoral, apo problemi i koalicioneve, është më shumë taktikë elektorale, sesa një çështje thelbi për të ardhur në pushtet.
Rezultantja finale janë votat, nëse merr vota më shumë, sido që të kesh listën e koalicioneve: horizontalisht siç janë tani, apo vertikalisht siç i do Rama, ke mundësi të bësh qeverinë, po nuk more më shumë vota, edhe mund të bësh qeveri, por të duhet të ndërtosh aleanca.
Çështja e ndërtimit të koalicioneve apo marrjes së votave për të rritur mundësinë e mandateve në Kuvend, është më shumë një taktikë e partive politike që ka ndryshuar gjatë çdo zgjedhjeje, sipas rastit.
Marrim rastin e vitit 2005, apo ai që u quajt Mega-Dushku. Sipas rezultateve finale të KQZ-së, partia që ka fituar më shumë vota në rang vendi janë republikanët e Fatmir Mediut, e cila renditet e para. E dyta është PSD e Gjinushit, e treta PS-ja, ndërsa PD-ja që krijoi qeverinë në atë vit, listohet në vend të 5-ë, pas LSI-së së Ilir Metës, që sapo kishte dalë.
Po çfarë ndodhi? PD dhe PS paraqitën në 100 zonat e mazhoritarit deputetë pa sigël partie, gjasme si të pavarur dhe orientuan elektoratin, që tek pjesa e proporcionalit të votonin partitë aleate. Të cilat morën shumë deputetë në kuotat e proporcionalit, por në fund ja dhanë partive të mëdha. Sidomos PR-ja që fitoi një numër të madh deputetësh, nuk i gëzoi dot, pasi ata ishin pjesë e grupit parlamentar të PD-së e viheshin në rresht nga Berisha.
Në vitin 2009 u hartua nga Kastriot Islami e Ilir Rusmali, çorba aktuale e koalicioneve. Ishte taktikë perfide që i shërbeu Partisë Demokratike për të marrë më shumë deputetë në Kuvend. Pse? Flasin rezultatet.
Koalicioni “tren” i PD-së me 16 parti, mori 712,745 vota në rang kombëtar. PD vetë mori mbi 610 mijë vota.
Koalicioni i PS-së me 5 parti mori 688.748 vota, kurse PS doli parti e parë me mbi 620 mijë vota.
Është folur shumë për rastin e 2009-s, por asnjëherë analiza nuk i është bërë e saktë. Siç shikohet nga shifrat, situata është thuajse barazim total. Kolicioni i PD-së nuk ka marrë më shumë se 23 mijë vota sesa ai i PS-së, e megjithatë ka marë plot 4 deputetë më shumë.
Aq sa i duheshin Berishës të kishte primatin për të formuar Qeverinë e re.
Me bashkimin e LSI-së në 2011, pra në zgjedhjet lokale, koalicioni “tren” i PD-së arrin shifrën e mbi 813 mijë votave, por duhet marrë për bazë se shumë vota janë marrë në logjikën e komunave, si pjesë e aleancave të vogla lokale. Se në fund, në zgjedhjet e 2011-s shumicën e qyteteve i fitoi opozita, ndërsa PD dhe aleatët morën shumicën në komuna.
Çfarë është koalicioni “tren”? Në një zonë elektorale, le të marrim për shembull Qarkun Tiranë, që ka 35 deputetë, një koalicion me 10 parti, paraqet 350 kandidatë, të cilët, përveç votave që marrin partitë, arrijnë të përfitojnë edhe vota në emër të tyre. Vota, që në fund, i shërbejnë ose partisë së madhe, ose partisë së dytë të koalicionit.
Kështu krijohen “partitë lokale”, modeli i së cilës ishte PDIU-ja, e cila arriti të krijojë pole politike në Fier, Peqin e Peshkopi, ndaj edhe sot përdoret shprehja “çamët e Dibrës”.
Në një koalicion me listë të përbashkët, votat që ka marrë koalicioni, shpërndahen sipas listës së deputetëve që është dorëzuar në KQZ. Ky është varianti më i qartë dhe më pak me hile.
Rasti i vitit 2009 është emblematik, ku një grupim politik vjen në qeveri për 4 vjet, me vetëm 23 mijë vota më shumë, për të cilat merr jo 1, por 4 deputetë.
Në vitin 2013, që PS erdhi në pushtet, koalicioni i saj me 39 parti arriti të marrë 993 mijë e 904 vota. Nga këta, mbi 713 mijë i mori PS-ja dhe mbi 180 mijë LSI-ja. Ndërkaq, koalicioni i PD-së mori 680 mijë vota, ku vetëm Partia Demokratike mori më shumë se 520 mijë vota.
Një shembull që diferencën e bënë votat dhe jo taktika, pasi diferenca e madhe edhe si koalicion, edhe si parti, i fitores së PS-së, nuk lejonte mundësi për lojëra shifrash.
Që zoti Basha t’i fusë frikën me të vërtetë Edi Ramës, duhet të arrijë të paktën shifrën e 700 mijë votave si koalicion apo parti.
Deri tani në zgjedhjet që është paraqitur Basha si kryetar i PD-së, ka arritur shumë më pak se kaq…/ TemA