Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, gjatë diskutimeve për “Aktin Normativ” të paraqitur nga qeveria për disa ndryshime në buxhetin e shtetit të vitit 2024, tha në fjalën e saj se qëllimi i vërtetë i këtij Akti është kalimi i fondit 400 milionë euro për Portin e Durrësit, pavarësisht se u deklarua se ky port nuk do të ndërtohej me fondet e Buxhetit të Shtetit.
Tabaku, duke folur për projektin e zhvillimit në Sazan, u shpreh se ai më parë duhej të kishte ardhur e të diskutohej në parlament.
“U bënë takime me donatorë, u bënë konsultime me banka zhvilluese, u bë prezantim projekti dhe u tha, ashtu siç thoshte dhe ai specialisti i buxheteve që sot është në kërkim ndërkombëtar, asnjë para nuk do të dalë nga buxheti i shtetit për të ndërtuar Portin e ri. Kjo retorika boshe me NATO-n, e kundër zhvillimit, e çdo fantazi tjetër që nuk ka dalë kurrë nga goja e askujt, të paktën jo nga opozita, unë besoj që sot nuk ka vlerë për t’u diskutuar në këtë parlament, sepse fakti është ndryshimi i parë që erdhi për buxhetin. Shtetit kalon të paktën 80 milionë euro për shumën totale të Portit të Durrësit e 190 milionë euro. Realitet i ri në buxhetin e shtetit që u premtua që nuk do të ndodhë, që u premtua se nuk do të jetë kjo mënyra se si do të ndërtohet Porti i ri i Durrësit”, tha Tabaku.
Sipas saj, e njëjta skemë, pak a shumë, u përdor dhe për Teatrin e Tiranës, pasi u premtua që, Teatri do të ndërtohej me fonde dhe erdhi në këtë parlament me ligj special, e si përfundim do të ndërtohet po me të njëjtën skemë.
“E njëjta skemë u përdor edhe me 3 ligje të ndryshuara për interesa aspak publikë, aspak të gjithë shqiptarëve, por tërësisht klienteliste”, shtoi Tabaku.
Ajo ngriti akuza e dhe për ligjin e zonave të mbrojtura, duke e cilësuar atë si “klienteliste”.
“Në një procedurë ekstra parlamentare, duke zhbërë të gjitha dëgjesat publike me shoqatat e mjedisit dhe qytetarët, u ngritën kartonat verbazi në këtë sallë, siç u ngritën për Portin e Durrësit dhe për Teatrin e Tiranës. Më pas, me po të njëjtën formulë u shty për herë të 5-të Ligji për Investimet Strategjike, që në 75% të rasteve ka dhënë leje për resorte turistike në jugun e Shqipërisë edhe në zona të mbrojtura, Butrinti është njëra prej tyre. Dhe së fundmi, por jo nga rëndësia, ndryshimet ligjore në lidhje me menaxhimin e zonave bregdetare, sigurisht me të njëjtët përfitues”, tha Tabaku.
Sipas saj, zyrtarët po kërkojnë t’i shmangen firmës, përmes Këshillit Kombëtar të Territorit.
“Unë nuk them se në këto 30 vite nuk ka pasur ndërtime në zona të mbrojtura, të cilat janë rritur në mënyrë eksponenciale në fakt, që shkojnë nga Aeroporti i Vlorës e vazhdojnë edhe në hidrocentrale. Mund të hiqeshin e arnoheshin me copa-copa Shqipëria si ka ndodhur rëndom nga Vlora në Butrint. Mirëpo këto veprime hasnin në dy probleme të mëdha, së pari, angaria për të kapur e mbledhur dhe për të krijuar grupe pune për t’i përdorur ato si justifikime, dhe nga ana tjetër, sigurisht përgjegjësisë që del nga firma e këtyre zyrtarëve. Për rrjedhojë, zgjidhja inteligjente që zbuloi qeveria ishte ajo e heqjes së përgjegjësisë. Nga përgjegjësia individuale ia kalojmë Këshillit Kombëtar të Territorit, nga përgjegjësia e drejtorëve ia kalojmë parlamentit, nga përgjegjësia e ministrave, ia kalojmë përgjegjësisë kolektive. Kjo ka ndodhur me këto tre ligje, kjo ka ndodhur si tendencë tre vitet e fundit dhe kjo pikërisht ia zbeh e ia zhvlerëson vlerën dhe aq sa i ka mbetur këtij parlamenti”, tha Tabaku.
Sipas saj, të tre këto ligje, më vjen keq ju pak kolegë që kemi mbetur këtu në sallë, tregojnë pikërisht atë që kemi vite që e themi, bërjen e ligjeve me porosi, sikundër dhe dëshmojnë frikën që kanë sot nga drejtësia. Në të tre ligjet ka vetëm një tendencë, përgjegjësia individuale përballë asaj kolektive.
“Të tre këto ndryshime ligjore erdhën kur në mediet ndërkombëtare njoftuan interesin për zhvillim në Ishullin e Sazanit dhe u konfirmua se janë në planin e qeverisë për t’u dhënë një kompanie serioze të huaj për ndërtime resortesh turistike. Duke qenë se kam folur gjatë për mungesën e investimeve të huaja serioze, por njëkohësisht dhe garën e humbur me rajonin, me të gjithë vendet e rajonit për investimet e huaja, serioze por dhe e vendeve të humbura të punës, si rezultat i mungesës së tyre unë besoj që sot qeveria po e shikon dhe ekonominë, dhe turizmin gabim. Kur pretendojmë të marrim investime serioze amerikane, së pari të respektojmë pronën publike e private dhe rregullat elementare të tregut të lirë që ka dhe SHBA. Mund të kishte një garë publike me kritere të mirëhapura, me transparencë, mund të kishte një proces që të kishim dijeni të gjithë ne, po jo marrja e një projekti pasi janë ndryshuar tre ligje dhe bëhet fakt i kryer”, tha Tabaku.
Deputetja e PD-së ngriti pyetjen se: nëse ky projekt paska qenë kaq strategjik, kaq i rëndësishëm për Shqipërinë, pse nuk erdhi të diskutohej në Kuvend.
“Na pengojnë tre ligje për ta bërë këtë investim, a është më normale të hapim një diskutim publik në këto raste, për të mirën publike? Apo duhet ta bëjmë fakt në parlament, mbasi ngrihen kartonët dhe përdoret parlamenti? Kjo nuk do të thotë aspak se turizmi nuk duhet të zhvillohet, por ky zhvillim duhet të vijë duke zbatuar rregullat dhe ligjet, parimet dhe standardet”, tha Tabaku.
Duke folur për integrimin në BE, Tabaku tha se sot, 21 deri 22 mars zhvillohet Këshilli Evropian dhe se fatkeqësisht Shqipëria nuk është në agjendë.
“E kemi humbur mundësinë që të hapim negociatat këtë vit dhe unë do kisha pritur në fakt që të kishin dhënë dhe një sqarim e një shpjegim në këtë parlament. E humbëm mundësinë që ta vendosim procesin e integrimit në krye të reformave e ta vendosim atë promotor të zhvillimit të vendit. Që çdo gjë që zhvillohet këtu në Shqipëri dhe çdo ligj që miratohet në Parlament të ketë atë frymë, pavarësisht se ndoshta ndodhemi 10 hapa pas në hapa dhe në reforma. Sot do kisha pritur që ky parlament, në vend të votonte ligje të tilla me porosi, të ulej të diskutonte se çfarë duhet të bëjmë ne për të luftuar korrupsionin se nuk është mjaft ndëshkimi, por duhet të merremi dhe me parandalimin. Se çdo ligj që votohet në këtë parlament, duke filluar nga prokurimet publike, tek koncesionet, duhet të jenë në frymën dhe standardin e atyre ligjeve që ka dhe BE”, nënvizoi Tabaku.
Ajo theksoi se Shqipëria ka nevojë për një kthesë rrënjësore për të luftuar korrupsionin dhe nuk pritet që këtë ta bëjë qeveria, e cila, sipas saj, shpenzon më shumë kohë në SPAK se në zyrat e saj.
“Sot ka nevojë që korrupsionin ta luftojnë ata që kanë moral e nuk mund të flasin për luftën ndaj korrupsionit ato që i kanë rreshtuar zyrtarët sot përpara drejtësisë. Këtë duhet të bëjë parlamenti sot, të kalojë mbi interesat personale të secilit dhe interesat politike e partiake e të kalojmë në procesin e integrimit megjithëse jemi pas, me oferta konkrete, për ta ndryshuar këtë filozofi, por kjo duhet të fillojë nga Parlamenti. Nga mosmiratimi i ligjeve me porosi që ngrihen kartonat verbazi, ashtu si akti normativ sot, ashtu si buxheti i vitit të kaluar, ashtu si investimet strategjike 5 herë e ashtu si 12 ligje të tjera. Këtu fillon tek vullneti politik që se ka pasur dhe nuk ka pse ta ketë sot qeveria!”, përfundoi Tabaku.
/a.r