Policia ka vijuar me aksionet për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, teksa mbrëmjen e kësaj të enjteje është njoftuar për asgjësimin e 3.050 bimëve të dyshuara si cannabis sattiva.
Operacionet policore janë zhvilluar në dy vendndodhje të ndryshme, njëra në Tepelenë, ku janë asgjësuar 750 bimë hashashi, e tjetra në Memaliaj, ku janë asgjësuar 2.300 bimë.
Droga e asgjësuar me anë të djegies në Memaliaj u zbulua në vendin e quajtur Drobil të fshatit Krahës dhe ishte mbjellë në 5 parcela
Ndërsa operacioni policor në Tepelenë është zhvilluar në vendin e quajtur “Korije” të fshatit Kurvelesh, e ku bimët narkotike ishin mbjellë në 3 parcela.
Në të dyja rastet, policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kultivimit të kësaj sasie bimësh narkotike.