Aksioni i pastrimit të Tiranës, 50 mijë vullnetarë pastrojnë 12 mijë ton mbetje
Aksioni i nisur dje nga Bashkia e Tiranës për pastrimin e qytetit në një ditë u mbështet nga 50 mijë vullnetarë, të cilët kanë mundur të largojnë jo pak, por 12 mijë ton mbetje. Një ditë pas aksionit dhe pas grumbullimit të informacionit nga grupet e punës që udhëhoqën këtë aksion, mësohet se mijëra vullnetarë kanë arritur që të pastrojnë mbi 130 km rrugë.
Gjithashtu, ka pasur edhe një angazhim të 300 forcave të ushtrisë, të cilët sëbashku me mjetet e tjera të rënda të ndërmarrjeve të pastrimit të Bashkisë së Tiranës kanë arritur që të heqin më shumë se 1500 metra kub inerte nga zona të ndryshme të kryeqytetit. Nga ana tjetër, aksioni i konsideruar i suksesshëm nga drejtues të bashkisë ka sjellë pastrimin e 80 hot – spoteve, të identifikuara si zona shumë problematike.
“50,000 vullnetarë në aksion, 12,000 ton mbetje u pastruan. Një qytet u ngrys sot më i pastër. Fuqia e njerëzve të mirë!”, ka shkruar në Twitter kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Këtij aksioni u janë bashkuar gjithashtu, dhjetëra biznese të cilët përreth zonës ku ushtrojnë aktivitetin kanë kontribuar në aksion për pastrimin e Tiranës me punonjës të tyre dhe mjete të rënda që kishin në dispozicion.









