Speciale Javanews/ Ashpërsimi i ndëshkimeve për vjedhësit e energjisë, një prej nismave kryesore dhe njëkohësisht më të vështira të qeverisë Rama, përveçse ka minimizuar humbjet në rrjet duket se ka sjellë edhe një problem. Sistemi i gjykatave në vend, po përballet me një fluks të shtuar të rasteve të vjedhjes së energjisë, një pjesë e madhe e të cilave janë konkluduar me dënimin me burg. Por, kjo masë duket se ka mbushur burgjet me vjedhës të energjisë. Ky aksion u ndërinstitucionalizua, pas krijimit të një task force të përbashkët edhe me prokuroritë në rrethe.
Statistikat e policisë
Vepra penale e vjedhjes së energjisë elektrike rezulton se ka numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara në Prokurori dhe ato të proceseve gjyqësore të përfunduara në gjykatë. Shifrat janë të frikshme. Policia e Shtetit që nga viti 2014 e në vijim për çdo javë raporton për aksionin e përbashkët me OSHEE kundër abuzuesve me energjinë elektrike. Raportohen gati 40 kontrolle në ditë dhe nga këta për 30 persona nis procedimi penal. Ndërkohë në një muaj bëhet me dije se numri i të proceduarëve shkon deri në 200.
Statitstikat e Prokurorisë dhe gjykatës
Policia e shtetit dorëzon çdo javë dosjen me procedimet përkatëse, por është akuza ajo që duhet të vendosë në sitë, duke ulur ndjeshëm numrin e atyre që përfundojnë në gjykatë. Policia e Shtetit çdo javë referon në Prokurori rreth 30-40 kallëzime për këtë vepër penale. Ndërkohë nga ana e organit të akuzës bëhet me dije se është rritur ndjeshëm numri i personave që hetohen dhe dënohen për këtë vepër. Nga statistikat për vitin 2014 bëhet e ditur se gjatë një viti u dërguan për gjykim të paktën 1300 persona për akuzën e vjedhjes së energjisë elektrike dhe impulsive telefonike në të gjithë vendin. Ndërkohë vetëm në Tiranë u depozituan rreth 150 kallëzime. Kjo shifër është tepër e lartë nëse e krahasojmë me atë të vitit 2013, ku për gjithë vitin në të gjithë vendin u proceduan vetëm 410 persona.
Për vitin 2014 në Gjykatën e Tiranës nga ana e prokurorisë u dërguan për gjykim 80 persona, me akuzën e vjedhjes së energjisë elektrike. Nga kjo shifër rezulton se përfundoi gjykimi për 40 prej tyre, të cilët u dënuar me burg nga 1 deri në 2 vite. Sipas statistikave zyrtare të Gjykatës së Tiranës mësojmë se në vitin 2015, shkuan për gjykim 388 procedime penale për persona që kanë konsumuar akuzën e “vjedhje të energjisë elektrike”. Nga këta rezulton se janë dënuar 230. Masa e dënimit për të gjithë gjyqtarët duket se është e njëjtë. Ata nuk e kalojnë dënimin me burg deri në 2 vite. Kjo masë dënimi aplikohet kryesisht për persona që kanë kryer më shumë se një lidhje të paligjshme dhe e kanë përdorur për biznes. Shërbimi i Provës është ai që aktualisht ka nën mbikqyrje numrin më të madh të personave të dënuar për vjedhje të energjisë elektrike. Për vitin 2016 niveli i arrestimeve dhe procedimeve të dërguara në gjykatë mbahet i njëjtë, me atë të vitit 2015. Në dy muajt e parë të vitit janë dërguar nga prokuroria drejt gjykatës 88 procedime penale për veprën e vjedhjes së energjisë elektrike. Nga këto është arritur të përfundojnë 34 prej çështjeve dhe personat të dënohen pothuaj të gjithë me burg. Nga 2 muaj deri në 2 vite. Për një pjesë është aplikuar pezullimi i vuajtjes së dënimit.
Ndëshkimet për vjedhjen e energjisë
Nëse vjedh energjinë më shumë se një herë dënohesh deri në tre vjet, por nëse vjedh energjinë për qëllime biznesi, masa e dënimit do të jetë deri në 5 vite burgim. Këto janë ndryshimet e Kodit Penal. Dënimi në fakt përfshin vjedhjet në rrjetin e energjisë dhe jo mospagesën në kohë të saj. Propozimet e reja parashikojnë sanksione më të ashpra për ata që vjedhin energjinë më shumë se një herë dhe në bashkëpunim, si dhe për ata që dëmtojnë qëllimisht matësin e energjisë. Burgu për këta persona do të variojë nga 1 deri në 5 vite. Më parë, Kodi Penal vjedhjen e energjisë e cilësonte edhe si kundravajtje dhe vepër penale. Por me ndryshimet e reja, vjedhja e energjisë quhet vetëm vepër penale. Gjithashtu, gjobat për ata që vjedhin me ndryshimet e reja ligjore variojnë nga 500 mijë deri në 5 milionë lekë”.
Varianti i vjetër në Kodin Penal
Neni 137 – Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike
- Lidhja e paligjshme me rrjetin e energjisë elektrike, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim gjer në dy vjet. 2. Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike dënohet me burgim gjer në tre vjet.
Ndryshimet në Kodin Penal, neni 137
Neni 137 – Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike
“Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike, dëmtimi i matësve me qëllim përfitimi të paligjshëm, si dhe çdo ndërhyrje tjetër e paligjshme dhe e paautorizuar në sistemin e matjes apo në rrjetin elektrik, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në tre vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose nga përdoruesit jofamiljarë të energjisë elektrike, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet dhe me gjobë nga 500 mijë deri në 5 milionë lekë”.