Foshnja 3-muajshe që u aksidentua të dielën në vijat e bardha në “Rrugën e Kavajës” në Tiranë, ka dalë nga spitali dhe fatmirësisht është në gjendje të mirë shëndetësore.
Gazetarja e Klan News, Glidona Daci, raporton nga Spitali i Traumës se ka komunikuar me familja të çiftit të plagosur, të cilët thanë se edhe dy bashkëshortët që u përplasën nga makina së bashku me foshnjen e tyre, kanë dalë nga kujdesi intensiv dhe janë jashtë rrezikut për jetën në gjendje të stabilizuar.
Jashtë kamerave, familjarët e të aksidentuarve kanë kërkuar që të ndëshkohet fajtori, duke thënë se kjo ngjarje mund të përfundonte edhe në tragjedi.
Ajas Sulejmani, shoferi që aksidentoi familjen në vijat e bardha, është arrestuar dhe ka rezultuar se ishte nën efektin e lëndëve narkotike kanabis në momentin e aksidentit.
Pas ngjarjes ai u arratis nga vendi i aksidentit, por u arrestua 2 orë më vonë. Ajas Sulejmani është gjobitur disa herë për shkelje të ndryshme rrugore gjatë muajve të fundit.
/a.r











