Dashnor Deliallisi, 36 vjeçari që u bë shkak i aksidentit të mëngjesit të sotëm, ku humbën jetën 4 persona, përfshi dhe ai, ishte në ndjekje nga policia e shtetit, në momentet e tragjedisë së ndodhur në Sukth.
Lajmin e konfirmon vetë policia e Durrësit, e cila përmes një komunikate për shtyp sqaron detajet e reja.
“Në datë 13.10.2016, në afërsi të karburant “Kastrati”, shërbimet e Rendit dhe të Qarkullimit Rrugor Durrës ishin në pikë kontrolli kur kanë konstatuar një mjet tip “Benz” duke ecur në krah të kundërt dhe me shpejtësi tej normave të lejuara.
Shërbimet e policisë i kanë bërë shenjë të ndalonte, por drejtuesi i mjetit ka shtuar shpejtësinë duke vënë në rrezik jetën e punonjësve të policisë.
Menjëherë efektivët e policisë në postobllok kanë njoftuar Sallën Operative dhe janë vënë në ndjekje , por mjeti është shkëputur duke përfituar në kohë pasi lëvizte në sens të kundërt dhe shërbimet e policisë nuk kanë lëvizur në sens të kundërt.
Këto shërbime kanë konstatuar pak minuta më vonë se po ky mjet ishte përfshirë në një aksident në autostradën Tiranë-Durrës, në Sukth, rreth orës 04: 15.
Për pasojë kanë humbur jetën në aksident drejtuesi i mjetit tip “Benz” Dashnor Deliallisi, 36 vjeç, banues në Durrës, i cili u përplas me mjetin tip “Benz” me targa AA 694 IL.
Gjithashtu humbën jetën Greta Sherifi 23 vjeçe, banuese në Sarandë, pronare e makinës, Izabela Balla, 33 vjeçe, si edhe Elona Kaçibaros, 34 vjeçe, banuese në Tiranë.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.”- shkruhet në njoftim.
Një grup hetimor i përbërë nga ekspertë të aksidenteve dhe mjeko-ligjorë kanë marrë në dorë çështjen e aksidentit tragjik me 4 të vdekur në autostradën Tiranë-Durrës, në Sukth.
Nga ekspertiza paraprake rezultoi se duke parë dëmtimet në qafë të viktimave asnjë prej të përfshirëve në aksident nuk ka pas rrip sigurimi. Dyshohet se 36-vjeçari Dashnor Deliallisi ka qenë nën efektin e alkoolit ose drogave të forta, por zyrtarisht kjo nuk konfirmohet.
Po kështu mësohet se aksidenti ka ndodhur rreth 10-12 km larg pikës së kontrollit të policisë.
Aksidenti i katërfishtë ndodhi mëngjesin e sotëm rreth orës 4, ku automjeti tip “Benz” që drejtohej nga 36-vjeçari Dashnor Deliallisi, banues në Durrës, i futur në autostradë në sens të kundërt dhe me shpejtësi tej normave u përplas me mjetin tip “Benz” me targa AA 694 IL ku udhëtonin 3 vajza të reja.
Si pasojë e përplasjes kokë më kokë të dy makinave, të 4 personat mbetën të vdekur në vend. Sipas policisë së Durrësit, shtetasi Dashnor Deliallisi, i cili po lëvizte në sens të kundërt, është konstatuar nga postblloku i policisë, të cilët i kanë bërë shenjë të ndalojë. Por pavarësisht kësaj, 36-vjeçari ka shtuar shpejtësinë dhe vetëm pak minuta më pas ka shkaktuar aksidentin.
VIKTIMAT
Dashnor Deliallisi, 36 vjeç;
Greta Sherifi, 23 vjeç;
Izabela Balla, 33 vjeç;
Elona Kaçibaros, 34 vjeç.
/java/a.k










