Avokati i Popullit ka reaguar pas aksidentit të rëndë që ndodhi në aksin Këlcyrë-Përmet të martën ku humbën jetën 8 persona, shoferi dhe 7 emigrantë të paligjshëm.
Avokati i Popullit ndalet tek emigracioni i jashtëligjshëm, për të cilin thotë se është një sfidë mbarëbotërore dhe që dekadën e fundit po përballet fort edhe vendi ynë.
“Ka shumë arsye që njerëzit vendosin të emigrojnë, përfshirë shkëputjen nga konfliktet, kërkesën për mundësi të reja punësimi dhe dëshirën për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre dhe të familjes. Kjo ngjarje duhet të shërbejë si kambanë alarmi për forcimin e masave ndaj kontrollit të emigrimin të paligjshëm dhe për të promovuar rrugë legale dhe të sigurta për emigracionin. Adresimi në nivel global i çështjes së migracionit duke trajtuar shkaqet në origjinë, është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme”, thuhet në deklaratën e Avokatit të Popullit.
“Është e rëndësishme që politikat dhe ligjet të mbrojnë të drejtat e emigrantëve dhe të sigurojnë që ata të trajtohen me dinjitet dhe respekt. Përsa më sipër, Avokati i Popullit ka hartuar disa raporte dhe ka dhënë rekomandime ku ka adresuar çështje me rëndësi mbi këtë temë. Kjo ngjarje duhet të na kujtojë për rëndësinë e jetës dhe nevojën për ta ruajtur dhe mbrojtur jetën njerëzore në çdo rrethanë”, thuhet në reagim.
Ngjarja e rëndë ndodhi në afërsi të fshatit Kuqar ku makina tip “Benz” që drejtohej nga 24-vjeçari Edison Bregaj, dyshohet se ka “fluturuar” mbi 500 metra për të rënë më pas anës lumit Vjosa. Brenda makinës së tij ndodheshin 7 emigrantët e paligjshëm. Ngjarja ndodhi pasi Bregaj u mundua t’i largohej me shpejtësi patrullës së policisë.
/a.r