Gjykata e Vlorës është duke vlerësuar masën e sigurisë për biznesmenin 44 – vjeçar, Fatmir Kuçi, i dyshuar se goditi për vdekje nga pakujdesia me skaf, turistin rus Denis Kaiumov.
Vlerësimi i masës së sigurisë po bëhet në spitalin e Vlorës, ku Kuçi ndodhet i shtruar që prej të premtes, pasi ka shfaqur probleme me zemrën.
Të pranishëm në Gjykatën e Vlorës kanë qenë dhe përfaqësues të Ambasadës ruse, të cilët e kanë ndjekur me seriozitet rastin, që nga momenti kur ndodhi ngjarja.
Prokurori i çështjes, në kërkesën për caktim mase, ka përcaktuar 30 ditë burg për biznesmenin. Kjo kërkesë motivohet me faktin se prokuroria është në pritje të akteve të ekspertimit mjeko – ligjor, atij biologjik, marrjen e të dhënave nga paisja GPS mbi lëvizjen e mjetit lundrues, kqyrjen e imtësishme të mjeteve lundruese në pronësi të 44 – vjeçarit dhe si dhe pyetjen e dëshmitarëve të tjerë mbi ngjarjen.
Paraditen e 3 Gushtit, turisti rus Denis Kaiumov u godit për vdekje nga një mjet motorik lundrues teksa notonte në plazhin e Livadhit./klan/a.k