Fatmir Matoshi, kryetar i Kuvendit të AKR-së dhe zëvendësministër i Mjedisit, në Interaktiv të KTV-së, ka folur për zhvillimet e fundit që lidhen me Qeverinë së Kosovës.
Ai tha se takimet e partisë janë të rregullta, ku tha të jenë diskutuar ngjarjet e fundit, kryesisht çështja e kërkesës së kryeministrit Ramush Haradinaj për lirim nga detyra të ministrit Flamur Sefaj, por të mos jetë marrë asnjë vendim.
“Ne e kemi diskutuar, por s’kemi marrë asnjë lloj vendimi. Kemi disa riorganizime brenda partisë, në disa degë ku do të mbajmë zgjedhje së shpejti. Kemi folur edhe për funksionimet në Qeveri. Të gjithë e kanë përkrahur punën e ministrit Flamur Sefaj dhe jemi shumë krenarë me punën që e ka bërë në MPB. Ne nuk e kemi pranuar një kërkesë nga kryeministri Haradinaj, kërkesën e ka pranuar ministri Sefaj, për lirim nga detyra, dhe kjo çështje është ende në fazën e diskutimit.
Ministri Sefaj ka kërkuar nga kryeministri Haradinaj për disa sqarime shtesë për rastin, dhe sigurisht se ai do t’i merr këto sqarime. Aksioni (për arrestimin dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq) s’është ndërmarrë nga MPB, por nga AKI.
Kushtetuta dhe Ligjet e përcaktojnë qartë se kujt i raporton drejtori i AKI-së dhe ndoshta i vetmi faj i ministrit Sefaj është që s’e ka njoftuar Kryeministrin me atë se çka po ndodhë por që këtë është dashur ta bëjë drejtori i AKI-së”, tha Matoshi, raporton Koha.net.
Matoshi theksoi se partia ende nuk e ka pranuar kërkesën për shkarkim të ministrit Sefaj, dhe tha se vendimin do ta marrim nesër, ndërsa theksoi se AKR nuk dëshiron që ministri Sefaj të shkarkohet vetëm pse këtë e kërkoi Lista Serbe. (b.an)










