Agjencia që rregullon komunikimin, thotë se futja në fuqi e një ligji të mosdiskriminimit uli tarifat dhe zgjeroi kohën e thirrjeve, ndërkohë që numri i SMS-ve të dërguara nga përdoruesit celularë u reduktua me 12%.
Shqiptarët po heqin dorë nga përdorimi i SMS-ve që po zëvendësohen me aplikacionet. Sipas raportit të fundit të AKEP mbi telekomunikimin në vend, përdorimi i mesazheve nga celulari ka një rënie drastike me 12 për qind, gati po aq sa rënia e përdorimit të telefonisë fikse. Ndërkohë AKEP njofton ulje të mëtejshme të tarifave gjatë 2015, ndërsa bën me dije se kjo ka shtuar kohën e komunikimit dhe po ashtu edhe përdorimin e internetit përmes telefonit.
“Më 1 Korrik 2015 hyri në fuqi detyrimi i operatorëve celularë për mosdiskriminim në tarifat e thirrjeve brenda rrjetit dhe drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare. Zbatimi i këtyre detyrimeve çoi në ndryshime të ndjeshme të planeve tarifore dhe strukturës së thirrjeve të përdoruesve celularë. Këto ndryshime nga të katër operatorët celularë kanë çuar në rritje të përfitimeve të përdoruesve fundorë, pasi sasia e minutave të përfshira në pagesat fikse është e mjaftueshme dhe duke filluar nga pagesa shumë të ulëta fikse. Efektet e këtyre ndryshimeve janë vënë re në sasinë e thirrjeve dhe strukturën e thirrjeve të përdoruesve të katër operatorëve celularë”, thuhet në raportin e AKEP. AKEP po ashtu përmend në raport përmirësime teknologjike dhe zgjerim të përdorimit të internetit sidomos përmes celularit, por edhe në formatin broadband (rrjetit fiks). Raporti sheh një përmirësim edhe në të ardhurat e kompanive, që patën pësuar rënie pas vitit 2014 dhe po ashtu edhe ndryshime në ndarjen e tregut edhe pse operatorët e rëndësishëm kanë ruajtur pozitat.
Raporti i AKEP
Në vitin 2015, thirrjet brenda rrjetit u reduktuan sipas raportit me 16% ndërsa thirrjet drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare (off-net) u rritën me 2.4 herë, në krahasim me vitin 2014. Pesha e thirrjeve brenda rrjetit ndaj totalit të thirrjeve dalëse nga 84% në vitin 2014 u ul në 69% në vitin 2015. Sasia e thirrjeve drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare pati rritjen më të madhe në 2015-n dhe pesha e tyre në totalin e thirrjeve dalëse celulare në 2015 arriti në 18% krahasuar me 8% në vitin 2014. Ndryshimet më të ndjeshme të strukturës së thirrjeve janë vënë re në korrik 2015 e në vijim, që përkon me afatin e fillimit të aplikimit të detyrimit të mosdiskriminimit në rrjetet e katër operatorëve celularë. Në periudhën korrik-dhjetor 2015, trafiku off-net është rritur me 65%, ndërsa trafiku on-net është reduktuar me 21%.
Rritja e ndjeshme e sasisë së trafikut off-net dhe reduktimet e tarifave të terminimit kanë çuar dhe në ndryshime të ndjeshme të të ardhurave/pagesave neto midis operatorëve celularë për trafikun e terminuar në rrjetet e tyre, të cilat kanë rritur aftësitë konkurruese të dy operatorëve më të vegjël dhe të rinj në treg, Plus dhe Albtelecom (EM).
Pjesët e tregut të operatorëve celularë nuk patën ndryshime të ndjeshme gjatë vitit 2015. Vodafone Albania vazhdon të jetë operator lider me pjesë tregu respektivisht 43 dhe 49% për treguesit kryesorë të numrit të përdoruesve, të ardhura dhe thirrje dalëse. Albtelecom dhe Plus patën luhatje të vogla me rritje ose reduktim deri në 2 pikë përqindje të pjesëve të tregut për treguesit kryesorë. Numri i pajtimtarëve të telefonisë fikse ka pasur tendencë reduktimi, duke filluar nga viti 2012 dhe në vitin 2014 rënia vjetore ishte 16%. Kjo tendence rënieje ka vazhduar edhe në vitin 2015, megjithëse me normë më të ulët rënieje, me rreth 4%.
Abonentët
Numri i pajtimtarëve të telefonisë fikse në fund të vitit 2015 ishte rreth 227 mijë dhe norma e penetrimit për telefoninë fikse (numër pajtimtarësh për 100 banorë) arriti në 8%, që është shumë më e ulët se në vendet e BE apo edhe të rajonit. Rënia e përdorimit të shërbimeve të telefonisë fikse vihet re edhe në reduktimin e sasisë totale të thirrjeve të gjeneruara nga rrjetet fikse dhe sasinë mesatare mujore të thirrjeve telefonike nga një përdorues, të cilat u reduktuan me 17 dhe 19% në krahasim me vitin 2014. Reduktimi i ndjeshëm i tarifave celulare në vitet e fundit ka rritur në masë të madhe efektin zëvendësues të thirrjeve nga rrjete fikse me thirrje nga rrjete celulare. Kjo vihet re në konvergjencën e nivelit të tarifave nga rrjetet celulare dhe nga rrjetet fikse, konvergjencën e kohëzgjatjes mesatare të thirrjeve nga rrjetet celulare dhe fikse, si dhe në ecurinë e thirrjeve nga rrjetet fikse dhe celulare, në vitin 2014 thirrjet nga rrjetet fikse përbënin vetëm 3% të totalit të thirrjeve telefonike nga rrjetet celulare dhe fikse së bashku.
Megjithëse shërbimet e telefonisë nga rrjetet fikse kanë pasur reduktim të ndjeshëm në vitet e fundit, shërbimet e aksesit broadband nga rrjete fikse kanë vazhduar të kenë rritje të qëndrueshme në 5 vitet e fundit. Numri i pajtimtarëve me akses broadband fiks në fund të vitit 2015 arriti në rreth 243 mijë, që përbën një rritje me rreth 17% në krahasim me vitin 2014.
Norma e penetrimit për popullsi dhe për familje e pajtimtarëve me akses broadband fiks në fund të vitit 2015 ishte 9 % dhe 33% përkatësisht. Albtelecom dhe tre operatorët kryesorë alternativë patën rritje të numrit të pajtimtarëve me 5-18%. Për sa i përket pjesëve te tregut gjatë vitit 2015 nuk pati ndryshime të ndjeshme dhe Albtelecom vazhdon të zotërojë vetëm 40% pjesë tregu të numrit të pajtimtarëve me akses broadband.
Gjatë vitit 2015, numri i pajtimtarëve me shërbime të integruara në shporta triple play (Telefoni, Internet dhe TV), u rrit rreth tre herë në krahasim me vitin 2014. Albtelecom pati rritjen më të madhe të këtyre pajtimtarëve (me rreth 4 herë). Në fund të vitit 2015, 63% e pajtimtarëve me akses brodband të Albtelecom ishin pajtimtarë të shportave trefishe (Telefoni, Internet dhe IPTV). Teknologjia kryesore në ofrimin e aksesit broadband vazhdon të jetë DSL. Rrjetet NGA janë në nivel të kënaqshëm, pasi shumica e lidhjeve DSL janë me FTTN/C (kombinim fibër optike dhe kabllo bakri).
Numri i përdoruesve celularë aktivë në fund të vitit 2015 ishte 3.40 milion, që përbën një rritje të vogël me 1% në krahasim me vitin 2014. Për sa i përket numrit të përdoruesve sipas kartave SIM, në fund të 2015 ishin rreth 4.7 milion përdorues që përbën një reduktim me 3% në krahasim me vitin 2014. Norma e penetrimit (përdorues për 100 banorë) në fund të 2015-s ishte 120% sipas përdoruesve aktivë dhe 167% sipas kartave SIM.
Numri i përdoruesve aktivë (përdorim 3 muajt e fundit) të shërbimeve me akses broadband nga rrjetet celulare (3G/4G nga aparateve celulare dhe me karta USB/modem) në vitin 2015 ishte rreth 1.3 milionë, apo 43% më shumë se në vitin 2014. Rritja e ndjeshme e përdorimit të aksesit broadband nga rrjetet 3G/4G është vënë re sidomos në tremujorin e tretë 2015, që përkon me fillimin e ofrimit të shërbimeve në rrjetet 4G. Rritja e përdorimit të aksesit broadband nga rrjetet celulare 3G/4G në vitet e fundit vihet re dhe në rritjen e volumit të të dhënave të transmetuara në rrjetet celulare. Në vitin 2014 rritja vjetore e trafikut të të dhënave në rrjetet celulare ishte 148%, dhe kjo tendencë vazhdoi edhe në vitin 2015.
Shifrat dhe fitimet
Sasia totale e thirrjeve telefonike të gjeneruara nga përdoruesit celularë gjatë vitit 2015 nuk pati ndryshim të ndjeshëm në krahasim me vitin 2014 (rritje me 1.5%), ndërkohë numri i mesazheve SMS të dërguara nga përdoruesit celularë u reduktua me 12%. Kjo tendencë është e kundërt me rritjet e ndjeshme vjetore në 2013 dhe 2014. Rënia e përdorimit të mesazheve SMS dhe rënia e ndjeshme e normës së rritjes së thirrjeve telefonike në rrjetet celulare gjykohet se kanë ardhur për shkak të rritjes së ndjeshme të përdorimit të aksesit në Internet në rrjetet celulare dhe efektit të zëvendësimit të mesazheve SMS dhe thirrjeve me mesazhe/thirrje nga aplikacionet OTT (Over The Top) në Internetin në aparat celular.
Në vitin 2015, të ardhurat totale të operatorëve celularë ishin rreth 33 miliardë lekë, që përbën një rritje me 3% në krahasim me vitin 2014. Vodafone, Telekom Albania dhe Albtelecom patën rritje të vogla respektivisht me 1 dhe 2% të të ardhurave, ndërsa bie në sy rritja e të ardhurave të Plus me 20%, apo rreth 361 milionë lekë. Të ardhurat e Albtelecom nga shërbimet e rrjetit fiks u reduktuan me 4%, në krahasim me vitin 2014.
Të ardhurat e operatorëve celularë në 2014 u reduktuan me 13%, nga 37 miliardë lekë në 2013 në 32 miliard lekë në 2014. Rënien më të madhe e patën Plus dhe Vodafone, respektivisht me 16 dhe 17%, ndërsa Albtelecom dhe AMC patën rënie të vogla me 6 dhe 7%. Pjesa e tregut e Vodafone u reduktua nga 50% në 2013 në 47% në 2014.
Gjatë vitit 2015, një përdorues celular aktiv, (që ka kryer komunikim në 3 muajt e fundit) ka kryer mesatarisht 183 minuta thirrje dalëse dhe ka dërguar 39 mesazhe SMS në muaj. Të ardhurat totale të sipërmarrësve në tregun e komunikimeve elektronike për vitin 2014 ishin rreth 42.2 miliardë lekë, krahasuar me 50.2 miliardë lekë në vitin 2013. Në vitin 2014, të ardhurat patën reduktim me 16% në krahasim me vitin 2013, duke vazhduar tendencën rënëse të të ardhurave që nga viti 2009 (përveç vitit 2012 ku pati rritje). Rënien më të madhe nga sipërmarrësit e mëdhenj e pati Albtelecom për shërbimet e rrjetit fiks me 33%, pasuar nga Vodafone me 17%. Të ardhurat nga shërbimet celulare përbëjnë rreth 77% të të ardhurave të sektorit, ndërsa të ardhurat nga shërbimet e rrjeteve fikse 23%. Të ardhurat e operatorëve alternativë përbëjnë 8% të të ardhurave të gjithë sektorit.
Zhvillimi i tregut të komunikimeve elektronike:
Tendencat kryesore të tregut të komunikimeve elektronike në vitin 2015 ishin: Ndryshime të ndjeshme të paketave tarifore të thirrjeve në rrjetet celulare dhe strukturës së thirrjeve celulare (rritje e ndjeshme e sasisë së thirrjeve off-net dhe reduktim i sasisë së thirrjeve on-net).
Rritje e ndjeshme e përdorimit të shërbimeve të aksesit broadband nga rrjete celulare 3G/4G sidomos me fillimin e ofrimit të shërbimeve në rrjetet 4G (tremujori III 2015). Rënie e përdorimit të shërbimeve të telefonisë fikse (pajtimtarë dhe thirrje). Rritje e ndjeshme e numrit të pajtimtarëve me akses broadband nga rrjete fikse. Rritje e përdorimit të përbashkët të infrastrukturës aktive (bitstream) dhe pasive (tubacione) të rrjetit fiks të operatorit incumbent Albtelecom.