Nga Mustafa Nano
Kreu i PD-së, Lulzim Basha thotë, me ton zemërak, se numri i viktimave të COVID-it është më i madh sesa ai që raportohet nga autoritetet qeveritare e shëndetësore.
Dhe si provë ka nxjerrë disa foto të shkrepura në morgun e Tiranës. Edi Rama reagoi me ngut. E me të njëjtin ton zemërak. “Janë fotografi të montuara,” tha. Pas tij, u shfaq edhe Dr. Tritan Kalo, që nuk e fshehu nausea-n prej mëtimit të Bashës, sido që këtë nausea, siç e ka bërë zakon në çdo dalje publike, e lidhi me zemërimin ndaj gjithë klasës politike. Sikur të mos kishte folur Dr. Tritan Kalo, për të cilin vetëm ndonjë marrok mund të mendojë se i shërben Ramës, do të isha i prirur të besoja më shumë Bashën. Dhe do të ishte hera e parë që do t’i besoja këtij njeriu. Arsyeja do të ishte shumë e thjeshtë. Prej muajsh tanimë, autoritetet qeveritare e shëndetësore janë bërë një trup i vetëm nën komandën e kryeministrit.
Por nuk ka ndonjë çudi në këtë mes. Ideja se do të ishte më mirë që përballimi i krizës t’i lihej në dorë vetëm ekspertëve e doktorëve është interesante, por asnjë qeveri nuk do të binte dakord t’ua delegonte atyre këtë përgjegjësi. Dhe mirë do të bënte. Lëri të tjerat, por do të ishte edhe e pakuptimtë. Kjo është një krizë e pashembullt, dhe njerëzve që kanë mandat për t’u dalë zot punëve të vendit nuk do t’u falej nëse do të bënin mënjanë për t’i hapur rrugë pushtetit të ekspertëve.
Kjo është arsyeja që asnjëherë e askund nuk ka ndodhur një gjë kësodore. Për sa i takon krizës konkrete, kudo kanë qenë qeveritë që kanë drejtuar, tektuk duke marrë fuqi ekstraligjore. Aq e vërtetë është kjo, sa në shtypin botëror kanë zënë ta shohin krizën e COVID-it si një premisë, në të cilën lindin diktatorë e diktatura. Ky i yni nuk është bërë ende diktator, edhe pse njerëzit e opozitës, në fakt, e kanë shpallur të tillë përpara se të vinte COVID-i. “I ka shtënë të gjitha në dorë,” vijojnë të thonë, duke u rrekur të theksojnë faktin se Rama është uzurpator, domethënë ka marrë dhunshëm e në mënyrë joligjore pushtete që nuk i përkasin. Në fakt, Rama nuk është uzurpator. Këtë pushtet të madh ia kanë falur opozitarët vetë me vendimin absurd, e të lig, për të dalë jashtë sistemit.
Por po kthehem te diskutimi mbi numrin e viktimave prej COVID-it. Rama mund të jetë i interesuar që ta ulë këtë numër, pasi kjo do të ishte një mënyrë për të shitur histori suksesi të tijat, por si zor të besohet që ai mund ta bëjë këtë gjë ditë për ditë, për muaj të tërë. Fshehja e të vdekurve prej COVID-it në shifra të mëdha do të kërkonte pjesëmarrjen e shumë vetëve në këtë bashkëfajësi. Për rrjedhojë, do të ishte shumë e vështirë të ndodhte. Vetëm njerëzit e dhënë shumë pas teorive të konspiracionit do të mund ta hanin versionin sipas të cilit të vdekurit janë katër-pesë herë më shumë sesa janë raportuar. Në mos, do të duhej të bindnim veten se ata që po drejtojnë luftën kundër COVID-it nuk janë gjë tjetër, veçse një shoqëri e përsosur masonike, që dinë të na hedhin hí syve të gjithëve.
Sipas meje, ka ndodhur një gjë tjetër. Rama është marrë vesh me doktorët e ekspertët për të shtënë në punë një përkufizim të tyrin mbi “të vdekurit prej COVID-it”. Të bëhet të besosh se ata kanë rënë dakord të mos fusin në këtë kategori viktima, për të cilët COVID-i ka qenë thjesht pika e fundit e ujit që ka mbushur kupën e vdekjes, apo edhe të tjerë që mund të kenë vdekur me simptoma COVID-i, por pa qenë zyrtarisht me COVID (ngaqë testi i tamponit nuk i ka nxjerrë pozitivë).
Kjo ujdi i ka ardhur për osh Ramës, në mos, ka qenë ai që e ka sugjeruar, pasi kështu edhe mund të kishte rast për të folur për një sukses shqiptar, edhe mund të shmangte përfshirjen e popullsisë prej ndonjë paranoje të katastrofizmit. Donald Trump nuk e pati për gjë t’i pohonte gazetarit Bob Woodward që në muajin mars, kur situata ende nuk ishte e qartë, se ai ishte i mirëinformuar mbi rrezikshmërinë që paraqiste virusi, por u shtir sikur nuk e dinte, pasi ndryshe e gjithë Amerika do të përfshihej prej panikut. Ai në fund dështoi në administrimin e krizës (me gjasë, për këtë shkak humbi edhe zgjedhjet), por dështimi nuk lidhet me atë strategji të tij të fillimit. Përkundrazi, lidhet me veprime të tij të mëpastajme.
Shkurt, Lulzim Basha do bënte mirë të hiqte dorë prej narrativës opozitare të katastrofës prej COVID-it. Kjo është një kauzë pa mbështetje. Nuk ka për t’i dhënë frute. Ai edhe mund të vijë një ditë në pushtet (çfarë nuk ndodh në këtë botë!), por ai nuk ka për të ardhur pse Edi Rama trukoi numrin e të vdekurve prej COVID-it. Nëse është keq për kauza opozitare (gjithnjë ka qenë keq, në fakt; ndryshe, nuk do të kapej me thonj pas çdo fatkeqësie natyrore e pas çdo çalltisjeje antiqeveritare: tërmeti, COVID-i, taksa e Rrugës së Kombit, protesta e banorëve të Unazës, protesta e studentëve, protesta në mbrojtje të ndërtesës së teatrit, hedhja nga dritarja e të sëmurëve me COVID etj., etj.), le të vrasë mendjen ca më shumë.
Por përpjekja për të fituar pikë me të vdekurit prej virusit nuk ka për t’i bërë punë. Përkundrazi. Në këtë situatë, nuk ka njeri më pak të ngjërueshëm sesa ai që del çdo ditë për të na bërë me dije se “spitalet kanë marrë fund, se ato janë mbushur me kufoma, se fajtore është qeveria, se qeveria po i fsheh të vdekurit, po shfrytëzon COVID-in për të vjedhur etj.”.
Qëndrime të tilla njerëzve ua shpifin më shumë sesa COVID-i vetë, apo sesa qeveria më e keqe e mundshme. Opozitarëve mund t’u pëlqejë kjo kauzë, por nuk kanë për të parë dobi prej saj. Rama nuk dëmtohet, aq më pak rrëzohet, prej fotografive me trupa që dergjen në morg. Po të ishte kështu, do të kishte rënë nja dhjetë herë kryeministri i Spanjës, ku gjatë valës së parë, kamerat televizive kapën të sëmurë që dergjeshin krejt të paasistuar në dyshemetë e korridoreve të spitaleve të Madridit. Po kaq herë do ishte rrëzuar edhe Giuseppe Conte i Italisë, ku në një moment të caktuar u pa që kufomat, të bëra kapicë mbi njëra-tjetrën, zunë t’i transportonin me makina ushtarake.
Ndërsa Boris Johnson-in do të mund ta kishin ndëshkuar edhe më rëndë, pasi ai nuk qe në gjendje të kuptonte atë që nuk mbeti njeri pa e kuptuar: “COVID-19 nuk ishte shaka”. Aq i papërgjegjshëm u tregua, sa hyri si fanti spathi në një spital të takonte të prekurit prej virusit. Doli prej andej i infektuar dhe përfundoi në terapi intensive. Shpëtoi për një qime. Ndërsa më “skandalozja” ka qenë qeveria suedeze, e cila nuk ndoqi modën e karantinimit. Ishte e vetmja që nuk bëri ashtu si bëri bota. Ishte një zgjedhje shumë guximtare, me pasoja të rënda. Numri i vdekjeve prej COVID-it ishte shumë më i madh sesa në vendet fqinje.
Çfarë kanë bërë opozitat në këto vende? Janë sjellë në mënyrën më konstruktive që mund të përfytyrohet. Dhe nuk janë sjellë në këtë mënyrë ngaqë janë të dobëta. Jo, përkundrazi, kjo sjellje është shenjë force. Kjo është ajo që s’ka kuptuar Lulzim Basha e të vetët. Kriza e COVID-it na vuri të gjithëve në një situatë të pazakontë, më e vështira që mund të kemi kaluar si komb që pas Luftës së Dytë Botërore. Deri para ca kohe, e gjitha mund të ngjante me një sendërgjí, apo me një ngjarje që s’kishte lidhje me ne, por kohët e fundit nuk ka mbetur njeri pa u prekur në një mënyrë a në një tjetër. Po na ikin miq, shokë, familjarë.
Është tamam si në luftë. Dhe në luftë (mund ta përfytyrojmë kaq gjë) nuk mund t’i lejojmë vetes luksin të luajmë rolet që kemi luajtur në kohë paqeje. Kjo është e vërtetë edhe për opozitën, veçanërisht për të, së cilës megjithatë nuk po i kërkon kush të heqë dorë nga roli i saj. Le ta bëjë opozicionin, por të na kursejë shfaqjen me kufoma që dergjen morgjeve të Tiranës. Mbi të gjitha, të na kursejë ngazëllimin prej këtyre shfaqjeve.