Largimi i Besa Shahinit duhet të shërbejë si shkas e rast për të luftuar keqkuptimet dhe mosnjohjen mes shqiptarëve. Debati se “a janë ata” (shqiptarët e Shqipërisë) apo “jemi ne” (shqiptarët e Kosovës) fajtorë për keqkuptimet e ndërsjella, nuk shpie askund. Secila palë duhet të tregojë kureshtjen e shëndoshë për të njohur tjetrin pa paragjykime. Gjeneratat e tanishme të shqiptarëve janë gjeneratat më me fat në historinë tonë të rënduar me kriza e gjakderdhje, varfëri e mjerim. Për herë të parë ekziston një hapësirë e përbashkët dhe dinamike e komunikimit ndërshqiptar. Ky është hapi vendimtar për të njohur njëri-tjetrin. Ka gjasa që sivjet numri i vizitorëve nga Kosova në Shqipëri vetëm gjatë muajve të verës të arrijë në një milion. Njerëzit kanë me i vra paragjykimet (dhe kanë me e bë edhe përdorimin e paskajores gjënë më normale në botën shqiptare).
Nga Enver Robelli
Tani që u nënshkrua “marrëveshja” në Washington, Edi Ramës me gjasë nuk i duhen më ministrat nga Kosova. Emërimi i tyre ka qenë një manovër politike e tij për ta ngacmuar pak Perëndimin se po nuk e pranoi “marrëveshjen” për të cilën po negocionin presidenti kosovar dhe kolegu i tij serb, atëherë “ne shqiptarët dimë edhe ndryshe: do të bashkohemi”. Shumica e ministrave kosovarë e kanë kryer këtë “mision”. Tani mund të largohen. Sot u largua Besa Shahini, ministre e Arsimit e Republikës së Shqipërisë.
Në paraqitjet e saj publike ajo nuk e kurseu as shefin e saj të derisotëm. Tha se do të angazhohet për një të majtë jodemagogjike. Që i bie: ajo ishte pjesë e një qeverie që vuan nga demagogjia, nga protagonizmi bosh, nga numërimi i “llajkave” në mediat sociale, pra dukja është më e rëndësishme se përmbajtja. Duket se Besa Shahini nuk mundi t’i bëjë ballë kësaj situate të pakëndshme brenda kabinetit qeveritar, por edhe brenda Partisë Socialiste, e cila po bëhet gati për zgjedhje. Në këtë fazë duhen militantë në postet me ndikim.
Besa Shahini u ankua se e paskësh goditur opozita për shkak të dialektit. Kjo është një akuzë e rëndë, sidomos kur të merret parasysh se liderë të opozitës si Sali Berisha janë veriorë apo kanë jetuar në Kosovë (si Lulzim Basha, për shembull). Këtu zonja e derisotme ministre nuk e thotë të vërtetën e plotë. Rezerva ndaj saj ka pasur edhe më shumë në Partinë Socialiste. Pse? Sepse e shihnin si “mish të huaj” në një parti ku s’kishte dhënë kontribut për të fituar vota. Sepse e shihnin si pjesë të eksperimentit të Edi Ramës për lojëra politike që ndërlidheshin me “marrëveshjen finale” mes Kosovës dhe Serbisë.
Në këto debate Edi Rama ndërhyri më shumë se sa i takonte një kryeministri të Shqipërisë. Ndërhyri pothuaj si Sali Berisha në dimrin e viteve 1996/97 kur bënte thirrje që shqiptarët e Kosovës të përkrahnin protestat e opozitës serbe në Beograd kundër manipulimit të zgjedhjeve lokale nga diktatori Sllobodan Millosheviq (thua se kosovarët atë hall kishin). Pse e bënte këtë Berisha atëbotë? E bënte për shkak se e kishte vërejtur se së shpejti Shqipëria mund të përfundonte në humnerë për shkak të skemave financiare piramidale, një model shqiptar i kapitalizmit që patjetër do të dështonte, herët apo vonë.
Për t’u kthyer te Shahini dhe rezervat e socialistëve ndaj saj: në një korridor të një godine qeveritare në Tiranë një anëtar i kabinetit të Ramës sa herë që fliste për Besa Shahinin më drejtohej me fjalët: “Ajo e juaja”. Dikur i thashë që ky formulim është absurd, sepse nuk e solli Kosova Besa Shahinin në Tiranë, atë e solli Edi Rama për hesape të tij. Largimi i Besa Shahinit duhet të shërbejë si shkas e moment për të luftuar keqkuptimet dhe mosnjohjen mes shqiptarëve. Andej e këndej Drinit. Debati se “a janë ata” (shqiptarët e Shqipërisë) apo “jemi ne” (shqiptarët e Kosovës) fajtorë për keqkuptimet e ndërsjella, nuk shpie askund. Secila palë duhet të tregojë kureshtjen e shëndoshë për të njohur tjetrin pa paragjykime.
Së pari diçka për kosovarët në Shqipëri. Jo pak prej tyre atje sillen siç nuk do të silleshin në asnjë vend, pra sillen si kapadai. Në fillim të viteve 90-të, kur Shqipëria kishte lënë pas komunizmin dhe po vuante për bukë, në Shqipëri arritën kosovarët e parë, jo pak prej tyre nga Gjermania e Zvicra. Për rrethanat shqiptare ata ishin pasanikë. Dhe këtë pasuri e shfrytëzonin për të shitur mend nëpër lokale. Kuleta e trashë u ndihmonte edhe për t’u bërë pjesë e “turizmit seksual”, një fenomen i njohur në vendet e varfra.
Nuk janë sjellë ndryshe as amerikanët në Kubë në vitet 50-të apo pensionistët zviceranë në Tajlandë në vitet 90-të e këtej. Megjithatë, është qesharake që edhe sot e kësaj dite ky episod i izoluar dhe fenomen periferik, në Tiranë e gjetiu në Shqipëri shfrytëzohet për të kultivuar ksenofobinë ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë (së Veriut) dhe për t’i paragjykuar në mënyrë paushalle. “Erdhën kosovarët dhe na i mashtruan vajzat”. Thua se bëhet fjalë për një sistem të organizuar të skllavërimit seksual. E habitshme se si kjo urrejtje nuk ekziston kundër grupeve mafioze nga Durrësi e Tirana, nga Fieri e Vlora që me vite të tëra kontrabanduan gra e vajza shqiptare dhe i dërguan në Itali që të merreshin me prostitucion. E vërteta është e ndërlikuar, si përherë.
Në Kosovë edhe sot nuk ka mirëkuptim që pikërisht më 2 korrik 1990 shqiptarët u futën në ambasadat e vendeve perëndimore në Tiranë – në atë ditë kur parlamenti i Kosovës, para goditës së parlamentit, po shpallte Deklaratën Kushtetuese, një akt i rëndësishëm juridik që nisi procesin e gjatë e të përgjakshëm për t’u shkëputur nga Serbia. Çfarë nuk dihej atëherë dhe disa kosovarë nuk e kanë kuptuar as sot: më 1990 Shqipëria ishte një lloj Koreje Veriore në Mesdhe, njerëzit vuanin për bukë dhe të tillët më parë iknin në Itali se sa të niseshin për të çliruar Kosovën.
Në Shqipëri jo pak njerëz vazhdojnë të përkunden në paragjykimet e tyre ndaj kosovarëve. “Të pagdhendur”, “primitivë”, “të pakulturë”, “ata që flasin atë dialektin e trashë”, “myslimanë që çdo ditë ia kthejnë bythën qiellit” e këso banalitetesh nga arsenali i urrejtjes që vjen nga mosdija dhe nga niveli i të menduarit që nuk e kapërcen kafehanen e rakisë. Lexoni komentet e “lexuesve” në portalet e Tiranës sa herë që dikush shkruan për Kosovën: një moçal me ksenofobë që ndjell urrejtje të shfrenuar kundër shqiptarëve jashtë Shqipërisë. (Në Kosovë nuk ka urrejtje ndaj shqiptarëve të Shqipërisë në këso përmasash. Së paku kjo nuk vërehet në komentet e lexuesve në mediat digjitale).
“Snobi i Tiranës është si të gjithë snobët gjetiu në botë. Unë kam shëtitur shumë në Shqipëri dhe kam takuar shumë njerëz, kurrë nuk ka qenë temë origjina ime”, thotë dikush që ka qenë pjesë e kabinetit të Edi Ramës. Sërish: e vërteta është e ndërlikuar, si përherë. Gjithsesi e vërteta është më e komplikuar se versioni që sot plasoi Besa Shahini. E çfarë të thuhet për snobat e Prishtinës? Edhe për ta vlen definicioni i njëjtë si për ata të Tiranës.
Raportet mes politikanëve janë kapitull tjetër. Askush nuk duhet të presë që politikanët e korruptuar të Tiranës do të përkrahin një alternativë të pastër politike në Kosovë – dhe anasjelltas. Matrapazët politikë të Prishtinës janë qytetarë nderi e doktorë nderi të qyteteve të Shqipërisë. Nuk është qytetar nderi i Vlorës Gazmend Zajmi. Nuk është qytetar nderi i Gjirokastrës Fehmi Agani. Edi Rama lodhet duke shkruar elozhe për ortakët e tij politikë të Prishtinës, por mos prisni që do të shkruajë ndonjëherë diçka për Azem Shkrelin, Dervish Rozhajën, Rexhep Ismajlin.
Megjithatë, keqkuptimet nuk duhet t’ia turbullojnë mendjen askujt. Shqiptarët në Ballkan ende janë duke e përjetuar fazën e habisë së njohjes me njëri-tjetrin. “A e njeh një Qefser Majacin nga Prishtina”, më pyeti njëherë një polic në pikëkalimin kufitar Qafë Botë. “Jo, nuk e njoh, Prishtina i ka mbi 200 mijë banorë”, ia ktheva përgjigjen. “Obobo, qenka qytet i madh”, u kundërpërgjigj polici.
Nga ana tjetër: sa kosovarë e njohin mirë Shqipërinë? Sa prej tyre kanë qenë në Përmet apo në Tepelenë (përveç se kur ndalen për t’u freskuar te Uji i Ftohtë dhe vazhduar rrugën për në Sarandë)? Në mesin e kosovarëve injorantë shpesh dëgjon formulime si: “Ata në jug janë krejt grekë”. Sa shkolla nga Gjirokastra i kanë dërguar nxënësit në ekskursion në Kosovë? Dhe a shkojnë nxënësit e Kosovës gjetiu në ekskursion përveç se në Durrës, Krujë e Tiranë? (Ndonëse edhe kjo është për t’u lavdëruar).
Shumica e mediave të Kosovës nuk kanë korrespondentë në Tiranë, po ashtu shumica e mediave të Tiranës s’kanë korrespondentë në Prishtinë. Çfarë e dominon debatin publik ndërshqiptar janë zhurmat televizive: “Unë e thërras atë mikun tim nga Prishtina në studio në Tiranë, e kur të kthehem unë në Prishtinë të thërras ty nga Tirana”. Një monolog “analistësh” që bëjnë gazetari për hesape të grupeve të interesit, të politikanëve dhe oligarkëve. Gjithsesi ka përjashtime edhe në këtë sferë, por tabloja e përgjithshme është e zymtë.
Lexuesve e vëzhguesve të vëmendshëm do t’u kujtohet se si në vitet e kaluara, gjatë sezonit turistik, në portalet e Kosovës shpesh botoheshin “lajme” mbi sjelljen e keqe të kamerierëve apo hotelierëve të Shqipërisë kundër kosovarëve. Sivjet keni lexuar ndonjë lajm të tillë? Jo. Ndoshta për shkak se sivjet njerëzit nga Kosova nuk mund të shkonin në mënyrë masive në Turqi dhe agjencitë turistike vendore apo turke nuk harxhuan para për reklama në disa portale të Prishtinës. Nuk ka vend ku nuk do të gjeni një kamerier të poshtër.
E gjeni edhe në Prishtinë. Edhe në Berlin. Edhe në Zürich. Rrjedhimisht e gjeni edhe në Durrës. Por, këto raste individuale nuk duhet zmadhuar. E vërteta e madhe është kjo: për çdo shqiptar në Ballkan (jashtë Shqipërisë) nuk ka vend tjetër përveç Shqipërisë ku baraspesha mes çmimit dhe shërbimit është më e mirë. Shto këtu mikpritjen e përzemërt, shpeshherë vëllazërore dhe motërore (që të shtojmë një fjalë të re, të cilën ndoshta nuk e kuptojnë snobët e Tiranës, por kush bëhet merak për ta).
Politika ka mundur të bëjë më shumë për njohjen e ndërsjellë të shqiptarëve. Por, politikanët kanë zgjedhur polemikat e pista. Nëse ka qenë problematike ndërhyrja e Edi Ramës në ngatërresat e politikës kosovare, duke mbajtur anë, atëherë nuk ka qenë e dobishme as vërtitja e Albin Kurtit nëpër studiot e Tiranës sidomos pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, kur disa studio televizive në kryeqytetin shqiptar ia shtronin qilimin e kuq duke e portretuar si “Skënderbeun e ri që do bëjë ndryshime politike edhe në Shqipëri”. Kjo është punë e shqiptarëve të Shqipërisë dhe jo e politikanëve të Kosovës, ata kanë shumë punë në Kosovë. Nëse shqiptarëve të Shqipërisë u pëlqen Edi Rama, ia pafshin hairin.
Përtej marrëzive politike bota shqiptare po ecën. Sepse njerëzit nuk e presin politikën. Gjeneratat e tanishme të shqiptarëve janë gjeneratat më me fat në historinë tonë të rënduar me kriza e gjakderdhje, varfëri e mjerim. Mediat sociale dhe digjitale kanë mundësuar për herë të parë një hapësirë të përbashkët dhe dinamike të komunikimit. Ky është hapi vendimtar për të njohur njëri-tjetrin.
Ka gjasa që sivjet numri i vizitorëve nga Kosova në Shqipëri vetëm gjatë muajve të verës të arrijë në një milion. Ndonjëri apo ndonjëra prej tyre mund të dashurohet në ndonjë vlonjat në plazh dhe të mos kthehet më në Kosovë, por një ditë mund të bëhet ministër apo ministre në Tiranë. Por kjo le të bëhet natyrshëm, jo me sforcime artificiale dhe për lojëra politike.