Martti Ahtisaari, ish-kryendërmjetësi ndërkombëtar për statusin e Kosovës, nuk ka marrë kurrfarë ftese për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e krizës politike në vend.
Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Zëri” Riika Marjamaki, udhëheqës i Zyrës së presidentit Ahtisaari. “Presidentit Ahtisaari nuk i është kërkuar deri më tani që të vijë dhe të zgjidhë krizën politike në Kosovë”, ka thënë Marjamaki. Ditë më parë e përditshmja austriake “Der Standart” ka botuar një lajm ku është lakuar emri i Ahtisaarit dhe ish-kryeministrit suedez, Carl Bildt, si ndërmjetësues të mundshëm të zgjidhjes së krizës politike në Kosovë, e cila është tensionuar muajt e fundit si pasojë e kundërshtimeve të opozitës për marrëveshjet për Asociacionin dhe Demarkacionin me Malin e Zi.









