Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka qenë shumë aktiv kohët e fundit dhe këto lëvizjet tregojnë se po shkohet drejt një poli të tretë në politikën shqiptare. Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, Duka tregon se pol i tretë në politike është shumë afër.
Për takimin e disa ditëve më parë me disa nga krerët e partive të vogla Agron Duka deklaron se kanë vendosur të hedhin disa hapa që do nisi në fillim të vitit tjetër.
“Mund të them se rezultati i parë do të jetë krijimi i një boshti prej 10 partish, parlamentare dhe jo, dhe bashkërisht do të prezantojmë një platformë me propozime konkrete; sigurisht, guri i themelit i këtij bashkimi është “Reforma Zgjedhore”. Lançimi i kësaj ideje politike, e kësaj alternative, do t’i bëjë mirë shoqërisë shqiptare dhe vetë jetës politike në vend, pasi kërkon që procesi zgjedhor të lejojë përfaqësimin e sa më shumë shtresave të popullsisë. Ideja e një poli të tretë apo të qendrës, në thelbin e saj ka edhe një efekt tjetër pozitiv, limiton mazhorancat e plota nga një forcë e vetme; eksperiencat kanë treguar që mazhoranca, sidomos aktualja, sillen me arrogancë dhe për të frenuar këtë sjellje është e rëndësishme të ketë një ekuilibër në çdo mazhorancë të ardhshëm”, ka deklaruar Agron Duka.











