Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, pozicionohet pro krijimit të një Poli të Tretë politik, pasi sipas tij kjo do të bënte të mundur uljen e arrogancës së partive të mëdha. I ftuar në “5 pyetjet nga Babaramo” në Report Tv, Duka u shpreh se pengesa kryesore aktualisht është Kodi Zgjedhor, i cili sipas tij nuk e lejon një gjë të tillë.
“Do ishte mirë që çdo parti të garonte në vete, por kodi aktual nuk e lejon. Me këtë kod partitë e vogla janë të detyruara të vendosen në bllok. Një pol i tretë sjell pozitivitet sepse partitë e mëdha kanë interesin e tyre dhe me një pol të tretë të fuqishëm do të ulej arroganca e dy partive të mëdha“, u shpreh Duka.
Sa i takon pozicionit të PAA-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Duka tha se forca politike që ai drejtohen do të jetë në koalicion me Partinë Demokratike.
“Partia Agrare është një parti e qendrës, ne jemi në aleancë me PD për zgjedhjet e pjesshme të Kolonjës dhe në 2017-ën nuk kemi arsye të ndryshojmë koalicion edhe për faktin që ne merremi me çështje të zhvillimit rural dhe nuk jemi të kënaqur me këtë zhvillim nën këtë qeveri“, tha ai.
Zgjedhjet e pjesshme në Kolonjë janë atipike edhe për shkakun e konfigurimit aty, PD është tërhequr dhe ua ka lënë ju ndërsa ju keni marrë një të majtë për të kandiduar në emër të së djathtës, pse kjo situatë?
Mendoj se shprehja e duhur është se ne opozita e bashkuar kemi nxjerrë një kandidat të përbashkët, PD nuk është tërhequr por ka dhënë dakordësinë të përfaqësohet me kandidatin e Partisë Agrare Ambientaliste. Duke qenë se kjo parti merret me një çështje të caktuara, me çështjen e fshatit, të mjedisit, të peshkimit jo shumë të doktrinar ideologjikisht për ne nuk përbën shume problem nëse kandidati ka prirje të majta apo të djathta. Ne ma duhet një njeri që na jep shpresën për të fituar dhe nëse fiton ta dijë ta udhëheqë këtë bashki në të ardhmen sepse qëllimi është të fitohet bashkia por edhe të menaxhohet.
Pse e ndërmorët këtë sfidë pasi në të gjitha zgjedhjet e parakohshme gjithnjë ka fituar kandidati i qeverisë?
Gjykoj që një parti politike nuk mund t’i shmanget garës, sepse duke garuar forcohet. Për më tepër që partia jonë prej vitesh ka një aktivitet shumë të gjatë por kohët e fundit është thuajse inekzistente dhe një fushatë e tillë i bën shumë mirë. Përveç se ne pretendojmë ta fitojmë bashkinë e shohim si një fushatë që shtrëngon radhët e partisë, forcon strukturat dhe jep një projeksion për të zgjedhjet parlamentare.
Si e gjykoni si proces, është korrekt?
Nuk ka probleme që bien në sy sepse sot po vi prej andej. Megjithatë të bëjnë të revoltohesh fakti që ka filluar asfaltimi i rrugës Korçë-Ersekë është bërë një sipërfaqe goxha mirë ndërsa pjesa tjetër ka gropa. Ditët e fundit janë bërë rregullime pikërisht në fushatë. Hedhja e disa kamionëve zhavorr në disa fshatra, ose ndërtimi i disa urave kjo të duket sikur tallen me njerëzit. Unë kurrë nuk jam munduar që tu marr mendjen njerëzve përkushtimi ndaj zonës duhet të jetë permanent dhe jo në momente të caktuara. Nuk ka zonë që mund të merret vota se hedh asfalt ne dy tre vende. Shoh që shpesh atje trumbetohet me të madhe që 25 vjet s’është bërë asgjë dhe tashmë është rasti t’i jepet zhvillim përmes Rilindjes Urbane ata gjykojnë që edhe në 3 vitet kur ishin vetë s’kanë bërë asgjë. Nëse ne nuk arrijmë të vlerësojmë punën e tjetrit dhe të vazhdojmë për të ecur përpara ka vetëm regres.
Duket sikur tani opozita ka pasivitet në lidhje me opozitën që ka bërë Berisha në 97, 2005 e keni evidentuar këtë si mangësi?
Nuk është mangësi por ju flisni për vite më përpara ku edhe mentaliteti ka qenë i tillë pasi njerëzit ndikoheshin nga ideologji të majta apo të djathta. Tani flasim për një periudhë ku propaganda ka ndryshuar pasi njerëzit nuk janë si dikur pasi bastionet filluan të bien një nga një. Nuk duhet të përdoret e njëjta gjuhë si më përpara, por ndoshta një ndërthurje e eksperiencës së kaluar me të sotmen do të ishte diçka pozitive që do mund të jepte një rezultat pozitiv të pritshëm.
Opozita ka paralajmëruar se do ta largojë Ramën me protesta, a mendoni se kjo është rruga e duhur për të bërë opozitë?
Unë gjykoj se protestat janë një nga rrugët kur nuk ka shtigje të tjera, por nuk gjykoj se një qeveri mund të bjerë nga protestat. Eksperienca 26-vjeçare pluraliste ka treguar që asnjë qeveri nuk është larguar nga protestat por nga një bashkërendim i shkaqeve, protestë, opozitë, parlament dhe kur kjo gjen mbështetje në popull dhe shoqëri civile. Nëse bëhen protesta pa mbështetje nuk kanë rezultat dhe kthehen në efekt të kundërt. Besoj se opozita dhe këtë po bën PD duhet të testojë që duan njerëzit protestë, janë të kënaqur apo jo. Sepse populli është i ndjeshëm nëse ka probleme ekonomike por jo dhe aq për zgjedhje.
A mendoni se opozita ka harxhuar kohë dhe energji për dekriminalizimin dhe reformën në tërësi duke lënë mënjanë reformën elektorale?
Nuk mendoj se ka harxhuar shumë kohë me dekriminalizimin pasi ishte një proces i domosdoshëm dhe pavarësisht se shumë njerëz janë utopik nëse duhet të realizohet apo jo efektet e para i ka dhënë. Shoh që partitë po mundohen që në zgjedhjet e ardhshme të gjejnë figura që nuk kanë probleme me drejtësinë. Edhe reforma në drejtësi duhet patjetër, por nga ana tjetër gjykoj se nuk ka gjetur kohën e duhur të merret me reformën zgjedhore. Reforma në drejtësi nuk bazohet në një reformë zgjedhore ku sigurohen zgjedhje të lira dhe të ndershme është nuk sepse ndodh e njëjta gjë si në zgjedhjet e mëparshme ku paratë e krimit kanë diktuar dhe është arritur deri aty sa u bë kriminalizimi. Justifikimi që nuk ka kohë është negativ dhe do sjellë pasoja nëse nuk rregullohen disa probleme kryesore si asi i numërimit elektronik.
Çfarë gjërat duhet të rregullohen, për numërimin elektronik që përmendet kryetari i sapozgjedhur i KQZ tha se nuk ka kohë?
Ka kohë, me këtë zhvillim që ka bota sot s’paska kohë për 8 muaj? Është vetëm mungesë vullneti politik. Nëse ai kryetar do të ketë vullnet politik nga të dy krahët do të pranojë që ka kohë, për 8 muaj bëhen shumë gjëra. Vazhdohet me lista të mbyllura që sjellin deformim të votës. Njerëzit fshihen pas listave dhe populli voton partitë pa ditur se kush do të jetë në parlament, përveç partive të vogla që pak a shumë dihet kush zgjidhet dhe në një farë mënyre funksionojnë si lista të hapura. Partitë e mëdha vazhdojnë me emërime jo se nuk ka kohë po se nuk ka vullnet. Do ishte mirë të kishim një sistem proporcional rajonal me korrektim kombëtar pasi partitë nuk i marrin votat sepse shkojnë në bllokun përkatës. Për shembull nëse ne në Durrës marrim 11000 vota me aleance me PD dhe na duhen 5 mijë vota për të dalë deputet pjesën tjetër e merr blloku. Nëse marrim në Gjirokastër 4000 vota dhe na duhen 5000 ato vota i merr blloku. Po e njëjta gjë ndodh edhe me bllokun e majtë ndaj mendoj se proporcionali do të ishte më i drejtë.
Si kanë reaguar kryetarët e partive të mëdha apo përfaqësuesit e tyre pas këtyre propozimeve?
Kemi takuar kryetarin e kuvendit, ishim disa përfaqësues, Mediu, Shehu, Ndoka. U prit shumë mirë dhe u premtua që do të merret komisioni sa më shpejt të jetë e mundur dhe do të merret me çështjet që mund të rregullohen u la në harresë dhe pas disa muajsh është e njëjta përgjigje nga Taulant Balla, në heshtje nga PD dhe tani nga kreu i KQZ: S’ka kohë, për ne shqiptarët s’ka kohë. Mbaj mend që para disa vitesh takova një italian që kishte hapur një televizion dhe e kishte quajtur Nesër Tv, i thashë përse e ke quajtur kështu. Ai më tha se në Shqipëri për çdo gjë të thonë nesër, prandaj e quajta kështu. Ne në Shqipëri për vite nuk po arrijmë të bëjmë një kod zgjedhor që të jetë i drejtë e tu shërbejnë të gjithëve.
Vihet re se partitë e mëdha pas çdo palë bëhen bashkë e ndryshojnë kodin dhe krijojnë aleancë kundër partive të vogla, është i njëjti rast edhe tani?
Për mendimin tim po. Listat e mbyllura u garantojnë dy partive të mëdha të emërojnë njerëzit e preferuar dhe korrektimi kombëtar janë disa vota që u hiqen atyre. Sa i përket sigurisë së numrit maxhoranca është më e interesuar të mos realizohet sepse opozita është e interesuar për një numërim të drejtë.
Si do hyni në zgjedhje, me cilin koalicion?
Partia Agrare është një parti e qendrës, ne jemi në aleancë me PD për zgjedhjet e pjesshme të Kolonjës dhe në 2017-ën nuk kemi arsye të ndryshojmë koalicion edhe për faktin që ne merremi me çështje të zhvillimit rural dhe nuk jemi të kënaqur me këtë zhvillim nën këtë qeveri.
A ju duket atraktive ideja e krijimit të një poli të tretë të qeverisë?
Do ishte mirë që çdo parti të garonte në vete, por kodi aktual nuk e lejon. Me këtë kod partitë e vogla janë të detyruara të vendosen në bllok. Një pol i tretë sjell pozitivitet sepse partitë e mëdha kanë interesin e tyre dhe me një pol të tretë të fuqishëm do të ulej arroganca e dy partive të mëdha.
Nëse Rama do të dilte parti e parë dhe në pamundësi për të pasur numrat që i duhen për të qeverisur do ju ftonte të ishit pjesë e koalicionit, do t’i bashkoheshit apo do vazhdonit të qëndronit në opozitë?
Partia Agrare Ambientaliste nuk arrin të bëjë kryeministër as Ramën as Bashën, ata bëhen kryeministra nëse partia që udhëheqin merr më shumë vota se të gjitha partitë e tjera dhe më pas kushtetuta u jep të drejtën të bëjnë aleancë që të jenë maxhorancë. Për mua nuk është e udhës që edhe të pyetem edhe të përgjigjem për këtë nëse hyjmë në koalicion me Bashën dhe presim të fitojmë.
Çfarë nuk shkon në bujqësinë shqiptare dhe zhvillimin rural në përgjithësi?
Thembra e Akilit në bujqësinë shqiptarë është fragmentimi i fermave shqiptare. Për mua kjo është pjesa më negative sepse nuk arrijmë të konsolidojmë tokën dhe të krijojmë shoqatat fermere apo kooperativat.
Përse nuk është rrezatuar në pjesën tjetër shembulli i Xarës?
Sepse nuk bëhet përpjekje për tu rrezatuar. Aty ka një kooperim të shitjes dhe analizim të kulturave bujqësore. Këtë qeveritë mundohen ta bëjnë por duke qenë proces vullnetar është e vështirë ta bëjnë. Qeveria duhet të mundohet të bashkojë fermerët. Të gjitha qeveritë janë munduar por është ecur shumë avash. Shteti mundet që përmes disa ligjeve të rregullojë këtë çështje.